Bahtiri dhe komandanti i policisë diskutojnë për gjendjen e sigurisë në Mitrovicë

03 shtator 2020 | 14:33

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka pritur në takim komandantin e Stacionit Jugor të Policisë, Ahmet Xhosha, dhe rreshterin policor, Nuradin Nuradini, me të cilët ka biseduar lidhur me gjendjen e sigurisë, si dhe për situatën aktuale të menaxhimit dhe zbatimit të masave kundër virusit Covid-19 në qytetin e Mitrovicës.

Bahtiri është shprehur tejet mirënjohës ndaj komandantit dhe gjithë zyrtarëve policor për angazhimin maksimal të tyre, në ruajtjen dhe sigurinë në qytet, si dhe për kontributin e dhënë përgjatë këtyre muajve në përballje me virusin Covid-19.

Po ashtu lidhur me zbatimin e masave parandaluese ndaj këtij virusi, janë falënderuar edhe qytetarët e Mitrovicës, të cilët po vazhdojnë me respektimin e plotë të vendimeve dhe rekomandimeve nga institucionet e nivelit lokal dhe atyre shëndetësore.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për çështjet e sigurisë, duke përfshirë këtu edhe rastet që kanë ndodhur muajve të fundit, siç janë ngacmimet seksuale dhe dhuna fizike mes qytetarëve, ku kryerësit e veprave janë sjellë para drejtësisë.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri dhe komandanti Xhosha, apelojnë tek qytetarët e Mitrovicës të jenë tolerant, të mirëkuptohen mes vete, dhe mos të shprehin dhunë ndaj njëri tjetrit, por problemet e tyre të adresohen nëpërmjet institucioneve përgjegjëse, pasi që Policia është e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat e duhura konform ligjeve në fuqi.

Në fund të takimit, kryetari Bahtiri dhe komandanti Xhosha vlerësuan lartë bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy institucioneve, bashkëpunim ky që ka dhënë rezultate pozitive në stabilizimin e gjendjes së përgjithshme në komunë.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
GABRIEL GARCÍA MÁRQUEZ Si u bëra shkrimtar  Shkrim i nobelistit…