NA FAL, KAMPION, na fal KAMPION sepse ne nuk dimë..!

20 maj 2026 | 20:43

Shkruan: Astrit Gashi 

Si pasardhës i të pamposhturit Lekës së Madh, ne shqiptarët gjithmonë kemi lindur njerëz që sfidojnë perandoritë dhe e bëjnë botën të përkulet para talentit, guximit dhe krenarisë sonë.

Në histori kemi pasur luftëtarë që fituan beteja me shpatë, ndërsa në kohët moderne patëm burra si Shaban Tërstena që pushtuan botën me forcën e karakterit, disiplinës dhe krenarisë kombëtare.

Sot pata një nga ato takime që ndodhin vetëm një herë në jetë. Takova idolin tim, legjendën shqiptare të mundjes, kampionin olimpik dhe botëror njeriun që ngriti kombin tonë në majat më të larta të sportit botëror.

Teksa bisedoja me të, para syve më riktheheshin si film vitet e fëmijërisë sime… sigla e “E diela sportive”, kronikat sportive në RTP dhe ato pamje të pavdekshme kur Shabani festonte fitoret e tij me ato sallto fantastike, që për ne ishin më shumë se sport ishin shpërthim krenarie kombëtare.

Më dukej sikur po dëgjoja sërish zërin e komentatorëve që shpërthenin nga emocioni pas çdo triumfi të tij. Ishin momentet më të bukura që një fëmijë shqiptar mund të përjetonte në atë kohë, momente që na bënin të ndiheshim të barabartë me botën, krenarë dhe të pathyeshëm.

Dhe sot, në Shkupin dardan,fale mikut tim Arsim Fejzullahi pata fatin ta takoj nga afër sportistin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave. Minutat kalonin si sekonda. Nuk ngopesha duke e dëgjuar. Doja të kuptoja si kishte mundësi që një shqiptar, në kushte jo të mira, pa përkrahjen që meritonte, me sakrifica të jashtëzakonshme, të arrinte të mposhtte perandoritë e botës.

Ai nuk fitoi rastësisht. Fitoi medaljen e artë olimpike në Los Anxhelos më 1984, duke u bërë një nga emrat më të mëdhenj të sportit botëror. Katër vite më vonë, në Seul, ai fitoi medaljen e argjendtë olimpike, ndërsa gjatë karrierës u shpall disa herë kampion botëror dhe europian. Ishte një luftëtar që vinte nga një popull i vogël, por me zemër të madhe. Çdo fitore e tij ishte fitore e dinjitetit shqiptar.
Teksa e dëgjoja të tregonte rrugën e tij drejt Olimpit, nuk munda t’i përmbaj emocionet. Në sytë e tij edhe sot nuk shihja lodhjen pas asaj sakrificë, dicipline shihja dhe krenarinë e një njeriu që nuk u dorëzua kurrë. Dhe pyesja veten me dhimbje:

Pse ne shqiptarët nuk dimë t’i vlerësojmë gjigantët e vet ?

Pse nuk ka një shtatore në zemër të Shkupit?

Pse asnjë qeveri e Shkupit, Prishtinës e Tiranës nuk mendoi që një personalitet i tillë të drejtonte sportin?

Pse shpesh harrojmë njerëzit që i dhanë kombit tonë lavdi kur bota na shihte me paragjykim?
Sot ishte dita më e lumtur e këtij viti për mua. Sepse nuk takova vetëm një kampion. Takova një epokë. Takova kujtimet e fëmijërisë sime. Takova krenarinë shqiptare të gjallë.
Dhe kur u ndamë, e kuptova se disa njerëz nuk janë thjesht sportistë. Ata janë histori, frymëzim dhe identitet i një kombi. Shaban Tërstena është njëri prej tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për presidente nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës,…