Auditori kërkon nga komunat që të përmirësojnë procesin e menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale

27 maj 2021 | 22:50

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar të enjten raportin e auditimit të performancës “Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale për vitin fiskal 2019”. Granti është bashkëfinancuar nga Fondacioni Zviceran në Kosovë/Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Qëllimi i këtij auditimi ka qenë  të vlerësoj nëse shpenzimet dhe menaxhimi i projekteve nga Granti janë në harmoni me kërkesat e donatorëve dhe nëse kanë arritur rezultatet e synuara.

Subjekt i auditimit kanë qenë grantet e dhëna nga Ministria  e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunat: Prizren, Gllogoc, Vushtrri, Viti, Shtërpcë dhe Obiliq.

Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet e audituara në përgjithësi  kanë aplikuar procedurat e prokurimit në fuqi, ashtu siç parashihet me kërkesat e këtij Granti: fondet e ndara janë shpenzuar për projektet kapitale dhe për qëllimin e kontraktuar, dhe qytetarët janë shprehur të kënaqur me investimet e bëra në kuadër të këtyre projekteve.

Megjithatë, auditimi ka nxjerrë në pah disa mangësi që duhet të përmirësohen për të maksimizuar përfitimin nga Grantet.

Një prej këtyre mangësive është mungesa e një  procesi standard të pranimit të kërkesave nga qytetarët, shqyrtimit të tyre dhe prioritizimit të nevojave për investime komunale.

Gjithashtu inicimi i procedurave të prokurimit është bërë me vonesë. Operatorëve Ekonomik nuk i janë ofruar kushtet e përshtatshme për  punë, si dhe ka pasur rast kur operatori nuk ishte i përgjegjshëm ndaj kontratës.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se Granti i Performancës Komunale në përgjithësi ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike dhe ka arritur qëllimin e tij kryesor duke ofruar shërbime më të mira komunale për qytetarët, mirëpo komunat e audituara duhet të shtojnë vëmendjen në procesin e monitorimit të menaxhimit të kontratave për të maksimizuar rezultatet e synuara.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar komunat e audituara të përmirësojnë  procesin e menaxhimit të këtyre projekteve, duke filluar me inicimin e procedurave të prokurimit me kohë deri te përfundimi i projekteve brenda kohës së kontraktuar.

Ky auditim është realizuar në kuadër të marrëveshjes në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, (përmes Decentralizimit dhe Përkrahjes Komunale).

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:

https://bit.ly/3wF4FeG

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shkarkimin e…