Azemi: 87 për qind e njehsorëve matin kohën gabimisht

01 prill 2026 | 13:54

Në një kohë kur çmimi i energjisë elektrike vazhdon të rëndojë buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, dyshimet për saktësinë e njehsorëve elektrikë kanë ngritur shqetësime serioze në opinionin publik. Visar Azemi nga LDK-ja ka adresuar akuza të forta lidhur me funksionimin e njehsorëve dhe ndikimin në faturimin e energjisë.

Sipas tij, një hulumtim i realizuar mbi qindra mostra tregon probleme të theksuara në matjen e kohës. “I kam hulumtuar 884 mostra… 87 për qind të tyre e masin kohën gabimisht dhe kjo ka qenë alarmi i parë”, ka deklaruar ai.

Azemi ka shpjeguar se problemi lidhet drejtpërdrejt me tarifat e energjisë, pasi qytetarët besojnë se po shfrytëzojnë energji më të lirë gjatë natës, ndërsa në realitet mund të paguajnë më shtrenjtë.

“Kur ti ke menduar që je duke e shfrytëzuar energjinë më të lirë, ti realisht je duke e shfrytëzuar energjinë më të shtrenjtë, sepse njehsori ka matë gabimisht. Mua më është dukur se është një skemë skandaloze për t’i faturuar qytetarët jashtëligjshëm”, ka deklaruar për “Telegrafin”.

Pas publikimit të shqetësimeve për njehsorët e rrymës, Azemi ka thënë se ka pasur reagim të madh nga qytetarët, me mijëra ankesa dhe dëshmi.

Ai ka kritikuar edhe reagimin e kompanisë KEDS, e cila sipas tij e ka minimizuar problemin duke e quajtur “gabim teknik”. “Mijëra mesazhe dhe fotografi më kanë ardhur… Kjo i prek njerëzit drejtpërdrejt në xhep. Kur po flasim për 87 për qind të mostrës që është gabim, qysh është gabim teknik kjo?”, ka thënë Azemi.

Në të njëjtën kohë, Azemi ka hedhur përgjegjësinë edhe mbi institucionet shtetërore për mungesë të mbikëqyrjes. “Institucionet, qeveria, ministria, kanë dështuar në mbikëqyrje dhe në mbrojtjen e qytetarëve”, ka thënë Azemi.

Më tutje, Azemi ka bërë me dije se ka kërkuar hetim nga Zyra e Rregullatorit për Energji dhe paralajmëron veprime të mëtejshme ligjore.

Ai ka thënë se çështja duhet të trajtohet edhe në Kuvend dhe nuk duhet të mbetet vetëm në debat publik.

Përtej çështjes së njehsorëve, Azemi ka vlerësuar se sektori i energjisë në Kosovë po përballet me probleme strukturore dhe mungesë investimesh.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes…