“Buxhet i mbijetesës”, Gërxhaliu: Kosova, shtet i varur nga importi dhe ndihmat sociale
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e ka quajtur buxhet të mbijetesës, buxhetin për vitin e ardhshëm.
Në emisionin Ora Shtatë në Klan Kosova, eksperti i ekonomisë ka thënë se rritja e buxhetit nuk është reale, pasi sipas tij, shifrat kanë ndryshuar për shkak të rritjes së inflacionit.
“Kosova të mos krekoset me numra, por me substancë, por pyetja duhet të jetë se sa do të dimë të shfrytëzojmë, sa do të arrijmë ta kthejmë në investime dhe zhvillim ekonomik. Është buxhet i mbijetesës.”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka marrë si shembull edhe buxhetin për këtë vit ku ishin paraparë afër 1 miliard euro për projekte kapitale, mirëpo vetë, 30% prej tyre janë shpenzuar. “Sektori privat po ngulfatet dhe krijimi i vendeve të reja të punës do të jetë shumë më i vogël. Do të jetë vështirë për të mbijetuar në këto rrethana”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Gërxhaliu ka kritikuar për varësinë nga importi dhe fokusin e institucioneve te ndihmat sociale. “E keqja që po i ndodh Kosovës është se jemi shndërruar në një shtet të varur nga importi. Në rend të dytë jemi shndërruar në një shtet që jetojmë nga ndihmat sociale dhe ajo nuk është zgjidhje. Dhe, e treta, sektori privat përkundër kontributit që ka dhënë dhe është duke dhënë duhet të jetë më tepër i orientuar në ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare. Ka të bëjë me menaxhim, me standardizim dhe me certifikim. Kohëve të fundit kemi skandale të shumta sa i përket prodhimit”, ka shtuar ish-kreu i OEK-ut.



