Autobusët elektrikë pritet të dalin në rrugët e Prishtinës brenda 8 javësh, komuna i kërkon qeverisë ta heqë bllokadën

19 qershor 2026 | 12:32

Komuna e Prishtinës po vazhdon me planin për modernizimin e transportit publik urban, që përfshin futjen e autobusëve elektrikë dhe ristrukturimin e sistemit të Trafikut Urban. Ndërkohë, projekti ka nxitur edhe përplasje me nivelin qendror për çështje ligjore dhe financiare.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ka deklaruar se modernizimi i transportit publik është një proces i gjerë transformues dhe jo një ndërhyrje e izoluar.

“Kjo ngjarje e ditëve të fundit ka treguar një interesim dhe një entuziazëm jashtëzakonisht të madh të qytetarëve të Prishtinës. Ne e kemi për obligim t’ua bëjmë të qartë të gjithëve se ky nuk është një proces i veçuar, por një program i tërë i transformimit të transportit publik urban”, është shprehur Braha, duke theksuar se procesi përfshin riorganizimin e linjave, rritjen e frekuencës së qarkullimit dhe modernizimin e flotës.

Sipas tij, një pjesë e autobusëve të operatorëve privatë tashmë janë modernizuar dhe janë në qarkullim, ndërsa në proces janë edhe mjete të tjera.

“Janë modernizuar 26 autobusë të operatorëve privatë. Ka autobusë elektrikë, autobusë hibridë dhe autobusë dizel të standardit Euro 6”, ka deklaruar Braha, duke shtuar se edhe Trafiku Urban do ta shtojë flotën me autobusë të rinj, përfshirë edhe mjete elektrike.

Ai ka bërë të ditur se autobusët e rinj elektrikë ende nuk kanë mbërritur, por pritet të jenë në terren brenda pak javësh.

“Besoj se brenda tetë javësh mund të jenë në terren”, ka theksuar Braha.

Megjithatë, projekti është shoqëruar me përplasje me nivelin qendror. Braha ka deklaruar se Ministria e Financave ka bllokuar rreth 2 milionë euro të destinuara për blerjen e autobusëve, duke e cilësuar këtë veprim si pengesë për realizimin e projektit.

“Na janë ndalur 2 milionë euro për blerjen e autobusëve për Trafikun Urban. Ato janë të bllokuara pa asnjë të drejtë ligjore”, ka thënë Braha, duke shtuar se komuna do të vazhdojë me zbatimin e projektit pavarësisht pengesave.

Ai ka theksuar gjithashtu se reforma në transportin publik po realizohet me ekspertizë ndërkombëtare, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), si dhe në përputhje me praktikat dhe direktivat evropiane.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kundërshtuar projektin, duke e cilësuar atë si të papajtueshëm me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat.

Sipas Muratit, Komunës së Prishtinës i mungon baza e nevojshme procedurale për realizimin e projektit.

“Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon ligji në fuqi. Çfarëdo marrëveshje apo kontrate e nënshkruar në lidhje me këtë çështje është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko-Privat”, ka deklaruar Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ishin paraparë…