Bajronizmi arbëresh
Abdullah Karjagdiu
Ne dimë se shkrimtarët tanë arbëreshë të Rilindjes Kombëtare kanë qenë në gjendje të njihen me veprën e Bajronit shumë më përpara se vëllezërit e tyre përtej detit, rilindësit e tjerë të fundit të shekullit të kaluar dhe të fillimit të shekullit tonë.
Dimë, gjithashtu, se me çfarë hovi u përhap bajronizmi në romantizmin kalabrez dhe në romantizmin napolitan si dhe çfarë veçorish pati ai në këto anë. Shuteriqi shkruan: “Rryma e re letrare, në formën bajroniane, gjeti tokë të përshtatshme në Kalabri, vendi i një natyre të ashpër e madhështore me tradita luftash për liri, me ndjesi të forta e doke të rrepta”.[1] Sipas të njëjtit autor, në periudhën e romantizmit në Kalabri, ku jetonin dhe krijonin disa rilindës tanë arbëreshë, lulëzoi një letërsi me subjekte, personazhe dhe ndjesi të vrullshme që, pos të tjerash, t’i përkujtonte disa poema të Bajronit.[2]
Dhe, pas një konstatimi të tillë, vetvetiu shtrohen pyetje të këtilla: A e njohën dhe sa e njohën poetët arbëreshë të Rilindjes veprën e Bajronit? A pësoi ndonjëri prej tyre ndonjë farë ndikimi nga bajronizmi? Çfarë janë veçoritë bajroniane të veprave të tyre?
Kësaj radhe vëmendjen tonë do ta përqendrojmë rreth poetëve të shquar të letërsisë arbëreshe të Rilindjes sonë Kombëtare: De Radës, Domenik Maurit, Zef Serembes dhe Gavril Darës të Riut.
Duke i krahasuar disa tema, motive, heronj, manire lirike, figura poetike, formën dhe stilin e disa poemave bajroniane me temat, motivet, heronjtë, maniret lirike, figurat poetike, formën dhe stilin e këtyre rilindësve tanë, do të arrijmë në përfundime të ndryshme, do të sillemi nga ngjashmëria në ndikime dhe nga ndikimet në konkordanca.
Stratikoi, duke vënë re frymëzimin e De Radës me letërsinë popullore arbëreshe, vëren se si shkrimtari Angjelo Bazile, qysh më parë se ai, e quajti De Radën poetin më të madh të Shqipërisë dhe dashamirin e paepur të popullit të vet.[3]
Figura e De Radës dallohet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë arbëreshe dhe si një nga figurat mëtë bukura të Rilindjes sonë. Veprat e tij poetike, pa dyshim, i përkasin romantizmit. Ato u frymëzuan si nga jeta personale e poetit, po ashtu edhe nga idetë e lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar.[4]
Kur më 1836 De Rada po e botonte “Milosaon”, ai jo vetëm që po e nxirrte në dritë shprehjen e parë artistike të letërsisë shqipe por, në të njëjtën kohë, si shkruan Gradilone, “i jepte botës së kulturës e të politikës provën se gjuha shqipe ishte e zonja t’i shprehte motivet eterne të jetës në përgjithësi dhe të shpirtit të një populli në veçanti, dhe jepte prova se Shqipëria mundte, pra edhe duhej të ekzistonte si një tërësi etnike dhe politike”.[5]
Razi Brahimi, duke bërë fjalë për parimet krijuese të De Radës, konstaton se vepra e De Radës u përgjigjet parimeve estetike dhe koncepteve letrare e ideore të romantizmit.[6] Brahimi pohon se traditat e poezisë sonë popullore, elementet e theksuara të letërsisë antike, i kanë dhënë romantizmit atë fytyrë vetjake që e dallon De Radën prej çdo poeti tjetër romantik. Në këtë kuptim, sipas Brahimit, nuk pajtohet në gjithçka me parimet krijuese dhe me kërkesat e romantizmit.[7] Nga ana tjetër, duke mos pasur një traditë të mëparshme të pasur të letërsisë artistike kombëtare dhe duke synuar t’i hedhë themelet e kësaj tradite me vepra poetike të dorës së parë, De Rada, i lindur e i formuar në një ambient të huaj, nuk pati rrugë tjetër veçse t’i drejtohet “gurrës popullore dhe të zbulojë e të përvetësojë jo aq figurat e motivet, sa shpirtin kombëtar të saj, ato veçori ideore dhe artistike që e bëjnë poezinë popullore shprehëse besnike e të drejtpërdrejtë të shpirtit të kombit”.[8] Brahimi vëren se trajtat arkaike De Rada i ka kërkuar si një mjet artistik, që do të ndihmonin për krijimin sa më të mirë të atmosferës së kohës, në të cilën ai vendos ngjarjet dhe heronjtë e veprave të tij dhe po këtij pikësynimi i përshtaten fragmentariteti dhe mjegullina në disa vepra të tij.[9] Brahimi, më në fund, arrin në përfundimin se parimet krijuese të De Radës mbështeten njëkohësisht në letërsinë antike, prej së cilës poeti mori dhe asimiloi harmoninë dhe karakterin e shprehjes së përmbajtur, në letërsinë romantike të kohës, prej së cilës përvetësoi lirinë e krijimit të figurave të fuqishme me përpjesëtime të mëdha, preferencat tematike dhe konceptet e përgjithshme artistike dhe në krijimtarinë e popullit tonë, në të cilën zbuloi shpirtin e kombit dhe aftësitë shprehëse të shqipes.[10]
