
Bajrami: Qeveria po i ofron ‘hua’ RTK-së, por nuk po ia alokon mjetet buxhetore të garantuara me Ligjin e buxhetit
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka kritikuar mënyrën se si qeveria po synon të ia ndajë parat RTK-së për pagat e punonjësve.
Ajo ka vlerësuar se qeveria në detyrw po refuzon të ia alokojë RTK-së mjetet buxhetore të garantuar me Ligjin për Buxhetin.
Bajrami ka shkruar në “Facebook” se qeveria ka vendosur që këto para të ua jep në formë huaje RTK-së.
“Merreni me mend, ‘qeveria’ po refuzon t’i alokojë RTK-së mjetet buxhetore të garantuara me Ligjin e Buxhetit! Në vend të kësaj, po u ofron ‘hua’ pra, paratë që RTK-ja i ka të vetat ligjërisht, ‘qeveria’ po ua jep si borxh dhe pastaj do t’ua ndalë po nga ky buxhet. 🤦♂️ Kjo është njësoj si me subvencionimin e librave, a ju kujtohet qysh thoshin: ‘Ne s’ju japim para shtëpive botuese, po prindërve’ dhe prindërit ku i çonin? Prapë te shtëpitë botuese. E vërteta është: RTK-ja ka 700 punëtorë që nuk janë paguar që 45 ditë. Mjaft me lojëra! Lironi fondet e RTK-së dhe paguani punëtorët për punën e bërë”, ka shkruar Bajrami, duke cituar një shprehje të njohur për budallallëkun.
“A. Einstein ka thënë: Dy gjëra janë të pafundme: universi dhe budallallëku njerëzor dhe nuk jam i sigurt për universin”, ka shkruar Bajrami.