
Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e 96 auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten në konferencë për media prezantoi rezultatet e auditimit për 96 institucione publike për sezonin auditues 2024/2025. Nga 96 raportet e publikuara, 49 janë të nivelit qendror, 38 nivelit lokal si dhe nëntë të ndërmarrjeve publike.
Znj. Spanca theksoi se për 42 institucione publike janë dhënë opinione të pamodifikuara, prej tyre 34 të niveli qendror, shtatë komuna, si dhe një për ndërmarrje publike.
Përderisa, për 50 institucione tjera, Auditorja e Përgjithshme bëri me dije se janë dhënë opinione të kualifikuara, prej tyre 15 të nivelit qendror, 31 komuna si dhe katër për ndërmarrjet publike. Ndërsa, për katër ndërmarrje publike është dhënë opinion i kundërt.
Znj. Spanca tregoi se ZKA-ja përveç opinionit të auditimit ka dhënë edhe konkluzionin e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, ku për 96 institucione janë dhënë 33 konkluzione të pa modifikuara, 60 konkluzione të modifikuara, si dhe tri konkluzione të kunderta.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i njoftoi gazetarët se për të gjitha këto auditime janë dhënë gjithsej 765 rekomandime, prej tyre 413 për nivelin lokal, 194 për nivelin qendror, si dhe 158 për ndërmarrjet publike.
“Pavarësisht rekomandimeve të dhëna, rezultatet e auditimit tregojnë se cilësia e raportimit financiar dhe ekzekutimit të buxhetit ende nuk është e mirë. Në raport me vitin e kaluar kjo cilësi është përkeqësuar më tej, sidomos tek niveli lokal ku në vitin 2023 janë dhënë 23 opinione të kualifikuara, përderisa në vitin 2024 janë dhënë 31 opinione të kualifikuara për komuna”, deklaroi znj. Spanca.
Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme në konferencën për media:
Duke u kujdesur që të siguroj përmbushjen e parimeve bazë të funksionimit të Institucionit Suprem të Auditimit, atë të “transparencës dhe llogaridhënies”, e kam ftuar këtë konferencë për media sot, për të sjellë para jush informacionet e fundit të rezultateve të auditimit për sezonin auditues 2024-2025.
Por, fillimisht më lejoni të shpreh falënderimin tim të sinqertë për angazhimin tuaj me mjaftë përkushtim dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm, e veçanërisht atë që dëshmuat që nga fillimi i këtij qershori, për të prezantuar në nivel të lartë, korrekt dhe mjaftë gjithëpërfshirës rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të publikuara kohëve të fundit, por edhe më herët. Në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme, ku Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar, ju keni qenë zëri ynë i fuqishëm, duke publikuar 195 artikuj që kanë ndriçuar në mënyrë të detajuar rezultatet tona rreth menaxhimit të parasë publike.
Ashtu siç ju kemi informuar në konferencën paraprake për media për këtë vit, në planin auditues kemi planifikuar kryerjen e gjithsej 139 auditime të llojeve të ndryshme, si: financiare, pajtueshmërisë, performancës dhe teknologjisë së informacionit.
Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit përcakton se në baza vjetore kemi obligim që deri me 30 qershor të përfundojmë auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë për të gjitha Organizatat Buxhetore (OB) gjithsej 96 sosh. Sot, ju informoj se kemi arritur që brenda këtij afati t’i realizojmë auditimet dhe publikojmë raportet për të gjitha OB-të.
Nga 96 raportet e publikuara, 49 janë të nivelit qendror, 38 nivelit lokal/komuna si dhe nëntë (9) të ndërmarrjeve publike.
Në këto raporte janë dhënë 42 opinione të pamodifikuara – të pastra (34 të niveli qendror, shtatë (7) të ai lokal, si dhe një (1) për Ndërmarrje Publike – Telekomi).
Po ashtu janë dhënë 50 opinione të kualifikuara – jo të mira (15 niveli qendror, 31 komuna si dhe katër (4) për NP), si dhe katër (4) NP kanë opinion të kundërt – Trepça, KRU Hidrodrini, NP Uniteti – Mitrovicë dhe Termokosi.
Përveç, opinionit të auditimit për Pasqyra Financiare Vjetore, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë edhe konkluzionin në lidhje me pajtueshmërinë me autoritetin (ligjet dhe rregulloret), duke vlerësuar nëse procesi i ekzekutimit të buxhetit ka qenë në të gjitha aspektet materiale, në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar.
Duhet theksohet se për 96 institucione janë dhënë 33 konkluzione të pa modifikuara të pajtueshmerisë (të pastërta), prej tyre 32 janë në nivel qendror dhe një (1) në nivel lokal (Komuna e Mamushës).