Duke bërë fjalë për estetikën e De Radës, Alfred Uçi, para do kohe, vuri në dukje se De Rada iu shmang moralizimit të klasicizmit, kurse thelbin e poezisë e quajti unitetin e një përmbajtje të pasur ideore dhe të një ekspresiviteti të fuqishëm.[11] Kjo ishte një formulë e estetikës së Lesingut. “Me sa duket, – thotë Uçi, – në theksimin e rëndësisë që ka për poezinë ekspresiviteti, forca sugjestionuese e fjalës, De Radën e shtynte njohja e tij me estetikën dhe krijimtarinë e romantikëve evropianë, Shlegelit, De Stalit, La Maritnit, Shilerit, Bajronit etj”.[12]
Me interes është të kujtohet se megjithëqë De Rada veprën e tij të parë, poemën “Odisse”, e shkroi italisht, shënon Shuteriqi, dhe në tercina danteske, subjektin e mori nga jeta arbëreshe, kurse trajtimin e bëri sipas shembullit të “Korsarit” të Bajronit.[13]
Fakti se De Rada, së paku në një fazë të krijimtarisë letrare, qe nën ndikimin e Bajronit, ka rëndësi të madhe për intencën e këtij studimi.
Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare De Rada i lexoi disa tragjedi të Alfierit dhe “Korsarin” e Bajronit. Vepra e Bajronit i bëri përshtypje të madhe me sublimentin dhe novitetin e imazheve, por duket i “shkollës së Lukanit (poetit të dekadëncës romake), i cili nuk di të nxjerrë nga aksioni tipizimin e personazheve, porpërpiqet të bëjë efekt, sidomos me anë të përshkrimeve të jashtme.[14]
Jup Kastrati pohon se De Rada e shkroi “Odiseun” në italishte më 1832, katër vjet para “Milosaos”. Kastrati beson senë “Odiseun” e tij, Bajroni këndonte mbi Odisenë e arbëreshëve, të cilët që prej vitesh po prisnin me mall të pashuar agimin e lirisë, për t’u kthyer në gjirin e Itakës shqiptare, në prehrin e atdheut të vërtetë.[15] Mirëpo, jeta e tyre endacake dhe prej të mërguarish në troje të huaja, bredhjet dhe rravgimet e tyre nëpër dhera të huaja e të panjohura, s’kishin të sosur. Të lënë, të harruar, e të pa cak, në mes të një morie vështirësish, ata po kalonin vërtet odisenë e jetës plot brenga. “Siç shihet, – thotë Kastrati, – kjo vepër doli si përfundim i leximit të Bajronit”.[16]
Kastrati jep edhe disa shënime të tjera lidhur me “odisenë” e De Radës. Ai shënon se De Rada më 1834 kishte dëgjuar mësimet e Puotit, një filologu të njohur napolitan të asaj kohe dhe kishte hyrë në kursin e arbëreshit Emanuel Biderës. Ky i fundit asokohe kishte filluar një kurs të deklamimit në Napoli “mirëpo, – shkruan Kastrati, – edhe këto mësime nuk ia pati anda De Radës, se nuk ngrohu aspak recitimi i një tingëllimi të Petrarcas: ‘Gja e shplame dhe vetëm për të ndezë fantazinë e gojëtarëve’. Por, kur, një ditë prej ditësh, recitoi një pjesë të ‘Odiseut’ të vet, që e kishte ndryshuar e shkruar në vargje të zgjedhura, ‘kjo i pëlqeu Biderës si të kish qenë diçka nga Bajroni”.[17] Kështu, ndonëse prova e parë e deklamimit të poetit tonë në italishte nuk pati sukses dhe e bëri poetin të heqë dorë nga fetishizmi i klasikëve, prova e dytë, me një fragment të poemës së tij, të cilën e kishte shkruar me pasion djaloshar, i habiti të pranishmit për ndjenjat e ngrohta që përmbante, për figurat e reja poetike dhe për mendimet e thella, kështu që vargjet e tij në italishte i pandehën si të ishin prej ndonjë vepre të Bajronit.[18] “Me rëndësi është, – pohon Kastrati, – edhe fakti tjetër që De Rada e braktisi shpejt poezinë dhe formën italiane në të cilën kishte dhënë provën e tij të parë dhe u hodh mandej në këngët popullore. Mbi këto modele ndërtoi poemat e veta të mëvonshme. Në këtë mënyrë ai hyri në metodën artistike të romantizmit”.[19]
Në këtë mes disa gjëra mund të evidentohen pa farë ndërlikimesh: Bajroni dhe vepra e tij i flisnin rinisë me një fuqi të rrallë, prandaj bajronizmi më së lehti e rrëmbente rininë krijuese e, në këtë kontekst, edhe De Radën; në kohën kur De Rada po bënte përçapjet e para në poezi, në italishte dhe shqipe, Bajroni ishte shëmbëlltyra më e popullarizuar e poetit të kohës mes romantikëve të jugut italianë; Bajroni ishte i vetmi poet për t’u lakmuar nga çifti i De Radës, i cili sigurisht e dinte mirëfilli se Bajroni i kishte vizituar viset e stërgjyshërve të tij.
