POLITIKAT E PRISHTINËS NDAJ BEOGRADIT DUHET TË KALOJNË NËPËR UASHINGTON

13 shkurt 2020 | 19:41

Aktualisht në ‘zilet’ e zyrave të ndryshme të administratës amerikane mund të hasim më shpesh gjurmët e gishtërinjve të diplomatëve e aktivistëve serbë, ndërkohë që shqiptarët të dehur nga efektet që solli pavarësia, u akomoduan aq shumë në kullat e tyre të vetëmjaftueshme, sa që  gishtërinjtë e dikurshëm që shkruanin memorandume ndërkombëtare, tani i përdorin vetëm për të dridhur telat e sharkisë nëpër ndejat me tym që i organizojnë feudalët e politikës kosovare

Nga Mahmet PRISHTINA

Ka një perceptim të përgjithshëm kohët e fundit se çështjet e pambyllura në mes të Kosovës dhe Serbisë, po trajtohen një anshëm nga një pjesë të diplomacisë ndërkombëtare.

Kjo po ndodhë sidomos pas formimit të Qeverisë së re, kurse premtimi i kryeministrit Albin Kurti për zëvendësimit të tarifës 100%, me reciprocitet me Serbinë, ka hapur ‘kutinë e Pandorës’ dhe të gjithë janë në pritje se si do të sillet pushteti i ri në Prishtinë pas ultimatumit të Ambasadorit Richard Grenell për heqjen pa kushte të tarifës 100%.

Ambasadori Grenell, ritheksoi të martën kërkesën për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe. Në një postim në rrjetin social twitter, ambasadori Grenell tha se “është thelbësore që tarifat të hiqen, në mënyrë që investimet të funksionojnë”. Ai gjatë muajit janar vizitoi Kosovën dhe Serbinë duke kërkuar që Prishtina të heqë tarifat, ndërsa Beogradi t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Në Prishtinë ka një qëndrim të dyzuar sa i përket këtij ultimatumi të diplomatit të lartë amerikan. Ish kryeministri Haradinaj dhe partia e tij kanë paralajmëruar protesta nëse kryeministri Kurti e heq tarifën 100%, ndërkohë që partitë tjera opozitare, sidomos PDK, kanë thënë se do të presin në ditët në vijim se çfarë qëndrimi do të merr shefi i ekzekutivit lidhur me këtë çështje dhe varësisht nga kjo ata do t’i ndërmarrin veprimet e tyre politike.

Në anën tjetër Serbia është shumë aktive në aktivitetet lobuese në qendrat e vendimmarrjes botërore,sidomos në Uashington, duke arkëtuar pikë në favor të politikave të saj agresive kundrejt Kosovës.

Nga ana e tij, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se do të merr pjesë në Konferencën e sigurisë, që do të mbahet të enjten dhe të premten në Mynih, sipas të cilit prezenca e tij në këtë forum do të jetë e rëndësishme për Serbinë, për arsye se ‘do të mund të vlerësojmë më mirë se cilat do të jenë hapat e mëtejmë të Qeverisë së Prishtinës, cilat do të jenë hapat e Gjermanisë, Amerikës dhe shteteve të tjera’, ka thënë Vuçiq për mediat e Beogradit.

Kjo po ndodhë pikërisht në kohën kur diplomacia kosovare është në njëfarë defanzive, sidomos pas një serie skandalesh e veprimesh amatore në disa segmente MPJ-së. Rrjedhojë logjike e kësaj gjendjeje janë çnjohjet që i ndodhën Kosovës nga ana e disa shteteve të botës, e që ishin rezultat konkret i aktivitetit të shtuar të diplomacisë serbe.

Është për të ardhur keq për këtë katandisje të diplomacisë kosovare, kur dihet se në të kaluarën Kosova, para se të bëhej shtet i mirëfilltë, kishte një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Aktivitetet lobuese të shqiptarëve në Uashington, sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë deri te shpërthimi i kryengritjes së armatosur të UÇK-së, ishin të njohura për efektet domethënëse në vendimmarrjen amerikane sa i përket proceseve që sollën pavarësinë e Kosovës.

Këto aktivitete ishin të koordinuara në mënyrë të shkëlqyer nga shoqatat dhe grupimet shqiptaro-amerikane dhe politikanëve e veprimtarëve të ndryshëm të Kosovës, të cilët në Amerikë takoheshin shpesh dhe ishin një ‘zile’ e fuqishme që shtypej në dyert e zyrave të administratës amerikane.

Pas çlirimit dhe shpalljes shtet të Kosovës, në Amerikë dhe në disa qendra vendimmarrëse në Europë, aktiviteti lobues i shqiptarëve gati se u fashit, ndonëse kishte ende nevojë që shtetndërtimi i Kosovës të ndihmohej edhe më tej, për arsye se kjo ishte periudha më delikate kur statusi ndërkombëtar i Kosovës kishte nevojë të fuqizohej edhe më tepër përmes një diplomacie efikase karshi politikave agresive serbe, e cila për fat të keq mungoi. Kjo edhe për shkak të mbylljes së shumë zyrave lobuese në Amerikë e që djallëzisht u shfrytëzua nga Beogradi për të rikthyer imazhin e saj në botë përmes aktiviteteve lobuese që ndërmori diplomacia serbe, përfshi edhe Uashingtonin ku aktualisht lobi serb është shumë më i fuqishëm se ai shqiptar.

