
Baba në ballkonin e Infektives
Berat Armagedoni
Edhe sot baba
gjashtëdhjetë e katër vjeç
doli nga dhoma numër 5
në ballkonin e gjatë të infektives
të të sëmurëve të të shëndoshurve e të pëllumbave të egër
bëri 120 hapa të shkurtër
me duart kapur pas shpinës siç bën kur del t’i shohë të mbjellat në arat e gjyshit
në Caravik të Klinës
Pastaj u ul në një karrige të metalit përballë derës së dhomës së vet
e me vështrim nga parkingu i QKUK-së
nxori nga pakoja një cigare të trashë
e ndezi me çakmak
e thithi fort një herë
edhe një herë tjetër një tym të gjatë futi brenda në mushkëri
tymin e tretë ia prisha me këtë pyetje:
Qysh je sot, babë?
Ma mirë se dje, bir, ma mirë
Oksigjenin sa e ke?
93, 94, 95, pa ndihmën e bombolës të oksigjenit
Ani, mirë shumë, i thashë
Po çfarë miri këtu, bre bir
Inshallah më lëshojnë sot a nesër
Se jam mërzit në këtë vend të vdekjes
Edhe pse vdekjes nuk ia kam tutën
Pastaj
pasi e piu cigaren
hyri brenda dhe u shtri në shtrat
me vështrim nga ballkoni i Infektives