Sipas të gjitha gjasave, poetët e mëdhenj ndikojnë në poetët e tjerë, duke cytur zhvillimin e talentit poetik të këtyre të fundit. Ka të ngjarë senjë ndikim të tillë ushtroi edhe Bajroni në De Radën tonë të talentuar që në moshën e rinisë.
De Rada, sipas opinionit tonë, duhet ta ketë lexuar Bajronin në italishte, në të cilën gjuhë veprat e Bajronit ishin përkthyer edhe para vdekjes së Bajronit, ose në ndonjë përkthim në frëngjishte, të cilën De Rada e njihte mjaft mirë.
Ka të ngjarë, gjithashtu, se De Rada i ka përcjellë me vëmendjen më të madhe polemikat e rrepta që u zhvilluan asokohe në të përkohshmet letrare mes neoklasikëve italianë dhe romantikë, kalabrezë e napoletanë, të cilët, në të shumtën e rasteve, ishin bajronistë të zjarrtë.
Mirëpo është interesant të theksohet se edhe De Rada, si Bajroni dikur, mori pjesë në Lëvizjen Nacionale për çlirimin e Italisë; de Rada mori pjesë në më se dy kryengritje kundër tiranisë habsburge.
Mes Bajronit dhe De Radës ekzistojnë edhe disa koincidenca të çuditshme për formimin dhe pjekurinë e tyre politike.
Sikundër dihet, Bajroni në fillim të krijimtarisë së tij poetike, sidomos në përmbledhjen “Çastet e kotësisë”, na shfaqet dishepull, ose admirues apo edhe përkthyes i Anakreontit, Pindarit, Euripidit, Eskilit, Lezbisë dhe poetëve të tjerë të antikës. Edhe De Rada, siç dimë, në një fazë të krijimtarisë së tij poetike, frymëzohet nga Anakreonti, Pindari dhe poetë të tjerë klasikë. Muza e antikës u vjen në ndihmë të dy poetëve. Ndërsa në këngën e parë, të shtegtimit të “Çajld Haroldit”, Bajroni i drejtohet asaj me këto fjalë:
O Muzë! Që n’Elladhë hyjni të kishin
Përfytyruar siç i teket bardi!
Lirat e ra të kanë poshtëruar,
Andaj s’guxoj të grish prej Parnasit.
(Çajld Harold, Këngë I, 1)
De Rada, në gushtin e vitit 1836, kur e përgatiste për botim për të parën herë “Këngët e Milosaos”, si epigraf të poemës së tij, i merrte këto vargje të Pindarit:
Ndihmomë, o Muzë
Se gjet asnjë formë të re
Të poezisë…[20]
Dhe me këtë rast tregonte që ai kish bindjen e thellë se vepra e tij ishte autentike dhe origjinale.
Nga ana tjetër, dihet mjaft mirë se Bajroni e konsideronte Poupin, përfaqësuesin e poezisë neoklasike angleze, mësuesin dhe frymëzuesin e vet, prandaj edhe deklaronte se Poupi nuk e kishte shoqin në poezinë angleze. Ashtu sikundër Bajroni, ndonëse poet romantik, de Rada qe adhurues i madh si i Horacit dhe Virgjilit ashtu edhe i Dantes, Petrarkës, Tasos, Afriostos, Shekspirit, Montit e të tjerëve.
Njëherësh, derisa me “Çajld Haroldin” e tij Bajroni i zbulonte shqiptarët si tematikë në letërsinë evropiane që në vitin 1812, De Rada, nga ana tjetër, me botimin e “Këngëve të Milosaos” më 1836, ishte ndër shqiptarët e parë, i cili, pas vdekjes së Skënderbeut, e ngriti zërin e tij për t’i shpallur mbarë botës se ekziston një komb shqiptar me një gjuhë të tijën, me historinë dhe të drejtat e tij.
Dhe, ç’është me rëndësi, si Bajroni ashtu edhe De Rada[21], secili në mënyrën e tij, ku më pak e ku më shumë, u frymëzuan nga shqiptarët, historia, doket, virtytet, peizazhet dhe trojet e shqiptarëve. Një frymëzim i tillë nuk është i njëjtë te këta dy poetë romantikë. Ndonëse Bajroni e pa një pjesë të Shqipërisë, ndërsa De Rada s’e pa askurrë atë, Bajroni ishte poet romantik anglez, kurse De Rada ishte stërnip dhe bir shqiptari, poet shqiptar.