Ndërsa janë dhënë 60 konkluzione të modifikuara – jo të mira, prej tyre 17 në nivel qendror, 35 në nivel lokal dhe tetë (8) në ndërmarrje publike.
Më duhet të theksoj se kemi dhënë edhe tri (3) konkluzione të kunderta (Komuna e Prishtinës, Malishevës dhe NP Trepça).
Për të gjitha këto auditime kemi dhënë gjithsej 765 rekomandime. Prej tyre, numri më i madh është dhënë për nivelin lokal 413 rekomandime, për nivelin qendror 194, si dhe për Ndërmarrje Publike janë dhënë 158 sosh.
Vlen të theksohet se nga numri i përgjithshëm i rekomandimeve, 366 prej tyre janë të reja, 353 jenë rekomandime të përsëritura, si dhe 46 janë rekomandime pjesërisht të përsëritura.
Pavarësisht rekomandimeve të dhëna, komunikimeve të vazhdueshme me të gjitha nivelet e organizatave buxhetore të audituara, pastaj mbajtjes së takimit me Kryetarët e komunave, me DEMOS, OSBE, rezultatet e auditimit tregojnë se; cilësia e raportimit financiar dhe ekzekutimit të buxhetit ende nuk është e mirë. Në raport me vitin e kaluar kjo cilësi është përkeqësuar më tej, sidomos tek niveli lokal ku në vitin 2023 janë dhënë 23 opinione të kualifikuara, përderisa në vitin 2024 janë dhënë 31 opinione të kualifikuara për komuna.
Testimet tona të auditimit kanë nxjerrë në pah çështje të ndryshme, ndër të cilat ato më kryesore që kanë ndikuar në dhënien e opinionit të kualifikuar (jo të mirë) të auditimit për vitin 2024 për Nivelin Qendror janë:
- klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve ;
- regjistra jo të saktë të pasurive jo financiare;
- prezantim jo të saktë të llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve kontigjente ;
- nënvlerësim dhe mbivlerësimi i obligimeve ; si dhe
- pagesa e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë. Gjatë vitit 2024, në total për 101 zyrtarë janë paguar 691,050€. MMPHI për 62 zyrtar ka paguar gjithsej 465,568€, MKK për 19 zyrtarë ka paguar 112,558€ dhe MPB për 20 zyrtarë ka paguar 112,942€.
Ndërsa çështjet kryesore dhe sistematike që nuk ishin në pajtueshmëri me ligjin në nivelin qendror ishin tek investimet kapitale dhe subvencionet.
Tek investimet kapitale, po i përmendi disa:
- Menaxhimi jo i mirë kontratave;
- Ndryshim në sasi të paramasës pa aprovime paraprake dhe tejkalimi i pagesave për pozicione në kontratat në çmim për njësi ;
- Pagesa para pranimit të furnizimeve të veturave zyrtare ;
- Shpërblimi me kontratë i Operatorëve Ekonomik të papërgjegjshëm ;
- Vonesa në trajtimin e lëndëve të ankesave nga ekspertët shqyrtues – si shkak i mos marrjes me përgjegjësi të plotë të detyrave nga ekspertët shqyrtues; dhe
- Mangësi të tjera në fushën e prokurimit.
Në kategorinë e subvencioneve dhe transferëve kanë ndikuar:
- Përfitimi i më shumë se 1 pensioni në skema pensionale për shkak të mungesës se interpretimit përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale;
- Vonesa në arsyetimin e subvencioneve – si pasojë e mungesës së mekanizmave adekuat për monitorim të përfituesve;
- Mos respektimi i kritereve për subvencionimin e NVM-ve – si pasojë e kontrolleve jo efektive e komisioneve monitoruese në kuadër të MINT;
- Mos funksionalizimi i projektit për sistemin e ujitjes në komuna nga buxheti i subvencioneve dhe transfere si rezultat i problemeve në planifikim – në mungesë të analizave të mirëfillta nga Komunat përfituese;
- Në mungesë të kufizimeve teknike në sistem elektronik të subvencionimit të librave shkollor ka rezultuar që të përfitojnë individ të cilët nuk i plotësojnë kriteret;
- Vonesa në realizimin e pagesave për grante në bujqësi- ku shkak i kësaj ishte mungesa e një sistemi efektiv i kontrolleve në menaxhimin e pagesave.
