Atletët më të mirë të Kosovës

13 shkurt 2020 | 19:46

Federata e Atletikës së Kosovës ka shpallur laureatët e vitit 2019. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin fytyra të njohura sportive, dhe drejtues të Federatave, ndërsa nuk munguan as drejtori i departamentit të sportit në Ministrinë për Rini, Kulturë dhe sport, Ibër Alaj, si dhe ai i komunës së Prishtinës, Fitim Rexha.

Federata zgjidhi më të mirët e viti 2019 duke filluar nga kategoria U10 e atletëve, deri tek seniorët e veteranët e këtij sportit. Dy çmimet kryesore shkuan për atleten e klubit Besa, Gresa Bakraçi, e cila u shpall atletja më e mirë dhe atletin nga klubi Rogana, Musa Hajdari, i cili u shpall atleti më i mirë.

I pari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani në fjalën hapëse u shpreh se këtë atletikë e pret edhe një punë më e madhe se ajo që kanë pasur në vitin 2019.

“Vitin që lamë pas, e kemi filluar me ambicie të mëdha kemi hartuar plane zhvillimore të begatshme me risi dhe iniciativa për qëllim që ta ngrisim sportin e atletikës. I kemi pasur të njohurat sfidat që do të na presin për vitin 2020 dhe me një angazhim të të gjitha strukturave brenda Federatës, ne kemi filluar punën me një përgjegjësi të madhe. Ka pasur përparime, por ka pasur edhe ngecje dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Federata Atletike e Kosovës ka organizuar 23 gara në shumë rajone të Kosovës, prej tyre dy krose, 6 vrapime rrugore dhe 8 mitingje në shteg, tri kupa të Kosovës dhe tri kampionate individuale”, u shpreh Sylejmani.

Drejtori i departamentit të sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ibër Alaj tha se këtij sporti në Kosovë ende është duke i munguar infrastruktura.

“Sigurisht që për juve preokupim është infrastruktura, ku zhvilloni aktivitetet dhe e cila është e domosdoshme që ju të arrini edhe suksese edhe të keni vendin apo shtigjet, të cilat janë të domosdoshme t’i kryeni ushtrimet. Prandaj e dini edhe në aspektin qeverisës, ne nuk po e zgjasim shumë me qeverisje çdo 2 vite, na kanë shkuar 5 vite apo 6 vite që ndërrohet qeveria. Prej vitit 2014 deri tash 3 qeveri vetëm po ndryshohen. Ndryshimet politike po ndikojnë që edhe investimet strategjike”, u shpreh Alaj.

Atletja më e mirë Gresa Bakraçi deklaroi se viti 2019 ishte shumë i rëndësishëm për të, duke arritur suksese të mëdha si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

“Tash jemi në vitin 2020, por viti 2019 ka qenë viti ku unë akoma po motivohem, sepse ka qenë viti ku unë jam ngritur si personalitet në dy mënyra. Njëra nga mënyra që më ka ngritur si personalitet është, sepse kam filluar dhe kam kuptuar se synimet të cilat i kam pasur gjatë këtyre aktiviteteve, i kam arritur me një përkushtim të madh, me një angazhim shumë të madh gjatë këtij sporti”, tha Bakraçi.

Po ashtu edhe atleti më i mirë, Musa Hajdari e cilësoi vitin 2019 si vitin më të suksesshëm në karrierën e tij.

“Viti 2019 ka qenë një vit i suksesshëm kam arrit të thyej 6 rekorde shtetërore, të fitoj tri medalje ballkanike. Ka qenë viti më i suksesshëm i karrierës time. Viti 2020 shpresojmë që të jetë edhe më i suksesshëm, sesa viti i kaluar.

Klubi më i mirë për viti 2019, u shpall klubi i Atletikës Mitrovica me 2086 pikë, ndërsa trajneri më i mirë ishte ai i klubit Rogana, Zijadin Kryeziu, raporton KosovaPress.

Kujtojmë që atleti i cili ia solli medaljen e artë Kosovës së fundmi në kampionati Ballkanik U20 për hedhjen e gjyles, Muhamet Ramadani, u shpall më i mirë në Kosovë për këtë kategori. Ramadani gjithashtu u shpërblye me një bursë prej 1 mijë eurosh nga Agjencia e Shërbimeve “Visi”. Bursë të cilën atleti nga Mitrovica do të marrë çdo muaj për një afat 10 mujorësh.

Të gjitha çmimet që u ndanë sot nga Federata e Atletikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktualisht në ‘zilet’ e zyrave të ndryshme të administratës amerikane…