Shkencëtarët italianë: Koronavirusi mund të bartet nga distanca të mëdha

28 prill 2020 | 11:37

Një grup shkencëtarësh italianë kanë konstatuar se Koronavirusi mund të bartet nga distanca të mëdha nëpërmjet grimave mikroskopike që ndotin ajrin, duke theksuar se nuk është rastësi që epidemia COVID-19 ka shpërthyer pikërisht në mjedise me ajër të papastër, raporton “CBS News”.

Për herë të parë që nga shpërthimi i epidemisë është shënuar numër më i madh i të shëruarve sesa i të sëmurëve nga COVID-19 në Itali. E derisa autoritetet po shqyrtojnë rikthimin e banorëve të Italisë nëpër punët e tyre, hulumtimet më të fundit paralajmërojnë për një rrezik tjetër lidhur me COVID-19, transmeton Telegrafi.

Në të vërtetë, virusi do të mund të ishte shumë më ngjitës sesa që është menduar. Sipas shkencëtarëve italianë, virusi është zbuluar në grimcat mikroskopike që ndotin ajrin e të cilat kryesisht koncentrohen në zonat industriale.

Në punimin e botuar në gazetën ndërkombëtare të kërkimeve mjedisore dhe shëndetit të popullatës, shkencëtarët u rekomandojnë të gjithë qytetarëve të bartin maska, sepse sipas tyre pa to distanca sociale prej dy metrave nuk është aspak e mjaftueshme.

Profesori Prisko Pishiteli nga Universiteti i Napolit së bashku me kolegët e tij, konsiderojnë se grimcat mikroskopike mund të bartin virusin në distanca të largëta. Ata kanë marrë shembull zonën industriale përreth qytetit të Milanos, ku besohet të jetë cilësia më e dobët e ajrit në Evropë. Megjithatë, është edhe një prej rajoneve me numrin më të madh të infektuarve dhe vdekurve nga COVID-19.

Sipas profesorit Leonardo Seti, nuk është rastësi që në mbarë botën  epidemia e Koronavirusit ua ka marrë jetën njerëzve kryesisht nëpër zona industriale siç është Wuhani dhe New Yorku.

Megjithatë, shkencëtarët kanë pranuar se nuk kanë mundur ta përcaktojnë saktë se deri në cilën masë është ngjitës virusi që bartet edhe përmes grimcave mikroskopike. Por, ata paralajmërojnë se zgjedhja e vetme mbetet forcimi i masave mbrojtëse – bartja e obligueshme e maskave, distanca sociale dhe zvogëlimi i ndotjes së ajrit.

Shkencëtarët, gjithashtu, kanë paralajmëruar se zonat industriale paraqesin përqindje më të madhe të rrezikut nga Koronavirusi. Ata theksojnë se nëse gjendemi në shoqërimin e personave tjerë, duhet të bartim maskë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i madh turk Galatasaray është duke u interesuar për…