Bahtiri: Mitrovica i ka tejkaluar sfidat më të mëdha të paqes, stabilitetit dhe sigurisë

19 gusht 2021 | 14:29

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka kanë pritur në takim shefin e Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Preston Hiroki Pentony të shoqëruar nga zëvendësshefja e Zyrës Rajonale e UNMIK-ut në Mitrovicë, Sandra Imshiroviq, me të cilët ka biseduar për situatën e sigurisë si dhe për zhvillimet aktuale në komunë.

Bahtiri ka falënderuar përfaqësuesit e UNMIK-ut për interesimin e tyre për Mitrovicën dhe për bashkëpunimin e deritashëm të suksesshëm.

Ai u ka thënë të papranishmëve se që nga ardhja në krye të Komunës së Mitrovicës, ka punuar me përkushtim të madh dhe angazhim të pandërprerë për të stabilizuar gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë, duke qenë i vetëdijshëm se pa stabilitet dhe qetësi nuk ka as zhvillim ekonomik.

“Falë mbështetjes së të gjithë përfaqësuesve të cilët janë me misione të ndryshme në Kosovë dhe falë përpjekjeve dhe vetëdijesimit të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike, ne kemi arritur që Mitrovicën ta bëjmë një qytet stabil dhe një qytet i cili është ndër më të sigurtit në vend. Kjo shihet edhe nga rënia e madhe e të gjitha incidenteve e posaçërisht të atyre ndëretnike, ku gjatë këtyre viteve të qeverisjes sime janë shënuar një numër jashtëzakonisht i vogël i incidenteve ndëretnike”, ka thënë Bahtiri.

Shefi i Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Preston Hiroki Pentony, pasi e falënderoi kryetarin Bahtiri për bashkëpunim dhe pasi e përgëzoi për punën e mirë, tha se në Mitrovicë ka qenë edhe para se të bëhet shef i zyrës, andaj i vjen mirë kur tani sheh ndryshime të shumta pozitive.

Ai më tutje ka folur edhe për situatën lidhur me pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid-19, me ç’rast kryetari Bahtiri e ka njoftuar Pentony se në Mitrovicë aktualisht janë të vaksinuar afër 28 mijë qytetarë dhe ka një rritje të interesimit të qytetarëve për t’u vaksinuar andaj shpreson që deri në fund të këtij vitit do të vaksinohen mbi 65 për qind e qytetarëve, në mënyrë që të krijohet edhe imunitet i popullatës në raport me këtë lloj të virusit.

Bahtiri ka thënë në vazhdim se Mitrovica tanimë i ka tejkaluar sfidat më të mëdha të paqes, stabilitetit dhe sigurisë, prandaj i tërë fokusi i institucioneve lokale është drejtuar në zhvillimin ekonomik, ku edhe janë shënuar rezultate të kënaqshme.

Në fund të takimit të dy palët shprehën gatishmëri dhe vullnet për bashkëpunim të mëtutjeshëm midis komunës së Mitrovicës dhe UNMIK-ut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot Banka Ekonomike e Kosovës me rastin e 20-vjetorit të…