“Asnji cent ma shumë”, protestuesit kërkojnë anulimin e vendimit për ngritjen e rrymës

25 shkurt 2022 | 17:05

Grupi organizativ i protestës “Asnji cent ma shumë” ka protestuar të premten me qëllim të anulimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe qeverisë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Organizatorët kanë thënë se ky vendim është zhvatës dhe do t’i varfërojë qytetarët.

“Anulo vendimin”, “Qeveri e popullit apo e privatnikut”, “S’paguaj edhe për veriun”, ishin disa nga shkrimet në pankartat e protestuesve të cilët u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt qeverisë, e aty situata u tensionua në mes të tyre dhe zyrtarëve policorë, kur ata tentuan të hyjnë në oborrin e qeverisë për ta lexuar fjalimin e tyre.

Pas akuzave dhe shtyrjeve nga ana e policisë, anëtari i grupit organizativ i protestës, Denis Krasniqi, ka thënë se me këtë vendim ZRrE-ja dhe ekzekutivi po dalin në mbrojtje të KEDS-it.

“Ajo që pritej edhe ndodhi. ZRrE-ja bashkë me qeverinë i dolën në krahë një kompanie private KEDS. Qeveria u bë garanci e fitimit të KEDS-it duke i dhënë subvencione 100 milionë euro. E këto para po thotë që i kam dhënë prej buxhetit, por buxheti a është i yni? Vendimi i ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritja e çmimit për të gjithë konsumatorët do të na varfërojë secilin prej nesh. Po rritet çmimi i rrymës, po rriten çmimet e produkteve ushqimore, po rritet çmimi i naftës, vetëm xhepat tanë vetëm po varfërohen”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, ka deklaruar…