
Azemi: Kompanitë iu bënë kontrata punëtorëve për të përfituar nga pakot e qeverisë
22 mijë vende pune janë krijuar brenda një viti në Kosovë. Kështu ka thënë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, gjatë një konference për media.
Por, me këtë deklaratë të shefit të “kuletës së shtetit” nuk po pajtohet kreu i Sindikatës së Sektorit Privat Jusuf Azemi.
Azemi tha në një intervistë në ‘Klan Kosova’, ka deklaruar se këta punëtorë kanë punuar edhe më herët veçse tani ata janë lajmëruar si punëtorë të rregullt, në mënyrë që kompanitë private të përfitojnë nga “Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”.
“Nuk e di se a është i vetëdijshëm ministri i Financave sepse ata punëtorë nuk janë të rinj, ata punëtorë kanë punuar në periudhe edhe më të gjata dhe këta punëtorë janë legalizuar vetëm për tre muaj për të përfituar kompanitë private nga “Pako e Ringjalljes Ekonomike. Të thuash se po rritet numri i punëtorëve në këtë kohë është një anomali, sepse siç e dijmë nga viti 2020 kemi pasur largim të mbi 120 mijë punëtorëve. Le të më thotë ministri se a është krijuar ndonjë vend punë a është hapur ndonjë fabrike? Po e përsëris këta punëtorë kanë punuar edhe më parë por që nuk kanë pasur kontrata. Tani edhe ata janë legalizuar”.
Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat shtoi se nuk është e mundur që në këtë kohë krize të krijohen një numër kaq i madh i vendeve të punës.