Në Maqedoninë e Veriut, identiteti kombëtar mbrohet nga gjuha shqipe e jo nga përkatesia fetare
Shkruan: Ibrahim Gashi
Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjuha shqipe ka qenë historikisht elementi themelor i identitetit kombëtar, më shumë sesa përkatësia fetare. Kjo nuk nënkupton se feja nuk ka rëndësi, por se gjuha ka shërbyer si ura që ka bashkuar shqiptarët përtej dallimeve fetare, politike dhe krahinore.
Shqiptarët janë një nga popujt e rrallë në Ballkan ku identiteti kombëtar është ndërtuar kryesisht mbi gjuhën dhe kulturën, e jo mbi mbi atribute tjera, e as mbi fenë. Brenda kombit shqiptar bashkëjetojnë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, por të gjithë ndajnë të njëjtën gjuhë, histori dhe trashëgimi kulturore. Pikërisht kjo ka bërë që gjuha shqipe të jetë simboli më i fortë i unitetit kombëtar.
Në Maqedoninë e Veriut, ruajtja dhe përdorimi i gjuhës shqipe ka qenë një betejë politike dhe kulturore për dekada. Të drejtat për arsimim në shqip, përdorimin institucional të gjuhës dhe përfaqësimin kulturor nuk kanë qenë vetëm çështje komunikimi, por çështje ekzistence dhe dinjiteti kolektiv. Një komunitet mund të ndryshojë bindje fetare gjatë historisë, por humbja e gjuhës shpesh nënkupton humbjen graduale të identitetit kombëtar.
Rilindësit shqiptarë e kanë kuptuar këtë shumë herët. Motoja e famshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, e lidhur me Pashko Vasa, shpreh pikërisht idenë se mbijetesa kombëtare e shqiptarëve varej nga uniteti përmes gjuhës dhe kulturës, jo nga ndarjet fetare. Në një rajon ku feja shpesh është përdorur si instrument politik për ndarje etnike, shqiptarët kanë mbijetuar si komb sepse kanë ruajtur gjuhën.
Sot, për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjuha shqipe mbetet themel i arsimit, kulturës, identitetit dhe pjesëmarrjes së barabartë në shtet. Ajo është kujtesë historike, mjet emancipimi dhe garanci për vazhdimësinë kombëtare. Feja është çështje personale dhe shpirtërore; gjuha është trashëgimi kolektive dhe shtylla që mban gjallë identitetin e një populli.



