Bahtiri kërkon zbatimin e ligjit kundër duhanit në të gjitha subjektet afariste

13 janar 2020 | 15:11

Bordi i drejtorëve në Komunën e Mitrovicës ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e kësaj komune.

Fillimisht drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me inkasimin e të hyrave vetanake për vitin 2019 në Komunën e Mitrovicës.

Ai ka thënë se krahasuar me vitin 2018, kjo komunë ka pasur rritje të të hyrave për 15.20 për qind apo 304.189.32 euro më shumë. “Ndërsa sa i përket planifikimit për vitin 2019, ka arritur t’i realizojë 93.56 për qind të planifikimit apo ka inkasuar 2.305.615.56 euro, ndërkaq inkasimi i të hyrave vetanake në vitin 2018 ishte 2.001.426.24 euro”, ka thënë Gashi.

Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka njoftuar bordin lidhur me inspektimet e inspektorëve komunal në lirimin e hapësirave publike si dhe për inspektimin e subjekteve afariste lidhur me vendimin për respektim të orarit të punës.

Po ashtu në këtë mbledhje, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të qytetarëve, ka kërkuar nga Drejtoria e Inspeksionit të zbatojnë Ligjin për kontroll duhani nr. 04/L-156, në të gjitha subjektet afariste, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese përmes shqiptimit të gjobave.

Në fund drejtori për Arsim, Egzon Jashari, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë në të gjitha institucionet edukativo-arsimore në këtë komunë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), ka…