Më në fund edhe zhvillimi poetik dhe pjekuria artistike e De Radës, fare rastësisht, përkojnë tërësisht me lulëzimin e bajronizmit në romantizmin kalabrez dhe napolitan. Prandaj, s’është çudi se përse De Rada, kur nisi t’i bëjë provat e para poetike italisht, e pak më vonë edhe shqip, me sa dihet, ishte nën ndikimin e Bajronit.
Pothuajse të gjithë studiuesit e De Radës janë të mendimit se De Rada e lexoi Bajronin, u entuziazmua me të, u ndikua nga ai mirëpo, kur shtrohet çështja se ç’mësoi De Rada nga Bajroni, ç’gjë huazoi nga vepra poetike e mësuesit të vet dhe sa e shfrytëzoi atë që mësoi nga Bajroni si poet në krijimtarinë e vet, përgjigjet, deri më tani, kanë qenë të përgjithësuara.
Sikundër dihet mirëfilli, bajronistët italianë të jugut huazuan nga mësuesi i tyre jo vetëm zhanrin apo formën letrare, por edhe syzhetë, kompozicionet, temat, motivet, metodën lirike të këngëtimit, portretizimin e heroit e heroinës, figurat poetike, disponimet poetike etj.
Si qëndron çështja e bajronizmit të De Radës në këtë mes?
Duhet të vëmë në pah se De Rada, pos dashurisë së zjarrtë rinore që pati për letërsinë popullore shqipe, e kompletoi kulturën e vet letrare edhe me leximin e romantikëve të kohës, si Bajronit, Ygos, Shegelit etj., dhe kësodore, krijoi vepra poetike, romanin lirik autobiografik në vargje, me të cilin zë fill poezia artistike shqipe. Ndërkaq, De Rada, sipas të gjitha gjasave, mësoi nga mësuesi i tij, Bajroni, pikërisht formën e re të kompozicionit të poemës romantike. Gualtieri e mbështet me mjaft të dhëna këtë pohim. “Këto romane në vargje, – shkruan ai, – asokohe ishin bërë një lloj mode dhe s’do mend prejardhja e tyre ishte bajroniane”.[22]
Megjithatë, pas një përqasjeje të tërësishme të veprave poetike të të dy poetëve, do të na bëhen të qarta disa dukuri interesante të bajronizmit deradian, të cilat janë dukuri specifike të krijimtarisë poetike të De Radës.
Epi heroik i epokës së klasicizmit është një vepër narrative, e mbarsur si me ngjarje të jashtme ashtu edhe me episode konsekuente në rrëfimin e ngjarjes, si me tonin objektiv të narracionit ashtu edhe me syzheun heroik, në të cilin këndohen dhe lartësohen ngjarjet me rëndësi nacionale dhe historike, ku pikturohen heronjtë madhështorë të luftërave të famshme, të veprave të idealizuara, ku shpeshherë, në zhvillimin e ngjarjeve, marrin pjesë perënditë, fuqitë hyjnore, personazhet alegorike dhe abstrakte.
Ndërkaq, për dallim nga epi heroik, poema romantike bajroniane, rëndom përqendrohet rreth një heroi, përshkruan ngjarjet e jetës së tij të brendshme, konfliktin e tij shpirtëror në kuadrin e një syzheu novelistik. Një poemë e tillë ka uverturë lirike, aksion të papritur, të drejtpërdrejtë, situata të veçanta dramatike, fragmentarizëm dhe mjegulli në shprehje, monologë dhe dialogë dramatike, mënyrë lirike të narracionit poetik, digresione, interesim e, madje, edhe ndërhyrje emocionale të poetit për fatin e heronjve dhe rrjedhën e ngjarjeve, mishërimin e herëpashershme të poetit me përjetimin, preokupimin, pasionet, përsiatjet dhe bredhjet e heroit të poemës.
“Poemat orientale” të Bajronit, pothuajse të gjitha, kanë një skemë të njëjtë të syzheut. Në shumicën e këtyre poemave paraqiten tre aktorë veprues: 1. Heroi (“i dëbuari”, “mëkatari”, “i damkosuri” ose “fajtori”); 2. E dashura e tij (“bukuroshja orientale” ose “bukuroshja e krishterë”); 3. Antagonisti i heroit (nipi i pashës, veziri, burri etj.).[23]
Në epiqendrën e veprimit të ngjarjes gjendet gjithnjë heroi i poemës, kurse të gjitha ngjarjet e jashtme projektohen dhe kushtëzohen nga sjelljet e tij. Heroi bie në dashuri me heroinën. Çifti i të dashuruarve has në pengesë në personin e tretë (antagonistët e heroit, babanë, burrin ose rivalin e heroit). Pavarësisht prej pengesave të jashtme, heroi i poemës bën përpjekje që të sendërtojë qëllimin e dashurisë së tij. Këto veprime e përbëjnë fabulën e poemës që kryesisht varet nga veprimi i heroit dhe shërben për shfaqjen e cilësive të tij, duke i shfaqur simptomat e përjetimeve, të përpjekjeve dhe të sjelljeve të tij ndaj të tjerëve, me ç’rast, herët a vonë, ai bëhet shkak i vdekjes ose i vrasjes së të dashurës, kursenë disa raste, edhei fundit të vet tragjik. I këtillë është syzheu i “Gjaurit” (Gjauri – Lejla-Hasani), i “Nuses së Abidosit” (Selimi-Zulejka Xhaferi) i “Rrethimit të Korinthit” (alpi-Tereza-Konti), ndërsa në “Bepo” kemi të bëjmë me një parodi (Grafi-Laura-Bepo). Te “Don Zhuani”, në kaptinën e parë, syzheu është tragjikomik në episodin ku paraqiten Zhuani-Hajdhija-Lambroja.
