
Bajrami: Militantët e VV-së në RTK kanë nisur aksionin e brendshëm për eliminimin e gazetarëve
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të menaxhmentit të RTK-së për përjashtimin e disa gazetarëve nga moderimi i emisioneve.
Ajo e ka cilësuar këtë vendim si të papranueshëm, të paligjshëm dhe në kundërshtim me rregulloret e RTK-së, duke theksuar se në vend të forcimit të transmetuesit publik, menaxhmenti po ndëshkon gazetarët për interesa partiake.
Deputetja e LDK-së ka paralajmëruar se menaxhmenti i RTK-së do të japë llogari për çdo shkelje ligjore, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse – përfshirë Inspektoratin e Punës dhe organet e drejtësisë – që të veprojnë menjëherë dhe të mbrojnë punëtorët e transmetuesit publik.
Reagimi:
Militantët e Vetëvendosjes të emëruar në krye të RTK-së kanë nisur aksionin e brendshëm për eliminimin e gazetarëve që kanë guxuar të bëjnë punën e tyre me profesionalizëm, që nuk janë nënshtruar urdhrave partiakë apo politikë dhe që kanë guxuar të kërkojnë pagën që u takon sipas Ligjit.
Vendimi i menaxhmentit për t’i përjashtuar disa gazetarë nga moderimi i emisioneve të deritanishme është i papranueshëm, i paligjshëm dhe në kundërshtim me rregulloret e RTK-së.
Në vend që të punojnë për ta ngritur transmetuesin publik në nivelin më të lartë profesional dhe për ta kthyer RTK-në në shërbim të publikut, menaxhmenti ka zgjedhur të ndëshkojë gazetarët për llogari të interesave partiake të Vetëvendosjes.
Menaxhmenti i RTK-së do të japë llogari për çdo shkelje ligjore. Institucionet përgjegjëse, përfshirë Inspektoratin e Punës dhe organet e drejtësisë, duhet të veprojnë menjëherë dhe të mbrojnë punëtorët e RTK-së.
RTK-ja nuk është degë e Vetëvendosjes. RTK është e publikut dhe do të mbetet e tillë!