Avokati i Haradinajt: Prokuroria s’është në gjendje të vërtetojë akuzat

16 mars 2022 | 16:02

Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është në gjendje të vërtetojë asnjë nga pikat e akuzave me të cilat ngarkohet ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Cadman është duke e paraqitur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ka thënë se e tërë çështja e ZPS-së është e mangët dhe e tillë duhet të hidhet poshtë.

Avokati i Haradinajt ka thënë se ka mungesë të plotë provash për të vërtetuar pretendimet kundër të mbrojturit të tij. “Nëse dikush meriton drejtësi, dhe të gjithë meritojnë drejtësi, prokuroria e ka pranuar përmes zonjës Pumper, duhet pranuar që nuk janë ndjekur penalisht këtu kryesit serbë. Kjo do të thotë që nuk ka hetime në vazhdim për masakrat e shumta të kryera nga serbët në Kosovë, forcat ushtarake dhe paramilitare dhe disa prej tyre janë edhe në njoftimet e Interpolit. Disa prej tyre janë madje krenarë që janë shtytës të këtij procesi këtu”, ka thënë Cadman.

Ai ka pasur kritika për ZPS-në edhe lidhur me nxjerrjen e dokumenteve, për çka ka theksuar se ai dhe Haradinaj nuk i kanë pasur dokumentet e duhura dhe si pasojë e kësaj nuk e kanë pasur mundësinë e duhur për t’i bërë kundërpyetjet.

Sipas tij, mungesa e dhënies së dokumenteve përbën pengesë për një gjykim të drejtë.

Cadman ka kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës.

Ai ka thënë se të gjitha veprimet e Nasim Haradinajt lidhur me dosjet e arritura në OVL-UÇK ishin bërë me qëllim të interesit publik.

Avokati i Haradinajt, i cili ka mbështetur në tërësi parashtrimet paraprake të avokatit të Hysni Gucatit, ka thënë se ZPS-ja ka refuzuar të nxjerrë detajet e hetimit të vet që lidhen me rrjedhjen e informacionit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Prishtina është skuadra e radhës që është kualifikuar në…