
Avdullah Hoti reagon pas përjashtimit të gazetarëve nga moderimi në RTK: Po censurohen kritikët e pushtetit, po favorizohen ata që i miklojnë ministrat
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas përjashtimit të gjashtë redaktorëve dhe gazetarëve të RTK’së nga moderimi i emisioneve, e të cilët denoncuan censurën në transmetuesin publik.
Hoti ka thënë se po censurohen gazetarët që e kritikojnë pushtetin, e po favoriziohen ata “që i miklojnë” ministrat nëpër intervista, shkruan Reporteri.net.
“Kjo qasje është e papranueshme, është kundër parimeve të funksionimit të mediumit publik të pavarur. Kjo qasje zbatohet në mediumet publike të regjimeve jodemokratike”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, ata zyrtarë të lartë të RTK-së, që po i marrin këto vendime të marra, e dinë se po bëjnë shkelje ligjore.
“Çfarë zori kanë që lejojnë të instrumentalizohen në këtë mënyrë nga pushteti, do ta marrim vesh me kohë. Por ligjit nuk i shpëtojnë, sado me vonesë. Lista është bërë e gjatë e atyre që do të mbajnë përgjegjësi për këto shkelje”, ka shkruar tutje Hoti.
Ndryshe, gjashtë gazetarë dhe redaktorë të RTK’së kanë denoncuar censurën alarmante në RTK nga menaxhmenti i lidhur me pushtetin. Drejtori i RTK’së, Rilind Gërvalla, është ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes reagimeve që kanë ndarë në Facebook, Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, kanë njoftuar se të njëjtit të premten janë përjashtuar nga moderimi i emisioneve, magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.
Sipas tyre, ata kanë marrë paralajmërime për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional. Intervista e fundit ishte realizuar pikërisht nga Blerta Foniqi Kabashi me deputeten e VV’së, Fitore Pacolli, e cila gjatë intervistës ishte lëshuar në sulme ndaj gazetares.
“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional”, thuhet në reagim.
Ata e kanë cilësuar këtë si vendim arbitrar dhe të paligjshëm.
“Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional”.
Gazetarët dhe redaktorët në fjalë kanë thënë se në vazhdimësi janë përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike.