Austria propozon ndihmë ushtarake të BE-së për kontrollime kufitare

30 gusht 2018 | 16:02

Austria ka propozuar të enjten angazhimin e forcave të armatosura të Bashkimit Evropian për t’iu ndihmuar rojeve kufitare të bllokut për të ndalur emigrantët pa dokumente.

Këto deklarata kanë ardhur teksa koalicioni i të djathtës ekstreme në Austri është duke kërkuar masa më të ashpra të kontrollit në territorin e BE-së.

Ministri austriak i Mbrojtjes, Mario Kunasek, ka vënë theks te plani i tij, gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Vjenë, cili është bazuar në një praktikë të së kaluarës kur ushtarët janë dërguar në kufi.

Ai ka thënë se sipas planit, ushtarët do të duhej të ishin nën kontrollin e policisë.

“Ne duhet të mbrojmë kufijtë tanë me efikasitet”, u ka thënë Kunasek gazetarëve pas takimit, duke thënë se ka pasur “diskutim pozitiv” për këtë propozim.

Disa qeveri në kuadër të BE-së kanë shprehur shqetësim, duke reflektuar ndasi në mes të shteteve anëtare rreth asaj se si të përballen me çështjen e migrimit.

Austria është e vendosur për të parandaluar përsëritjen e valës së emigrantëve të vitit 2015, me ç’rast më shumë se 1 milion emigrantë kanë arritur në Evropë nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme, raporton “Rel”.

Italia dhe Hungaria po ashtu kanë kundërshtuar ashpër politikën aktuale të BE-së për migrimin, duke urdhëruar mbylljen e shumicës së porteve prej nga mund të hyjnë emigrantët.

Mirëpo Gjermania dhe Estonia kanë qenë në mesin e vendeve që e kanë trajtuar me dyshim planin e Austrisë.

“Ka pak rrugë, madje edhe në baza teorike se si mund të angazhohet ushtria në zonat kufitare”, ka thënë ministri i Mbrojtjes së Estonisë, Juri Luik.

“Nëse nuk kemi konflikt ushtarak, gjithçka tjetër i mbetet policisë”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve, “Reuters”.

Komisioni Evropian ka propozuar rritjen e numrin të rojeve kufitare në BE, në 10 000 trupa, nga vetëm disa qindra sa janë tani, në kuadër të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar duke filluar nga viti 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar autoritetet…