Asociacioni si vdekje klinike e Kosovës!

16 tetor 2020 | 17:55

Shkruan: Anisa Bahiti

Dje përfaqësuesi i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, sllovaku Lajçak ishte në Prishtinë dhe takoi të gjithë krerët e politikës dhe të shtetit të Kosovës.

Në përfundim të një dite të gjatë politike deklarata e tij ishte e qartë: Nëse doni një marrëveshje Kosovë-Serbi duhet të lëshoni tek asosacioni i Komunave serbe në Kosovë. Pas një marrëveshjeje aspak të lumtur në Uashington , Kosovës gjoja në emër të integrimit te mëtejshëm Europian dhe liberalizimit të vizave, i duhet të lëshojë akoma ndaj Serbisë.

Kësaj radhe jo vetëm në Veri, por edhe në territorin brenda Kosovës, që në fakt duket si një “Serbi e vogël” brenda Kosovës. Me pak fjalë, Manastiri i Deçanit, i Pejës, i Graçanicës, serbët e Shterpces, të Sharrit, të Gjilanit, të Kamenicës, të Lipjanit, të Fushë Kosovës, kudo që janë nëpër territor duhet të vetëqeverisen nëpërmjet një mekanizmi vetëqeverisës të centralizuar, që jo vetëm anashkalon autoritetin e shtetit të Kosovës, por “de fakto” nuk e njeh atë.

Ndërkohë që Kosovës i vihet litari në fyt, në anën tjetër Serbia e ka të vendosur në kokën e kushtetutës së saj, që Kosova është pjesë e Serbisë. Nëse qeveria e Kosovës vazhdon dhe i bën lëshime Serbisë, dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshje do të jetë dhe fillimi i fundit të Republikës së Kosovës së 17 shkurtit të 2008-tës.

Serbia do ketë mbërritur 3 shtyllat e strategjisë së saj për kthimin pas të pavarësisë së Kosovës.

E para, bllokimin e njohjeve të reja ,e cila u realizua me marrëveshjen e Uashingtonit. E dyta, ndarja e Veriut po me Ujmanin dhe marrëveshjen e Uashingtonit.

E treta, një shtet i mirëfilltë serb brenda territorit, i cili pavarësisht se nuk është i unifikuar në territor, është i unifikuar në administrimin politiko-juridik dhe policor, pra nën autoritetin e drejtpërdrejtë të Beogradit.

Nëse BE do t’i bëjë lëshime Beogradit, që të mos shkojë në Moskë dhe të gjejë kompromis në kishën serbe që të mos ndjekë të njëjta “politika” me atë ruse, kjo nuk mund të bëhet nën shpatullat dhe territorin e Kosovës, duke harruar 10 mijë viktima te pafajshme prej masakrave të Millosheviçit. Presionet se ndryshe Kosova do të jetë e izoluar ndërkombëtarisht, kanë vetëm një përgjigje: Më mirë një Kosovë e izoluar që do të vazhdojë të ekzistojë, sesa pa Kosovë fare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” po merr pjesë…