“Autogoli i Albin Kurtit”, marrëveshja e Thaçit me NATO-n ishte e njohur për të gjithë

26 shkurt 2020 | 21:25

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me Implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm z. Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Siç njofton zyra e kryeministrit në një njoftim për media, përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Por, ajo që Kurti e quajti “marrëveshje e fshehtë”, ishte e njohur për të gjithë.

Për këtë letër-marrëveshje të presidentit Thaçi, aso kohe kryeministër i Kosovës me NATO-n kishte folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në shkurt të vitit të kaluar.

Stoltenberg kishte thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës mund të shkojë në veri të vendit vetëm në koordinim me KFOR-in dhe me dritën e tyre jeshile.

“Ne kemi një marrëveshje në Bruksel të vitit 2013 që e thotë qartë se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe ne presim që kjo marrëveshje të jetë ende e vlefshme,” ka thënë Stoltenbergu.

Për këtë marrëveshje, kishte qenë në dijeni edhe kryeministri i kaluar i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kjo është diçka që është shprehur qartësisht nga shumë aleatë dhe e kam vënë në dijeni edhe z.Haradinaj. NATO do të mbetet në Kosovë me misionin e KFOR-it”, kishte thënë Stoltenberg.

Për këtë marrëveshje, e kishte ditur edhe ish-kryeministri i Kosovës, tani partner në qeverisje i kryeministrit Kurti, Isa Mustafa.

“Është një pajtueshmëri me Aleancën Veri-Atlantike që në veri të vendit të mos shkohet pa marrëveshje me ta. Në çdo rast kur duhet të shkohet, kjo duhet të bëhet në pajtueshmëri me ta. NATO-ja nuk ka asgjë kundër që ne të themelojmë Forcat e Armatosura, por çdo gjë të bëhet në pajtueshmëri”, kishte thënë ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa më 2015.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe në vitin 2017 kishte treguar të njëjtën për sa i përket mandatit të KFOR-it në tryezën “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara”.

“Transformimi i FSK-së nuk do të ketë asnjë implikim në rolin e KFOR-it dhe NATO-s. FSK edhe sot asnjë veprim nuk e merr pa u konsultuar më KFOR-in”, kishte thënë asokohe Thaçi.

Të njëjtën për këtë temë e kishte thënë edhe zëdhënësi i KFOR-it, Vicenzo Graso.

Ai, në një intervistë për gazetën serbe Politika, ka thënë se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë mandat të veprojnë në çdo pjesë të Kosovës pa marrë miratimin nga ana e KFOR-it. Ndërsa, sa i përket lëvizjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Graso tha se kjo duhet të lejohet nga ana e komandantit të KFOR-it.

Për shkuarjen e FSK-së në veri kishte folur edhe ish-ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chambert.

I pyetur nëse FSK-ja mund të shkojë në veri të Kosovës, Chambert kishte thënë se ata duhet të marrin leje nga KFOR-i për të vepruar në veri.

“Mund të shkojë, por me dritën e gjelbër të KFOR-it. Nuk është se nuk ka të drejtë të shkojë në veri, por e dini se për sigurinë e Kosovës, FSK-ja mbetet furnizues i rëndësishëm i sigurisë për vendin dhe ajo çfarë mund të bëjë Kosova, është që të jetë në koordinim me ata që janë çdo ditë në terren për sigurinë e vendit”, ka thënë Chambert.

Kurti ka marrë kritika të shumta sot nga opinioni publik për veprimin e tij. Ndërsa në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani e ka cilësuar veprimin e Kurtit si të qëllimshëm.

Ramadani është shprehur se Kurti ka qenë në dijeni se kjo nuk përbën shkelje kushtetuese, por qëllimi i tij është ta dëmtojë legjitimitetin e dialogut Kosovë – Serbi të udhëhequr nga SHBA-të.

Sipas Ramadanit, Kurti do ta shfrytëzojë vonesën e lëndës në gjykatë për të bërë propagandë kundër Thaçit.

“Ai e din se kjo nuk përbën shkelje kushtetuese, por është në një lojë tjetër, por tani dëshiron që sekretin ta bëjë temë kryesore në dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë që Thaçi ka nënshkruar marrëveshje të fshehta ai ka paralajmëruar se një marrëveshje e fshehtë mund të jetë rrugës. Po dëshiron të përhapë mjegull dhe me dëmtu legjitimitetin dhe pamundshmërinë e dialogut Kosovë – Serbi të udhëhequr nga SHBA-të. Tash ky e dërgon lëndën në Gjykatë, derisa ajo trajtohet, ky bën propagandë politike kundër presidentit Thaçi”, tha Ramadani

Në fund ai është shprehur se Kurti e ka bërë me vetëdije të plotë një vendim të tillë, por nuk e ka kalkuluar mirë.

“E ka bërë me vetëdije të plotë, por nuk e ka kalkuluar mirë sepse ky veprim nuk ka dalur siç e ka pritur sepse shumica e kanë kritikuar. Mund të interpretohet edhe si autogol i Kurtit, sepse tash për herë të parë e kemi parë një solidarizim të opinionit publik me presidentin Thaçi.”, tha Ramadani për lajmi.net.

Vlen të theksohet se kryeparlamentarja Osmani, letrën e Kurtit ua ka dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shqyrtim, por ka shtuar se nuk duhet të cenohen marrëdhëniet me SHBA-të.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje në orën 19:20 në SPB Kumanovë, nga ana e…