Në një shuarje të këtillë të syzheut heroi i poemës bajroniane është ngaherë aktiv, e ka iniciativën kështu që me veprimet e tij e përcakton dhe e drejton deri në një masë zhvillimin dhe rrjedhën e narracionit.[24]
Me fjalë të tjera, “Poemat orientale” të Bajronit janë konstruktuar, në radhë të parë, nëpërmjet gërshetimit të temave elementare të dashurisë dhe të vdekjes. Në poemat më të thjeshta për kah struktura, heronjtë kryesorë të poemës synojnë, në mënyra të ndryshme, të arrijnë dimensione alegorike, duke përfaqësuar kryesisht qoftë dashurinë, qoftë vdekjen, qoftë gërshetimin e dashurisë e të vdekjes. Në poemat më të ndërlikuara orientale të Bajronit heronjtë orvaten ta sendërtojnë qëllimin e tyre përmes një intensiteti më të dendur dramatik të përjetimeve dhe pasioneve të tyre, me ç’rast heroi ose hakmerret, ose vritet nga kundërshtari, ose mbetet të vuajë në vetmi dhe harresë.[25]
Ndërkaq, në “Milosaon” e De Radës, në vend të dashurisë dhe vdekjes, triumfon dashuria ndaj atdheut. Kjo dashuri është edhe më e madhe se dashuria kundrejt Rinës. Vërtet dashuria e vdekja janë të pranishme në shumicën e poemave të De Radës, mirëpo ato s’kanë atë funksion të caktuar të cilin e kanë në poemat orientale të Bajronit.
Në “Milosao” De Rada rikrijon një periudhë të lavdishme të së kaluarës heroike të popullit shqiptar, rikrijon shekullin XV, kur shqiptarët ishin të lirë. Prandaj, heroi, edhe pse i çorientuar nga e ëma për shkak se e ka harruar atdheun, s’është asi damkosur dhe asi dëbuar si heroi bajronian, por në një mënyrë të tërthortë duket sikur i fton bashkatdhetarët për të luftuar kundër pushtuesit osman.
Milosao, heroi i “Milosaos”, s’ka antagonistë në dashuri, po ka një kundërshtar të madh – armikun e vendit, kundër të cilit heroi i poemës është i gatshëm të luftojë gjithnjë. Edhe poema deradiane, si ajo bajroniane, ka një fund tragjik. Mirëpo, derisa në poemën bajroniane heroi bie viktimë e dashurisë individuale, i hakmarrjes ose i urrejtjes, në poemën deradiane, fjala vjen, në “Milosao”, heroi, pasi shijon dashurinë familjare, njeh pikëllimin e humbjes së të gjithë të dashurve, i vdesin e ëma, i biri, e shoqja dhe mbetet vetëm, shkon në sheshin e betejës ku bie duke luftuar kundër armikut të vendit.
Edhe heronjtë e tjerë të poemave deradiane, si Bosdari, figurë komplekse dhe kontradiktore, që pas shumë përpjekjesh me armikun goditet nga rrufeja, Artisi, i cili e vret armikun turk në dyluftim dhe futet në burg; Astiri, i cili kapet teksa përpiqet të vrasë të birin e sulltanit dhe vritet bashkë me të dashurën etij Gonetën; Radavani, i cili vritet si trim, në fushë të betejës, dhe pothuajse të gjithë të tjerët spikaten me ndjesitë e thella të shpirtit: lirinë, dashurinë patriotizmin dhe altruizmin. Në poemat orientale të Bajronit vendi i ngjarjeve është Orienti mysliman – Greqia, Shqipëria e jugut, mirëpo edhe në poemat deradiane vendetë ngjarjeve s’janë vetëm Kotori e Shkodra, por edhe Kruja, Zadrima, Arta, Himara, Janina, Turqia etj. Në poemat Orientale të Bajronit heroi rëndomë është evropian, i dëbuar nga rrethi ku jeton, me dhunë ose me “vullnet”, por kundër dëshirës së vet, ndërsa në poemat deradiane heroi rëndom dëbohet në qoftë se e vret armikun mysliman, ose nëse shkon të luftojë kundër invaduesit që ua ka shkelur atdheun. Historia e zhgënjimit të heroit bajronian rrëfehet në reminishenca të përgjithësuara biografike të heroit ose të autorit, i cili fare lehtë identifikohet me heroin e tij, ndërsa kronologjia e përjetimeve të heroit deradian jepet në një sërë tablosh të shkëputura e, herë-herë, edhe të pavarura, me ç’rast autori, edhe pse është zëdhënës i heroit, nuk pëlqen të identifikohet me heroin e poemës.
