Auditorja e përgjithshme: Ende ekzistojnë parregullsi në menaxhimin financiar dhe kontrolle

12 maj 2022 | 15:09

Mangësitë e identifikuara nga auditimet po përsëritën çdo vit, dhe ky është një tregues se përkushtimi i institucioneve në zbatimin e rekomandimeve nuk është në nivel të kënaqshëm.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mbajtur të enjten konferencë për medie, në të cilën ka prezantuar trembëdhjetë raporte të auditimit për sezonin auditues 2021/22, prej të cilave njëmbëdhjetë auditime financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe dy auditime të performancës.

Para gazetarëve, Spanca ka prezantuar gjetjet kryesore për raportet e auditimit për komunën e Gjilanit, Skenderajt, Vushtrrisë, Kamenicës, Graçanicës, Zveçanit, Shtërpcës, Mitrovicë së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Novobërdës.

Po ashtu në këtë konferencë është prezantuar edhe raporti i auditimit për Ministrinë e Ekonomisë, si dhe dy raportet e auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës” dhe “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”.

Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se në 11 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë dhënë nëntë opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara dhe dy opinione të pamodifikuara.

“Arsyet kryesore pse opinioni i auditimit është kualifikuar kanë qenë, për shkak se pasqyrat vjetore financiare përmbajnë keqdeklarime materiale. Këto keqdeklarime, kryesisht kanë të bëjnë me regjistrimin dhe raportimin jo të saktë dhe jo të plotë të pasurive jofinanciare, shpalosjet jo të plota dhe jo të sakta për llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontigjente si dhe keqklasifikimet e shpenzimeve në kategori (kode) të caktuara ekonomike”, ka deklaruar Spanca.

Përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, me ç’rast rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se këto mangësi të identifikuara në këto auditime po përsëritën çdo vit, dhe ky është një tregues se përkushtimi i institucioneve në zbatimin e rekomandimeve nuk është në nivel të kënaqshëm.

Ajo ka ftuar krerët e organizatave buxhetore që të ndërmarrin veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e auditimit dhe të ofrojnë sigurinë e nevojshme që paraja publike të shpenzohet në përputhje me ligjin dhe për qëllimin e synuar.

“Ftojë të gjitha institucionet e audituara që raportet e auditimit, në veçanti rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si një kontribut serioz më qëllim kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre. Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë se shërbimeve të ofruara”, ka theksuar Spanca.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skënder Berisha Një qytetar, me edukim mesatar, me standard mesatar…