Komuna e Kamenicës siguron mbështetje financiare prej 150 mijë eurosh për Qendrën e Kompostimit

29 tetor 2026 | 14:06

Nënkryetarja e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija, së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për mbështetje financiare në vlerë prej 150,000 eurosh, me qëllim përfundimin e punimeve në Qendrën e Kompostimit në Kamenicë.

Nënkryetarja Bajralija, ka njoftuar qytetaret se kjo mbështetje financiare synon të mundësojë vazhdimin dhe përfundimin e punimeve në këtë qendër, e cila do të kontribuojë në menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave organike, reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në komunë.

Ajo po ashtu ka treguar se projekti po realizohet në bashkëpunim me organizatën sllovene CMSR, e cila ka mbuluar rreth 60% të vlerës së përgjithshme të projektit.

“Nënshkrimi i këtij memorandumi përbën një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të Qendrës së Kompostimit, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërinstitucional në realizimin e projekteve me interes për qytetarët”, ka thënë Nënkryetarja Bajralija.

Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të projekteve që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komuna e Graçanicës shpall të pavlefshëm, për shkak të humbjes,…