“Podrumi” i Albin Kurtit dhe mohimi i shtetndërtimit të Kosovës

20 maj 2026 | 16:16

Shkruan: Ilir Gashi

Nihilisti Albin Kurti deklaroi se “Kosovën e gjeta në podrum”. Një konstatim jo vetëm fyes, por edhe mohues për të gjithë ata që sakrifikuan, luftuan dhe kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kur Albin Kurti u arrestua në banesën e tij duke lexuar gazeta, Kosova ndodhej nën aparteid serb dhe në prag të shfarosjes. Kur u lirua me vendim të presidentit serb Vojislav Koshtunica, Kosovën e gjeti të çliruar nga Serbia, falë gjakut të dëshmorëve, luftës së UÇK-së dhe angazhimit të aleatëve ndërkombëtarë.

Kur e formoi lëvizjen KAN, institucionet dhe partitë kryesore politike të Kosovës po përgatiteshin për fazën finale të negociatave me Serbinë. Kur KAN u shndërrua në VV, partitë politike e veçmas PDK – kishin marrë përgjegjësinë e shtetndërtimit dhe qeverisjes së vendit.

Vetëm një muaj pas marrjes së qeverisë nga Hashim Thaçi, u shpall pavarësia e Kosovës, një akt historik që Albin Kurti jo vetëm se nuk e besonte, por shpesh e mohonte dhe e sulmonte. PDK e mori qeverisjen me rreth 500 milionë euro buxhet dhe e dorëzoi me mbi 3 miliardë euro.

Në kohën kur VV sulmonte flamurin, simbolet shtetërore dhe vetë shtetin e Kosovës, vendi po fitonte mbi 100 njohje ndërkombëtare. Kurti deklaronte se Kosova nuk do të kishte ushtri, por ushtria u bë realitet. Thoshte se Policia e Kosovës ishte “për keqardhje”, ndërkohë ajo vlerësohej si ndër më profesionalet në rajon.

Në kohën që ai e konsideron “podrum”, Kosova nën qeverisjen e PDK-së ndërtoi autostrada moderne, nuk la rrugë pa shtruar, ndërtoi spitale, shkolla e çerdhe, rriti paga e pensione, siguroi libra falas për nxënësit, krijoi lehtësira të jashtëzakonshme për bizneset dhe realizoi shumë projekte të mira për qytetarët. Ishte koha kur shteti konsolidohej, infrastruktura zhvillohej dhe Kosova fitonte subjektivitet ndërkombëtar.

Derisa militantë të frymëzuar nga gjuha e urrejtjes gjuanin me armë luftarake mbi institucionet, hidhej gaz lotsjellës në Kuvend dhe bëheshin përpjekje për atentate ndaj ish-kryeministrit, krijohej përshtypja para ndërkombëtarëve se Kosova ishte në një “podrum” të thellë. Por ky perceptim nuk vinte nga realiteti i Kosovës, vinte nga retorika destruktive e një pseudo-populisti si Albin Kurti.

Në të vërtetë, vetë Kurti kishte mbetur në podrumin e mendësisë së vjetër, sepse i kishte ikur ora e historisë. Ndërsa shteti zhvillohej, ndërtohej dhe forcohej, ai vazhdonte të qëndronte në kënetën e injorancës politike, i kapur pas një mentaliteti bllokues, ku asfaltin e sheh pengesë për ecje dhe kënetën e quan vend ideal për të notuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksion i koordinuar i Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë…