Asnjëri kandidat s’i merr votat e mjaftueshme për gjyqtarë në Kushtetuese, konkursi përsëritet

17 prill 2026 | 20:38

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, pasi asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar votat e nevojshme në procesin e votimit të fshehtë.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se, bazuar në raportin e votimit, asnjë kandidat nuk ka arritur shumicën e kërkuar, duke theksuar se konkursi do të përsëritet.

“Në bazë të raportit, konstatoj se asnjëri kandidat nuk mori votat e mjaftueshme, andaj duhet ta përsërisim konkursin”, ka deklaruar Haxhiu.

Procesi ka kaluar në disa runde votimi, ku kandidatët kanë marrë mbështetje të ndryshme nga deputetët, por pa arritur pragun e nevojshëm për zgjedhje.

Në rundin e tretë të votimit, rezultatet ishin: Jorida Xhafaj me 63 vota, Emine Avdyli Pozhari me 60 vota, Flamur Mrasori me 49 vota dhe Zahir Qerkini me 48 vota.

Edhe në rundin e dytë dhe të parë nuk ishte arritur konsensus, ku kandidatët kryesorë kishin marrë vota të përafërta, por jo të mjaftueshme për t’u zgjedhur.

Sipas procedurës së votimit, kandidatët eliminohen gradualisht në bazë të numrit më të ulët të votave, deri në përzgjedhjen përfundimtare, por as në këtë fazë nuk u arrit vendimmarrja.

Procesi është shoqëruar edhe me reagime politike dhe akuza nga opozita dhe shoqëria civile për ndikim politik në përzgjedhje, duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të mbetet e pavarur nga pushteti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agim Aliu, ka reaguar lidhur me ngjarjen tragjike që ka…