Pritet themelimi i qendrave të testimit elektronik për arsimin parauniversitar

19 prill 11:11

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim ambasadorin austriak në Prishtinë, Gernot Pfandler, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes të Qeverisë së Austrisë dhe Qeverisë së Kosovës për marrëveshjet të cilat tani më janë ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për pesë komuna të Kosovës që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të këtyre komunave.

Gjithashtu ka biseduar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në financimin e themelimit të qendrave të testimit elektronik për arsimin para universitar në Kosovë, ku shteti austriak ka shprehur gatishmërinë të përkrah Kosovën në këtë fushë.

Me këtë rast, ministri Hamza ka theksuar përkushtimin e tij për mbështetjen e këtij sektori, me qëllim të avancimit të arsimit parauniversitar në Kosovë, ku sipas tij përfituesit më të mëdhenj do të jenë të rinjtë e Kosovës, të cilët janë potenciali më i madh në vend.

Ai gjithashtu ka thënë se Kosova është e gatshme që të krijojë kushte për të arritur marrëveshje me partnerët strategjikë, siç është Austria për avancimin e arsimit në Kosovë, si një ndër fushat më me prioritetet të Qeverisë.

Ndërsa, ambasadori austriak, Gernot Pfandler, e ka falënderuar ministrin Hamza për bashkëpunimin dhe ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të shtetit austriak për mbështetjen edhe në të ardhmen të institucioneve të Kosovës, veçanërisht gjetjen e mundësive të përkrahjes së projekteve të tilla të cilat ndikojnë në avancimin e të rinjve, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të…