Ka edhe një sërë përngjasimesh, koincidencash dhe dallimesh në mes të poemave të dy poetëve. Derisa në poemat orientale të Bajronit ngjarja fillon papritur, “ex abrupto”, ose midis rrëfimit, ose në formën e monologut të heroit, në formën e kujtimit, në poemat e De Radës, ngjarja kërkon një farë mase, një lloj gradacioni jo gjithaq të përpiktë, por të përmbajtur. Përderisa heroi bajronian është njeri i vetmuar, misterioz, për jetën e të cilit ne si lexues dimë fare pak ose aspak, heroi deradian zakonisht është ose nga ndonjë familje e njohur trimash dhe bujarësh shqiptarë, ose ndonjë kreshnik i legjendës dhe folklorit shqiptar, ose njeri i afirmuar në saje të virtytit të patriotizmit dhe të guximit. Ngjarjet esenciale në disa poema të Bajronit nuk ndriçohen deri në fund, por për to poeti na lë të kuptojmë se “flitet”, “kallëzohet”, “thuhet”, “pëshpëritet”, ndërsa ngjarjet esenciale të poemave të De Radës ose sqarohen deri në fund ose mbeten në mjegullinë.
Siç dihet, në “Poemat orientale” të Bajronit hasim në përshkrimin lirik të situatës së jashtme, në tablo të mrekullueshme të natyrës, zakonisht në formë të uverturës, në përshkrimin e pamjes së jashtme të heroit dhe heroinës, në portretizimin e hollësishëm të tipareve të tyre, në cilësitë e gjendjes së tyre shpirtërore, në pikturimin e situatës psikologjike të heroit dhe të heroinës, në ndërhyrjen subtile dhe lirike të autorit në rrjedhën e ngjarjes. Në poemat deradiane hasim, gjithashtu, në përshkrimin lirik të situatës së jashtme, në tablo peizazhesh arbërore, në uverturë, por në një përpjesëtim më të zvogëluar, më të shkurtër e më të përmbledhur. Hasim edhe në përshkrimin e gjendjes shpirtërore të heroit dhe të heroinës, por tiparet e tyre të jashtme jepen me fjalë, epitete dhe metafora tepër të përgjithësuara dhe lakonike.
Kapërcimet formale të narracionit të poemave orientale, që janë pasojë e ndërrimit të pikës së vrojtimit të autorit ose të tregimtarit, kalimi nga toni narrativ, përshkrues ose refleksiv në tonin lirik nga pyetja në këlthitje, nga digresioni lirik në një disponim të hidhur, nga një kohë në tjetrën, nga një ngjarje episodike në tjetrën, nga monologu në dialog ose anasjelltas janë të pranishme edhe në poemat deradiane por, s’do mend, në forma më të zbutura e më të dobësuara.
Në poemat e tij orientale Bajroni, ngandonjëherë, nga forma metrike e poemës lirike, bën aq ndërprerje dhe digresione të narracionit saqë lexuesi ka përshtypjen se poema bajroniane përbëhet nga disa fragmente ose njësi të tërësishme, të palidhura kompozicionale. Kësaj procedure, në mënyrën e tij, i përmbahet edhe De Rada në disa poema, prandaj Markianoi vëren se poema deradiane, në mos në formën e jashtme, atëherë në konceptimin e saj është një dramë e gjerë me nota tragjike të fuqishme që mund të zbërthehet në një tetralogji madhështore, ku secila pjesë mishërohet në një protagonist, Serafina, Bosdari, Eroda, Paralia.[26] Njëherësh, edhe te vepra poetike e De Radës, digresionet, translatet, ndërtimet e spërdredhura, elipsat e shpeshta, format sintetike mjaft të lira[27], jo vetëm që hove-hove e pengojnë të kuptuarit e mendimit, por të lënë përshtypjen se janë fragmente apo episode të pavarura që s’kanë fort lidhje me tërësinë e poemës.
Poemat orientale të Bajronit, në uverturën e tyre, rëndom përfshijnë përshkrimin e visit, të natyrës së jugut ekzotik, të klimës, të veçorive etnografike të kombit, të dokeve, të njerëzve ku zë fill ngjarja dhe përgjithësimet emocionale të poetit. P. sh., te “Gjauri”, në fillim të poemës, hasim në këto vargje:
Klimë e bukur, ku çdo stinë buzëqesh
E lumtur mbi ata ishuj të bekuar
Që të soditur nga lartësia e Kalonës[28]
Ta kënaqin zemrën që përshëndet atë pamje
(7-11)
Ndërkaq, “Nusja e Abidosit” fillon me këto vargje:
A e dini visin ku qiparisi e mirta
Janë emblemë të veprave që ngjajnë në atë klimë?