Mangësi të tjera të rëndësishme, po ashtu janë:
- Vonesa në pagesat e obligimeve të papaguara;
- Tejkalim i afateve ligjor me ushtrues detyre (60 raste në MKRS, 15 në ZP, 22 në MASHTI etj);
- Avance të hapura të udhëtimeve zyrtare dhe mangësi në shfrytëzimin e kredit kartelës.
- Angazhimi i 153 konsulentëve nga MKRS me marrëveshje për shërbime të veçanta përmes procedurave të prokurimit për pozita të rregullta, si zyrtar administrativ, ligjor, financave, arkivit, IT, vozitës, etj.
Përveç çështjeve të prezantuara më lartë, OB kanë bërë edhe disa hapa pozitiv sa i përket regjistrave të pasurisë, ku vlen të përmendet, bazuar në rekomandimin e dhënë nga ZKA, MBPZHR, ka nënshkruar kontratë për vlerësimin financiar të pronave dhe aseteve të paluajtshme të Institutit Bujqësor të Kosovës dhe se si rezultat i kësaj 123 prona janë regjistruar.
Në nivelin lokal, ZKA ka audituar 38 komuna dhe një ndër faktorët kyç që ka ndikuar në dhënien e opinioneve të kualifikuara janë mangësitë në regjistrat e pasurive, si dhe keqklasifikimi i shpenzimeve i cili ishte rezultat i zbatimit të kontratës kolektive.
Duhet theksuar se pasojat e kontratës kolektive viteve të fundit po reflektohen, jo vetëm në shpenzimin e buxhetit dhe kostot shtesë gjyqësore dhe përmbarimore, por po ndikojnë edhe në modifikimin e opinioneve të komunave.
Në 14 komuna, keqklasifikimi ka qenë faktor përcaktues në kualifikimin e opinionit të auditimit.
Totali i shpenzimeve përmes vendimeve gjyqësore/përmbarimore në nivel lokal ishte rreth 85 milionë euro, ku prej tyre rreth 80% rrjedhin nga kontrata kolektive.
Ndërsa, çështjet kryesore dhe sistematike që kanë të bëjnë me papajtueshmërinë me ligjet dhe rregulloret, janë:
- Hyrja në obligime kontraktuale pa mjete financiare për projekte milionëshe,
- Aplikim i procedurave të prokurimit me negocim, jo në përputhje me Ligjin
- Parregullsi në menaxhimin e kontratave, me theks, pagesa për punë të pa kryera, të cilat edhe janë pranuar nga mekanizmat përkatës;
- Vonesa në realizimin e shumë projekteve të kontraktuara;
- Vonesa në realizimin e pagesave ndaj operatorëve ekonomikë;
- Ndryshimet buxhetore për projekte kapitale pa aprovimin e Kuvendit Komunal;
- Shmangie nga procedurat e prokurimit publik;
- Mangësi të tjera të cilat për shkak të kohës nuk mund t’i përmendi të gjitha;
- Mangësi në dhënien e subvencioneve, qoftë nga Kryetari i Komunës apo Kuvendi komunal; si dhe
- Kontrolle të dobëta në menaxhimin e pasurisë jo financiare.
Vlen të theksohet se komunat ku janë evidentuar çështjet e shumta të mos pajtueshmërisë janë: Komuna e Prishtinës, Malishevës, Prizrenit, Suharekës, Graçanicës, Fushë Kosovës, Lipjanit, Pejës, Vushtrrisë, Gjilanit, etj.
Për shkak të konkluzioneve të kundërta të dhëna, para jush po shpalos disa nga gjetjet kryesore të Komunës së Prishtinës dhe Malishevës.
- Siç edhe ju keni raportuar më herët, në Komunën e Prishtinës kemi vërejtur:
- Aplikim i procedurave të prokurimit me negocim nuk është bërë në përputhje me Ligjin për prokurim publik (LPP) në tri raste, si:
- Komuna ka zhvilluar procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratën “Ofrimi i makinerisë shtesë për shërbimin e grumbullimit, transportimit dhe deponimit të mbeturinave komunale” në vlerë prej 1,000,000€, ndonëse nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e kësaj procedure.
- Komuna kishte lidhur kontratë të negociuar “Ndërtimi i strehimores për qentë endacak në vlerë prej 410,000€, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës. Arsye për përdorimin e kësaj procedure ishte paraqitur një situatë emergjente lidhur me rrezikun që paraqesin qentë endacakë për qytetarët.
- Po ashtu, përmes procedurës se negociuar pa publikim të njoftimit, Komuna kishte lidhur kontratën “Renovimi i institucioneve edukativo-arsimore – Byfetë” në vlerë prej 849,306€. Si arsyetim për përdorimin e kësaj procedure është përdorur vendimi i Kryetarit të Komunës, i datës 29.07.2024, për miratimin e programit të mësimit tërëditor në pesë shkolla të Prishtinës.
