Avokatët e ish-drejtuesve të UÇK-së: Prokuroria as që i ka parë më sy 68 mijë materiale shfajësuese

14 shtator 2021 | 17:22

Prokurorja e Gjykatës Speciale ka pranuar se nuk ka shqyrtuar një numër të madh të materialeve shfajësuese të prezantuara nga ana e mbrojtjes së ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Me këtë rast, ka reaguar ashpër avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili ka thënë se Prokuroria e Gjykatës Speciale është duke e keqpërfaqësuar çështjen.

Avokati Emmerson ka thënë se Prokuroria e Gjykatës Speciale as që i ka parë me sy rreth 70 mijë materiale shfajësuese për ish-drejtuesit e UÇK-së.

“Bëhet fjalë për 68 mijë dokumente që ajo e pranon se mund të mbajnë materiale të rregullës 103, por ajo nuk e ka idenë se cilat janë ato. A e kuptoni se çfarë do të thotë kjo? I gjithë diskutimi që kemi zhvilluar është humbje kohe, sepse është një vëllim materialesh që mund të përmbajnë shumë materiale shfajësuese që as nuk i kanë parë me sy. Pra është përfshirë disi elementi njeri, por jo aq sa për të dhënë një përshkim të duhur. Por, ajo që ka më shumë rëndësi ju e thatë me plotë gojën se shqyrtimi i materialeve shfajësuese nuk është bërë ende. Me fjalë të tjera, sapo tha me terma shumë të qartë se mund të ketë materiale shfajësuese në listën prej rreth 70 mijë dokumenteve. Në qoftë se ky është qëndrimi i prokurorisë, atëherë si mund të mbështetemi ne në mbylljen e çështjes së prokurorisë. Ne jemi mbrojtja dhe na kërkohet ta shqyrtojmë materialin ku prokuroria as që e ka parë fare dhe neve na hedhin fajin. Diçka është keq, seriozisht. Nuk shkon kështu”, ka thënë Emmerson të marëtn në konferencën e shtatë statusore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka pohuar se kjo është një sjellje e keqe e Prokurorisë së Gjykatës Speciale.

“Prokurorja thotë se materialet mund të jenë të njëjta me ato që kemi nxjerr, kur në fakt nuk i kanë parë fare. Nga përvoja ime nuk ka bazë për parashtrimin e tyre. Dhe nga vendi ku vijë unë kjo është sjellje e keqe e prokurorisë”, ka thënë avokati i Kadri Veselit.

Ndërsa Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka kërkuar nga gjyqtari i Gjykatës Speciale që ta detyron prokurorinë që t’ua siguron materialet e nevojshme.

“Parashtrimi im për kabllot, nuk është se nuk na janë dhënë, por nuk na kanë dhënë aq sa duhet. Për ne, që jetojmë në këtë botë e dimë se kabllot shkëmbehen dhe të vilat mund të kenë një kuptim të rëndësishëm për klientin tim. Mungesa e kabllove tregon se ka më shumë kabllo të cilat ose nuk më janë nxjerrë ose prokuroria mendon se nuk ka rëndësi për çështjen e tyre, dhe nuk e shohin si material nga rregulli 103. Ne, pikërisht duam ta shohim këtë material. Pra, unë do të doja që ta urdhëron prokurorinë që të na japin këto materiale”, ka thënë avokati i Thaçit.

Home | Sense Transitional Justice Center

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pep Guardiola është shprehur se Manchester City nuk ka dështuar…