A e dini vendin e kedrëzs e të hardhisë
Ku lulet lulëzojnë ngaherë, rrezet ndriçojnë përherë,
Ku krihet lehta të zefirit, të mbarsura me trandje,
Vilanosen mbi kopshtijet e Trendafiles së çelur
Ku limoni e ulliri janë frutet më të bukura
Dhe ku zëri i bilbilit s’pushon askurrë…
(1-10)
Te “Korsari” në uverturën e poemës kemi të bëjmë me këngën e kusarëve të detit:
Mbi ujrat e qeta të detit të errët blu
Mendimet tona s’kanë të sosur
Shpirtrat tona janë aq të lira
Sa puhia e detit dhe vrulli i shkumës…[29]
(1-5)
Kështu, pos një hyrjeje të këtillë, të dhënë me një sërë epitetesh, simbolesh, hiperbolash lirike, figurash, përshkrimesh emocionale, jepet disponimi paraprak i heroit të poemës. Uvertura, zakonisht, s’ka lidhje të ngushtë me ngjarjen e poemës, por me formën e një digresioni lirik të poetit, krijon mundësinë për paraqitjen jashtëkohore, statike dhe të përgjithësuar të visit e të kombit, atraksionin e një ambienti të tillë për shpirtin e poetit. Pas uverturës, jo ngaherë, zë fill ngjarja e poemës. Në disa raste jepet vetëm situata ose tabloja karakteristike e ngjarjes, pothuajse gjithherë e përgjithësuar. Në rastetë tjera, të shpeshtën e herëve, ngjarja e poemës orientale, fillon papritur, nëpërmjet ndonjë skene efektive ose tabloje të qëlluar.
Si Bajroni, De Rada ka zakon t’ia fillojë poemës së tij ose me digresione lirike, ose me dekoracionin artistik të situatës së ngjarjes, apo me përshkrimin e peizazhit të bukur të banesës, visit, klimës, natyrës, dokeve dhe disponimit të heroit ose të heroinës së poemës.
Kështu, fjala vjen, “Këngët e Milosaos” fillojnë me këto vargje:
Lisa toka kish ndërruar
Dhe në det ujë të ri
Ditësh t’reja kalthëronte,
Po lumbardha e Anakreontit
Aq e moçme në Tempë rronte.
Një dit’ shkoi për ujë malit
E s’u kthy si e kish zakonë.
Atë nuk e ngriu asbora,
S’e përgjaku as shigjeta,
Por larg iku, gjersa zbriti
Në fatbardhën shtëpi time.
Kur agimit iu zbuluan,
Si ngazëllim që del nga sytë,
Dheu me shtëpi dhe deti,
Ajo duke rrahur krahët,
Xhamash dritares më zgjoi.
Vrap u ngrita e vështroj jashtë,
Përshtat vendit tonë i shkonte.[30]
(1-20)
Poeti i zgjuar rrëfen më tej se vazhdoi ta vështrojë natyrën, visin e vendlindjes, duke e dhënë me mjeshtëri peizazhin e visit, dekoracionin artistik të uverturës, një vlerësim të disponimit të frymëzuar poetik, derisa në këngën e dytë të “Milosaos”, kur heroi e has në krua të bijën e Kollogresë, zë fill pjesa e parë e ngjarjes.
Në poemën “Një pasqyrë shtegtimi njerëzor”, në librin IV, kënga eparë, ku poeti jep përshkrimin e Skënderbeut me Donikën e arvanitëve, gjejmë një uverturë të këtillë:
Ish mesdita edhe vallja,
E hareshme, e pakujdesje,
Si t’ish gjallë koha e pleqve,
E gjet shtëpinë krenare
Të Gjonit të Kastriotvet.
Mbi fron të praruar rrinte
Musja, e bija e Arianitit…
(1-8)
Pas kësaj tabloje të përgjithshme jepet përshkrimi i skenës solemne të dasmës, tiparet e bujareshave të ardhura, atmosfera e dasmës, pastaj kalon në një ngjarje të papritur, me ç’rast të dy shemrat dhe rivalet në dashurinë e Serafinës, Niku dhe Bosdari, gjenden në pragun e dyluftimit me kordha.
Në “Katër histori të Shqipërisë”, në historinë e parë ku këndohet për Anmarien e kominiatajve, e cila, me bashkëshortin venedikas niset për në Napoli, kemi një uverturë të këtillë:
…Shkoi një javë e në mesditë
Kreshtëroi veriu i ftohtë
Detnë e kaltër dhe katarresh
Fërshëllinte. Ulen velat dhe çengelat vrik u ngritën,
Në breg duket kotullkuqe,
Vuri re Lenën te barka,
Rrahur valësh shkumbëbardha.