Kontraktimi dhe pagesat në formë të paradhënies në kundërshtim me Ligjin e prokurimit dhe Ligjin e buxhetit – Komuna ka hyrë në marrëveshje kontraktuale me UNDP-në për të realizuar projektet:
- Ndërtimi i Sallës multifunksionale (Tulltorja); dhe
- Sallës koncertale të ish objekti i Gërmisë.
Këto projekte janë planifikuar të përfundojnë me 31 gusht të vitit 2025. Komuna, në kundërvlerë të projektit i ka transferuar në formë parapagimi vlerën financiare prej 5,120,000€. Përderisa, sipas një raporti të progresit të UNDP-së, kjo e fundit do të participonte me vetëm 100,000€, vlerë e cila nuk ishte e përfshirë fare në marrëveshje. Për më tepër, menaxhimi dhe përgjegjësia e zbatimit të procedurave të prokurimit i ishte ngarkuar UNDP-së.
Kjo marrëveshje, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Ligjin e Buxhetit për vitin 2024 për shkak se Komuna kishte deleguar të gjitha përgjegjësitë për zhvillimin e procedurave të prokurimit tek UNDP, por edhe kishte transferuar në formë të parapagimit të gjitha fondet tek UNDP. Për më tepër, transferimi i fondeve ishte zhvilluar në mungesë të raporteve të pranimit të furnizimeve, punëve dhe shërbimeve në vlerë të përgjithshme prej 5,120,000€.
Ndryshimet buxhetore për projekte kapitale pa aprovimin e Kuvendit Komunal-kemi vërejtur në 17 pagesa të investimeve kapitale, me vlerë totale 3,400,807€ për të cilat fondet janë marrë nga projekte të tjera të aprovuara me ligjin e buxhetit.
Për dallim nga viti i kaluar, edhe Komuna e Malishevës ka mospajtueshmëri të shumta me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
- Komuna kishte hyrë në obligime kontraktuale në mungesë të fondeve të mjaftueshme në katër kontrata, me ç’rast vlera e obligimeve kontraktuale pa mbulesë ishte 1,102,644 euro.
- Po ashtu Komuna ka pasur edhe shmangie të procedurave të prokurimit duke lidhur marrëveshje bashkëpunimi në vlerë 52,360 euro me Organizatën Jo Qeveritare “Agjencioni i Zhvillimit Rajonal – Jugor” nga e cila nuk mund të matej dhe dokumentohej përftimi i komunës.
- Tjetër çështje që duhet të theksohet është se në tri kontrata kornizë ishte bërë tejkalimi i vlerës së përgjithshme të kontraktuar për 195,890 euro dhe në nëntë pozicione ishin tejkaluar përqindjet e peshëve të përcaktuar në dosje të tenderit/kontratë, që kishin rezultuar me shpenzime shtesë.
Ndërmarrjet Publike:
Të nderuara media,
Përveç auditimeve në nivel qendror dhe lokal, kemi kryer edhe auditimin e nëntë (9) Ndërmarrjeve Publike.
Arsyet e dhënies së opinionit të kundërt dhe të kualifikuar për këto NP janë:
- Mangësitë në regjistrim dhe mos përditësim të pasurive, mos rivlerësimi i pasurive, mungesa e dokumentacionit të pronësisë, etj;
- Mungesa e harmonizimit të regjistrave të stoqeve me inventarizimin fizik, dobësi ne prezantim te vlerës se stoqeve;
- Mos provizionimi i llogarive të arkëtueshme tregtare dhe mos harmonizimi në mes të shënimeve kontabël të llogarive të arkëtueshme dhe letër konfirmimeve, pagesat dhe arkëtimet të konsumatorëve të paidentifikuar;
- Mos harmonizimi në mes të shënimeve kontabël të llogarive të pagueshme dhe letër konfirmimeve dhe dëshmive mbështetëse;
- Prezantimi jo i plotë i informacioneve shpjeguese, prezantim jo i saktë i vlerës së parasë së gatshme dhe mospërputhje ndërmjet PFV-se dhe shënimeve kontabël (të hyrat e shtyra); si dhe
- Mos përputhja e detyrimeve tatimore në regjistrat kontabël me gjendjen e obligimeve në ATK dhe mos prezantim i saktë i obligimeve.
