Azemi: Në vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë

10 janar 2024 | 11:37

Në vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë. Vetëm në mars të këtij viti pritet të ikin mbi 25 mijë persona.

Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili ka akuzuar qeverinë për kushte jo të favorshme për punëtorët.

Në anën tjetër, edhe njohës të ekonomisë, kanë vlerësuar se gjashtëmujori i parë i këtij viti do të jetë më sfidues për bizneset në fuqinë punëtorë.

Azemi ka thënë për “Kosovapress” se nga informacionet që kanë marrë nga disa kompani të autobusëve, janë mbi 25 mijë persona që kanë kontraktuar se do të ikin jashtë vendit.

“Realisht edhe pa liberalizim të vizave pronarët e kompanive kanë telashe me punëtor, sidomos të kualifikuar që është një mungesë jashtëzakonisht e madhe. Megjithatë, mendojmë që sidomos gjashtëmujori i dytë i vitit 2024 do të jetë shumë më i rëndë sesa ky fillimi, sepse në pjesën e parë të vitit njerëzit do shkojnë të kontaktojnë me familjarët, me pronarë të kompanive atje dhe pastaj duhet të kthehen. Dashtë Zoti të dhënat tona mos të dalin të sakta, sepse ne mendojmë se vetëm vitin 2024 do të na mungojnë rreth 150 mijë punëtorë, çfarë sipas një statistike ose disa të dhënave vetëm një kompani autobusëve shumë e madhe në Kosovë, deri në mars thotë se ka mbi 25 mijë persona të kontraktuar se do të ikin jashtë. Megjithatë, jemi të bindur që jo të gjithë do qëndrojnë jashtë, sepse do të këtë një numër të vogël se do të kthehen prapa”, ka thënë ai.

Krahas pagave të ulëta, Azemi ka renditur edhe faktorët tjerë që kanë ndikuar në ikjen e të rinjve nga vendi.

“Me gjendjen që e kemi, njerëzit nuk shohin perspektivë dhe ata do të hulumtojnë sepse do krijojnë familje për vete… Shteti i ka lënë punëtorët me paga shumë më të vogla, sidomos tek ato kompani që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, ato janë mizërie. Nëse shteti merr vendim që paga minimale do të jetë 1 mijë euro, të jeni të bindur që nuk do ta ketë efektin e vet, sepse njerëzit e kanë humb besimin edhe tek qeveria, tek pronarët, duan në një formë të gjejnë jetën e tyre”, ka thënë ai.

Azemi ka thënë se përkundë kërkesave të shumta që i ka bërë kjo sindikatë ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati që të takohen për të diskutuar për kushtet e punëtorëve, të njëjtit nuk kanë pranuar as edhe një herë të flasin.

Sipas Azemit, është ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia me të cilin ka pasur takime të suksesshme në përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekonomia e dobësuar e Gjermanisë po përballet me një fillim…