Atletico synon shkëputjen, Reali rikthimin në garë

07 mars 2021 | 09:53

Primera Division bëhet gati për të hyrë në pjesën e tretë dhe të fundit të edicionit të sivjetshëm të kampionatit dhe tani pak a shumë të gjithë po mësohen me idenë se Atletiko e Madridit është pranë titullit të dytë në këtë çerek shekulli në ligën spanjolle. Gjithçka lidhet ngushtë me emrin e trajnerit Diego Simeone, i cili ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore historinë e bardhekuqve në të gjithë kompeticionet. El Cholo është arkitekti i sukseseve që kanë arritur Los Colchoneros përgjatë dekadës së fundit, madje 50-vjeçari nga Buenos Airesi bashkë me skuadrën e tij është vetëm pak muaj larg, një titulli që për shumë vetë dukej i paimagjinueshëm në gadishullin iberik.

Kjo fundjavë ofron derbin e zjarrtë të kryeqytetit spanjoll, me dy ekipet që për momentin ndahen nga vetëm 5 pikë në klasifikimin e përgjithshëm, por skuadra “rojiblanco” ka edhe një ndeshje për të rikuperuar në kalendar, kundrejt dy gjigantëve të tjerë të kampionatit, pra Realit dhe Barçës. Los blancos janë shndërruar në makth për Simeonen dhe për hir të së vërtetës dy humbjet më të rënda në histori Los Colchoneros i kanë pësuar pikërisht nga klubi merengues, që i ka mposhtur në dy finale në harkun e vetëm dy vjetëve në Champions. Fillimisht në “da Luz” të Lisbonës në vitin 2014 pas kohës shtesë dhe vetëm dy vjet më vonë në “San Siro” të Milanos, ku Reali ia doli për të fituar trofeun me veshë të mëdhenj pas gjuajtjes së 11-metërshave.

Sa për statistikë Diego Simeone si trajner ka fituar vetëm 12,5% të ndeshjeve ndaj Realit të Madridit të udhëhequr nga francezi Zinedine Zidane. El Cholo nuk njeh fitore në 9 sfidat e fundit me Realin në Primera Division, pasi numëron 5 barazime dhe 4 humbje, gjithsesi këtë herë trajnerit të mirënjohur argjentinas një barazim në derbi do t’i shijonte po aq sa edhe një fitore, duke patur parasysh faktin që me një rezultat të tillë do të mbante larg vetes një kundërshtar të drejtpërdrejtë.

Los colchoneros deri tani kanë përfituar në maksimum në Primera Division nga problemet e shumta të Realit dhe Barcelonës dhe për hir të së vërtetës përmbysje të tilla me diferenca kaq të mëdha në historinë e futbollit spanjoll nuk janë regjistruar ndonjëherë. Atletiko kishte një epërsi me dy shifra në tabelën e renditjes, megjithatë ngjeshja e kalendarit reflektoi edhe një lloj rënie të kuptueshme në rezultate. Goli i pësuar në shtëpi në fund të takimit i hoqi formacionit rojiblanco 2 pikë në sfidën me Celta-n, më pas u regjistrua barazimi me Levanten jashtë fushe, ndërsa tre ditë më vonë ekipi i Simeones dështoi sërish për të mundur skuadrën valenciane, madje më datën 20 shkurt Atletiko pësoi në mënyrë të papritur edhe humbjen e parë dhe të vetme brenda në “Wanda Metropolitano”, ndonëse vendasit tentuan plot 28 herë portën e Levantes.

Pavarësisht pikëve të humbura gjatë muajit të fundit, kampionati i Atletikos konsiderohet i shkëlqyer, duke marrë në konsideratë faktin që përveç Levantes në 24 ndeshjet e deritanishme disfatën tjetër ekipi i Simeones e ka pësuar pikërisht në derbi. Në fazën e parë Reali u paraqit në duelin me Atletikon me plot 3 humbje në 7 takimet e asaj periudhe në të gjithë kompeticionet, sidoqoftë në mesin e muajit dhjetor los blancos zhvilluan një ndër ndeshjet më të mira të sezonit dhe për rrjedhojë fituan 2-0, me nga një gol për çdo pjesë.

Edicionin e kaluar Reali fitoi titullin me 17 pikë diferencë kundrejt Atletikos, që e mbylli sezonin në vendin e tretë, megjithatë ndaj ekipit merengues duket sikur skuadra rojiblanco ka një lloj ngërçi psikologjik, pasi humbja në stadiumin “Alfredo di Stefano” ishte e para pas plot 26 ndeshjeve pa humbje në Primera Division për los colchoneros. Një sukses në derbin e ditës së diel do ta shndërronte Diego Simeonen në trajnerin më të suksesshëm në historinë e Atletikos. Deri tani Simeone dhe Aragones janë në kuotë të barabartë 308 fitore, por trajnerit Luis Aragones i janë nevojitur plot 612 ndeshje për të arritur një kuotë të tillë, ndërsa tekniku argjentinas e ka arritur këtë rendiment me 100 sfida më pak, pra vetëm 512 takime.

Reali do të zbresë në stadiumin “Wanda Metropolitano” pas tre fitoreve radhazi jashtë fushe dhe larg Madridit ekipi i drejtuar nga trajneri Zinedine Zidane nuk njeh humbje prej katër muajsh, që nga disfata 4-1 në “Mestalla” ku Valencia përfitoi nga tre 11-metërsha dhe një autogol. Kampionët në fuqi nuk do të kenë futbollistët të rëndësishëm si Sergio Ramos, Daniel Carvajal, Mariano Diaz apo dhe Eden Hazard, ndërsa në lidhje me golashënuesin më të mirë të ekipit Karim Benzema që vazhdon të ketë ende probleme fizike, Zizou deklaroi se nuk ka ndër mend të rrezikojë dhe në fushë do të luajnë pikërisht ata futbollistë që ndihen 100%.

Atletiko përfaqëson sulmin e dytë më të mirë të ligës spanjolle me 47 gola në 24 takime, teksa 1/3-ën e këtyre golave bardhekuqtë i kanë shënuar nëpërmjet 34-vjeçarit uruguaian Luis Suarez dhe trajneri Simeone do t’i ketë të gjithë në dispozicion, madje edhe vetë mbrojtësin e djathtë Kieran Trippier që në muajin dhjetor u dënua nga një panel i Football Association me 10 javë dhe 70.000 stërlina. Derbi i Madridit do të mbahet në orën 16:15 në Stadiumin “Wanda Metropolitano” dhe do të drejtohet nga kryesori Alejandro Hernandez, sidoqoftë Atleti nuk fiton prej plot pesë vjetësh në këtë duel, më saktë që nga 27 shkurti i vitit 2016 kur bardhekuqtë e mundën Realin e Zidane-t falë një goli të shënuar në fillimin e pjesës së dytë nga sulmuesi francez Antoine Griezmann. /SS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundi i marsit pritet ta gjejë Kosovën me qeveri të…