Ndërsa çështjet kryesor që kanë ndikuar në konkluzione të pajtueshmërisë janë:
- Mangësi në procesin e rekrutimit dhe ristrukturimit të ndërmarrje dhe mos përcaktim i kritereve për pozita qe konsiderohen të rëndësisë së veçantë me rastin e aplikimit të pakos për dalje vullnetare nga puna;
- Angazhimi i shërbimeve të auditimit nga auditori privat, për kundër faktit se ndërmarrja ishte subjekt i auditimit nga ZKA;
- Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë; si dhe
- Mangësi gjatë procesit të vendosjes së kritereve në dosje të tenderit,
Një gjendje më e rënduar është vërejtur tek Ndërmarrja Publike “Trepça”, ku do i theksoj disa çështje kryesor që kanë ndikuar në konkluzionin e kundërt të pajtueshmërisë si:
- Bordi Mbikëqyrës i Trepça Sh. A. nuk ka arritur t’i ushtroj kompetencat e veta në të gjitha njësitë biznesore të ndërmarrjes. Njësia Biznesore Minierat me flotacion Kopaonik- Leposaviç nga aspekti organizativ, rregullativ dhe financiar ka operuar jo në përputhje të plotë me kornizën ligjore;
- Ndërmarrja nuk ka kryer pagesat për tatimin në paga dhe kontributet që nga viti 2020, duke akumuluar detyrime prej 14,390,403€, përfshirë interesa dhe ndëshkime. Po ashtu, për rreth 104 punonjës në njësinë në Leposaviç nuk është bërë deklarimi në ATK, për shkak të mungesës së dokumentacionit të Republikës së Kosovës;
- Ndërmarrja kishte lidhur kontratë në vlerë prej 773,844€ me një operator ekonomik të pa licencuar për tregtim të derivateve. Po ashtu, kontrata ishte nënshkruar vetëm nga drejtori për blerje dhe shitje dhe drejtori i shërbimeve financiare, ndërkohë që, sipas LPP-së, nënshkrimi është dashur të bëhet nga Kryeshefi Ekzekutiv dhe zyrtarët tjerë të autorizuar;
- Negocimi i çmimit me operatorët ekonomik dhe shpërblimi me kontratë i operatorit ekonomik të pa përgjegjshëm; si dhe
- Dobësi në sistematizimin e vendeve të punës – Kemi identifikuar se 41 punonjës të cilët me kontrata janë të sistemuar në një vend pune të caktuar gjatë vitit 2024 ata kanë punuar në një vend tjetër pune në kuadër të njësisë biznesore.
Performanca
Përveç auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë, ZKA deri më tani ka publikuar edhe katër (4) auditime të performancës si:
- Menaxhimi i sektorit të ndërtimit në Prishtinë;
- Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos (Projekti i rehabilitimit të linjës 10 Hani i Elezit – Leshak);
- Sistemi elektronik “ASYCUDA” në Doganë; si dhe
- Menaxhimi i kontratës “Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në deponine sanitare dhe stacionet e transferit në Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë”.
Ndërsa priten të publikohen edhe nëntë (9) raporte të performancës deri në fund të gushtit të cilat janë:
- Licencimi i institucioneve parashkollore dhe mbikëqyrja e tyre;
- Efiçienca e Energjisë – BRE – Burimet e Ripërtëritshme Energjetike në KOSST;
- Mbrojtja, zhvillimi dhe ripërtëritja e hapësirave pyjore;
- Efektiviteti i sistemit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë;
- Parkingu nëntokësor në Malishevë;
- Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2019;
- Ndërtimi i objektit të Ortopedisë në QKUK;
- Platforma e shërbimeve online E-Kosova; si dhe
- Tatimi në pronë.
Adresimi i rasteve në Prokurori
Deri në muajin qershor 2025, për sezonën e auditimit 2024/2025, Zyra Kombëtare e Auditimit ka drejtuar informacion në Prokurorinë e Shtetit për gjithsej 11 raste, që lidhen me parregullsi të evidentuara në kuadër të raporteve të auditimit të performancës.
Për raportet e tjera të publikuara jemi në proces të analizës për identifikimin dhe adresimin e çështjeve me elemente të mundshme të veprave penale për këtë sezonë audituese, për të cilat do të njoftoheni në konferencat e ardhshme.
Të nderuara media,
Krejt në fund, dëshiroj të ftojë kryesuesit e institucioneve publike që rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si një kontribut serioz me qëllim kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre.
Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara.
Unë si Auditore e Përgjithshme zotohem se Zyra Kombëtare e Auditimit në përputhje me mandatin e përcaktuar kushtetues dhe ligjor do të jetë e gatshme të ndihmojë në adresimin sa më efikas të rekomandimeve të dhëna në të mirë të interesit publik.