Avokati i Thaçit në fillim të seancës dorëzoi një provë materiale në Speciale
Edhe të mërkurën është duke vazhduar në seancë private dëshmia e dëshmitares së parë në Gjykatën Speciale në rastin ndaj krerëve të UÇK-së.
Sot, ajo do t’u përgjigjet pyetjeve të avokatëve të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Seanca ka filluar me një kërkesë nga avokati i Thaçit, Luka Misetiq për t’i dorëzuar një provë materiale prokurorisë.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III e ka pyetur prokurorinë nëse kanë ndonjë kundërshtim për këtë dhe njëri nga prokurorët ka thënë: “jo”.
Më pas, asistentët janë urdhëruar që ta sjellin në sallën e gjyqit dëshmitaren.
“Sot do të vazhdojmë me kundërpyetjet nga mbrojtja e Thaçit”.
“Ju lus t’i përgjigjeni qartë pyetjeve, me fjali të shkurtëra”, i ka thënë gjykatësi Smith, dëshmitares pasi ajo u fut në sallën e gjyqit.
Më pas, seanca është mbyllur për publikun.