Bajrami: Kushdo që vjedh qoftë edhe një euro, duhet të përfundojë në burg
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pas vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës, ka paralajmëruar se do të dënohen me burg të gjithë ata që keqpërdorin paratë e buxhetit të Kosovës.
“Kushdo që vjedh, qoftë edhe një euro, duhet të përfundojë në burg dhe të japë llogari para ligjit, para popullit dhe para Zotit. E sqarova edhe sot në konferencën për media se katër transaksione të dyshimta kanë ndodhur në Thesarin e Republikës. Njëri nga të dyshuarit për këto transaksione është arrestuar. Dy tjetër janë në arrati”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Të gjitha institucionet janë vënë në ndjekje të keqpërdoruesve. Rasti do të zbardhet dhe besoj se organet e hetuesisë dhe drejtësisë do t’i dënojnë me dënime kapitale kushdo që është i përfshirë në këtë rast. Në këtë situatë po e mendoj vetëm një opsion: LUFTIMIN E HAJNAVE, KUDOQOFSHIN, KUSHDOQOFSHIN dhe të KUJDOQFOSHIN. Do të kërkoj të verifikohet edhe një herë pastërtia e secilit zyrtar me pozitë të ndjeshme në Ministrinë e Financave”, ka shkruar Bajrami



