
ATK-ja dënon 62 kompani për mospajisje me arkë fiskale dhe moslëshim të kuponit fiskal
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka shqiptuar 1 429 gjoba për mospajisje me arkë fiskale dhe moslëshim të kuponit fiskal.
“ATK-ja në funksion të luftimit të ekonomisë joformale gjatë këtyre ditëve ka inspektuar aktivitetin e sektorit të transportit rrugor ndërkombëtar. Gjatë këtyre inspektimeve zyrtarët e ATK-së kanë ka lëshuar 1 429 gjoba për mospajisje me arkë fiskale dhe moslëshim të kuponit fiskal, tek 62 kompani, të cilat janë përcjell për procedim në Zyrën për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative”, është bërë me dije në njoftimin e ATK-së.
ATK-ja ka theksuar se të gjitha këto aktivitete janë duke u ndërmarr në kuadër të planit operativ të veprimit për periudhën korrik – shtator 2021, i cili është duke trajtuar edhe sektorë të tjerë.
“ATK-ja gjatë ditëve në vijim do të inspektojë sektorët të cilët gjatë kësaj sezone kanë aktivitete të shumëfishuara dhe gjendja e tyre në relacion me obligimet tatimore nuk është ne nivelin e duhur”, është theksuar në njoftimin e ATK-së.