Prandaj, çdo fjali e diplomatëve amerikanë që nuk iu pëlqen politikanëve në Prishtinë, në njërën anën, mund ta ketë burimin tek kjo gjendje në të cilën ndodhet diplomacia kosovare e cila po e paguan shtrenjtë koston e amatorizmit, dhe në anën tjetër, tek aktivizimi lobues i Serbisë që ta bëjë pikërisht atë që dikur shqiptarët e bënin në Uashington.

Aktualisht në ‘zilet’ e zyrave të ndryshme të administratës amerikane mund të hasim më shpesh gjurmët e gishtërinjve të diplomatëve e aktivistëve serbë, ndërkohë që shqiptarët të dehur nga efektet që solli pavarësia u akomoduan aq shumë në kullat e tyre të vetëmjaftueshme sa që  gishtërinjtë e dikurshëm që shkruanin memorandume ndërkombëtare tani i përdoren vetëm për të dridhur telat e sharkisë nëpër ndejat me tym që i organizojnë feudalët e politikës kosovare.

Qëndrimi zyrtar i Uashingtonit kundrejt Kosovës, në raport me Serbinë, asnjëherë nuk ka qenë imponues dhe joracional, siç mundohen ta shpjegojnë disa faktorë politik e mediatik në Prishtinë.

Ambasadorit Richard Grenell, i cili është përfaqësuesi i drejtpërdrejt i Presidentit Trump, e ka sqaruar qëndrimin e tij kohët e fundit në një intervistë (dhënë gazetarit Hjua Hjuit)  të një radioje amerikane në të cilën është shprehur se Uashingtoni nuk dëshiron të imponojë qëndrimet e veta, dhe sipas tij, për Amerikën është shumë e rëndësishme të gjendet kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë, por pa u cenuar interesat vitale të njërës, apo palës tjetër.

“Diplomati amerikan ka theksuar se Presidenti Trump nga ai ka kërkuar që para fillimit të bisedimeve të hulumtojë opinionin publik me qëllim që të dijë nga afër nëse Beogradi dhe Prishtina janë të interesuar për ndonjë lloj marrëveshjeje”, i ka thënë, Ambasadori Richard Grenell, radios amerikane, transmeton televizioni N1 i Beogradit.

Grenel ka vënë në dukje në veçanti faktin se administrata e Presidentit Trump në “stilin e saj të njohur, bën përpjekje që t’i shtyj të dyja palët që të pajtohen, por pa imponuar idenë amerikane”.

Teksa ka folur për rihapjen e paralajmëruar të linjës hekurudhore dhe ajrore Beograd- Prishtinë, Grenel ka shtuar se “qëllimi i Presidentit Amerikan Donald Trump është që të shfrytëzojë ekonominë për lëvizjen e çështjeve politike”.

Të ndodhur në mes të qëndrimeve të prera të diplomacisë amerikane, e cila kërkon me urgjencë heqjen e tarifës 100%, të ultimatumeve të opozitës për mos heqjen e saj dhe të premtimeve për futjen e reciprocitetit me Serbinë, Qeveria e Albin Kurtit duhet të gjejë një zgjidhje që nuk do ta dëmtonte ardhmërinë e Kosovës. Por zgjidhja nuk mund të gjendet duke qëndruar vetëm në Prishtinë.

Administrata e zotit Trump ka nevojë ta dëgjojë më afër shqetësimin e Prishtinës zyrtare lidhur me pozicionin e saj dhe kjo mund të bëhet nëse një delegacion në krye me kryeministrin Kurti pa humbur kohë shkon në Uashington. Gjithmonë kontaktet direkte dhe bisedat e gjalla kanë qenë më të frytshme, prandaj diplomacia e Kosovës duhet ta rikthejë famën e dikurshme të lobimeve, duke qenë më aktive në paraqitjen e qëndrimeve që burojnë nga interesat e popullit të Kosovës, por edhe nga interesat gjeopolitike, ku fqinjësia dhe bashkëpunimet rajonale do të ishin në frymën e proceseve integruese euro-atlantike.

Me siguri Presidenti Trump ka nevojë ta dëgjojë me veshët e tij kryeministrin Albin Kurti se cili është vizioni i këtij të fundit për tejkalimin  problemeve të hapura me Serbinë, dhe natyra e takimeve të tilla e kanë peshën më domethënëse kur ato zhvillohen në frymën e mirëkuptimit ndaj gjithë atij kontributi kolosal që ka dhënë Amerika për kauzat shqiptare në Ballkan.

Besimi i palëkundur i Kosovës ndaj Amerikës duhet të jetë kauza e saj kryesore kur janë në pyetje temat  vështira, sidomos ato që kanë të bëjnë me Serbinë.

Para se të merr çfarëdo lloj vendimi mbi këto çështje, kryeministri Kurti është mirë ta vizitoj Uashingtonin, sepse çdo vendimmarrje e tij pastaj do të ketë legjitimitet më të madh, si në raport me rivalët e tij politik në Prishtinë, ashtu edhe në raport me Serbinë.

Prishtinë, 13 shkurt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar pasditen e sotme me…