Bahtiri: Pala serbe po pengon përurimin e urës mbi lumin Ibër

16 tetor 2018 | 18:05

Kryetari i Komunës së Mitrovicë, Agim Bahtiri, ka pritur të martën në takim shefin e UNMIK-ut për Kosovë, Zahir Tanin, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në këtë komunë, me theks të veçantë për urën kryesore mbi lumin Ibër.

Kryetari Bahtiri fillimisht ka falënderuar delegacionin e UNMIK-ut për interesimin e tyre për Mitrovicën dhe për bashkëpunimin e deritashëm të suksesshëm.

Ai u tha mysafirëve se që nga ardhja në krye të Komunës së Mitrovicës para pesë vitesh, ka punuar me përkushtim të madh dhe angazhim të pandërprerë për të stabilizuar gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë, duke qenë i vetëdijshëm se pa stabilitet dhe qetësi nuk ka zhvillim ekonomik, pasi investitorët nuk investojnë aty ku nuk ka paqe dhe siguri.

“Falë këtij angazhimi, por para së gjithash, falë angazhimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike, kemi arritur që Mitrovicën ta bëjmë një qytet stabil dhe ndër më të sigurtit në vend. Kjo shihet edhe nga rënia e madhe e të gjitha incidenteve e posaçërisht të atyre ndëretnike, ku gjatë pesë viteve të fundit janë shënuar vetëm rreth tetë incidente ndëretnike serioze”, ka thënë Bahtiri.

Sa i përket situatës lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër, kryetari Bahtiri u tha mysafirëve se në vitin 2014, në Bruksel, kanë filluar negociatat për hapjen e urës për lëvizje dhe qarkullim të lirë të njerëzve dhe të automjeteve.

Ai në vazhdim ka bërë me dije se gjatë bisedave janë mbështetur pothuajse të gjitha kërkesat e palës serbe që kishin të bëjnë me hapjen e urës, ndërkohë që Bashkësia Evropiane ka financuar një projekt për rivitalizimin e urës, në mënyrë që më pas ajo të jetë e lirë për lëvizje dhe qarkullim të njerëzve dhe automjeteve, projekt ky që ka përfunduar në tërësi dhe ura tani është e gatshme për përurim.

“Fatkeqësisht është pala serbe ajo që po e pengon përurimin e urës, edhe përkundër interesimit dhe kërkesës së qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike dhe të të dyja komunave që ajo të hapet sa më parë. Kjo është e papranueshme dhe nuk do të duhet të ndodhë”, ka thënë Bahtiri.

Ai u ka thënë përfaqësuesve të UNMIK-ut se Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të tolerojë më sjelljet e këtilla të kryetarit të komunës veriore, Goran Rakiq, pasi që nuk ka as më të voglin arsye që ai të nxjerrë pengesa.

“Unë jam i përkushtuar dhe i vendosur që hapjen e urës ta bëjmë me marrëveshje dhe në bashkëpunim me kryetarin e komunës veriore, Goran Rakiq, sepse kjo është mënyra më e mirë dhe më e duhura për zgjidhjen e kësaj çështje, e cila është në interes vital të të gjithë qytetarëve. Por, nëse do të vazhdojë akoma sjellja refuzuese e kryetarit Rakiq dhe mosreagimi i ndërkombëtarëve, atëherë organet e Republikës së Kosovës duhet të funksionojnë dhe të kryejnë detyrën e tyre për hapjen e urës. Çështja e hapjes së urës nuk bën dhe nuk guxon në asnjë mënyrë të ndërlidhet me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa sa i përket zhvillimeve në vend dhe dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, kryetari Bahtiri ka thënë se është e papranueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj që të bisedohet për ndryshimin apo shkëmbimin e territoreve.

Ndërkaq shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare është e interesuar për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy palëve dhe se marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të zbatohen nga të gjithë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës U19 pësoi humbje sot nga Sllovenia me…