Australia dhe Zelanda e Re lehtësojnë masat

28 prill 2020 | 11:43

Plazhet në Australi dhe në pjesë të Amerikës janë rihapur në vazhdën e politikave për t’i lehtësuar masat e rrepta të karantinës ndaj pandemisë. Në Zelandën e Re nuk ka më raste të reja me Koronavirus brenda popullatës vendëse.

Australia dhe Zelanda e Re janë nga të paktat vende që arritën ta kontrollojnë pa shumë pasoja përhapjen e Koronavirusit dhe tashmë kanë nisur ta lehtësojnë regjimin e masave të karantinës.

Mëngjesin e së martës, plazhi popullor i Bondit në Australi u hap për pushuesit dhe serfistët të cilëve prej javësh u mungonte lëvizja mbi dallgët e detit.

Qeveria australiane njoftoi se rihapja e ekonomisë vjen pasi shkalla e infeksioneve të reja është ngadalësuar, teksa numri i bartësve të Koronavirusit ka kaluar shifrën 6 700 dhe viktimat e sëmundjes mbi 80.

“Ishte shumë bukur të ktheheshim sërish në ujë. E kemi pritur që prej mbylljes së plazhit, tani me diellin e madh dhe ujin e qetë, është perfekte”, tregon një banor i Sidneit në Australinë Juglindore.

Më në lindje, ndërkohë, Zelanda e Re i dha fund karantinës njëmujore pasi arriti ta eliminojë tërësisht transmetimin e virusit përbrenda popullatës.

Në shtetin me gati 5 milionë banorë, raportohen më pak se 20 viktima dhe 1 400 të prekur nga Covid-19.

Autoritetet sërish apelojnë për kujdes teksa 400 mijë persona iu rikthyen punës së tyre normale.

“Na duhet të vazhdojnë të qëndrojmë në shtëpi sa të mundemi, edhe për punë ose arsimim. Kufizoni udhëtimet e panevojshme dhe mbajeni sa më të vogël rrethin tuaj të miqësisë”, udhëzoi kryeministrja zelandeze, Xhesinda Ardërn.

Plazhet ishin të hënën një nga destinacionet më të frekuentuara edhe për pushuesit e Paqësorit Verior në SHBA.

Në Teksas gjithashtu janë lehtësuar disi masat e vetizolimit për t’i dhënë frymë ekonomisë së goditur rëndë nga pandemia, por qendrat tregtare dhe bizneset ende qëndrojnë të boshatisura.

Në Amerikë, po shkon në 1 milion numri i të infektuarve me Koronavirus ndërsa 56 mijë persona kanë humbur jetën dhe mbi 26 milionë amerikanë të tjerë kërkuan në mars shpërblimin e papunësisë. /Ora News.tv/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grup shkencëtarësh italianë kanë konstatuar se Koronavirusi mund të…