(1-9)
Këtu, siç shihet, fill pas përshkrimit të motit e të klimës, De Rada kalon në paraqitjen e heroinës së poemës.
Është interesant se përshkrimi i natyrës në poemën bajroniane është i lidhur ngushtë dhe drejtpërsëdrejti me situatën konkrete dhe disponimin lirik të heroit ose të ngjarjes. Motivet e rëndomta, që shfaqen me këtë rast, janë tablotë me rrezet e fundit të diellit, hëna dhe yjet që llamburitin në qiell, nata e qetë, gurgullima e përroskave, shushurima e gjetheve, zhaurima e valëve, kënga e bilbilit etj.
Preludetë këtilla hasim te “Gjauri”, ku thuhet: “Rrezet e fundit të diellit e ndriçojnë sipërfaqen e dheut dhe pasqyrohen në përroskën e bjeshkës”, te “Nusja e bidonit”, në skenën e takimit të natës, ku thuhet se: “Erërat u përkulën mbi valët e Helespontit”, te “Korsari”, ku përshkruhet: “Dielli i perëndimit po kridhet me ngadalë e me hijeshi, pos kodrinave të Moresë”, te “Lara”, ku përshkruhet: “Nata mërtisi dhe në pasqyrën e valëve, duken dritat e yjeve të shkëlqyeshme”, te “Rrethimi i Korinthit”, ku nata përshkruhet kështu: “Nata ra. Mbi malet e thepisura e të errëta, u ngit hëna e ftohtë, e plotë”.
Këso preludesh janë të pranishme edhe në disa përshkrime, tablo dhe skena lirike të poemës deradiane. Kështu, në “këngën” që e këndon e bija e Kallogresë, te “Milosao”, kemi një prelud të këtillë:
Si ndrit dhe qielli përmbi kodrën tënë!
Atje sipër gështenjash përmbi fshat
Me një yll tok u ngrit e bardha hënë.
Te “Skënderbeu i pafat”, në librin I, kënga e tretë, ku jepet “Rrëfimi i Gjon Kastriotit”, kemi këto motive të natyrës: “Si mbaroi dita djegtare, na u ndje shatorja e qiellit, gjithë yjë, shumë larg nesh”, ose më tej: “Në mes qiellit, filli e vetme hëna e plotë ndriste botën, edhe Tokën pa kufi”. Sërish te “Skënderbeu i pafat”, në këngën “Gjon Huniadi dhe Skënderbeu”, lexojmë: “Qielli nxihet, vetëtimat me gjëmime çajnë retë. Shiu me shtamba e mbyll ditën”.Këtokushte atmosferike, një mot i tillë, e mbron Gjon Huniadin nga armiqtë. Në poemën “Një pasqyrë shtegtimi njerëzor”, në librin IV, kënga e parë, lexojmë: “Si prej pllakash të kristalta, stisur ishte ana e jugës, dhe përpara se të gdhihej, si pasqyrë e mbante hënën, dhe ndonjë yll në qiell kundruall”. Në “Katër histori të Shqipërisë”, në poemën “Videlaidja”, kemi kësi motivi lirik të natyrës: “As anija qëtë ruan, nga tallazet dhe shtrëngatat, s’të është e besës, trim, sa unë!”, ndërsa në “Anmarien e kominiatajve”, në historinë e parë, kemi kësi motivi lirik të natyrës: “Dhe puhija e ngaditshme, ndehej, çdo gjë hijeshonte”.
Këngët lirike, me strofë tjetër dhe motive të tjera, janë të pranishme në disa poema orientale të Bajronit.E tillë është “Lamtumira” te “Çajld Haroldi”,“Tamburxhi, Tamburxhi” te vepra e njëjtë, “Kënga e kusarëve”, te “Korsari”, “Kënga e Medorës” te “Don Zhuani” etj.[31]
Këngë të ngjashme ka edhe në disa poema deradiane. Mjafton ta përkujtojmë “Këngën e rinisë” te “Milosao”, “Këngën e vashës së Danjës”, te “Gjakovitit dhe Gavrillës”, te “Skënderbeu i pafat”, “Këngën e lamtumirës” dhe “Këngën e zadrimoreve Serafinës”, te “Një pasqyrë e shtegtimit njerëzor” etj.
Dihet mirëfilli se plani artistik i poemës lirike kërkon një përpunim të hollësishëm të syzheut. Te Bajroni nuk gjejmë një narracion të lidhur dhe me kontinuitet historik që do ta përfshinte rrjedhën e plotë të ngjarjeve, prej fillimi e deri në mbarim të poemës. Pos kësaj, në poemën bajroniane mungon, të shpeshtën e herës, gradualiteti i rrëfimit, natyrshmëria e kthesave që janë veçori të epopesë klasike. Poeti, rëndom, përqendrohet rreth ndonjë skene me tension të lartë dramatik, duke iu shmangur kontinuitetit të ngjarjes dhe kështu arrin efekte të dëshiruara estetike. Si në ndonjë dramë, Bajroni na jep një sërë situatash të theksuara nergut të ndara nga njëra-tjetra me intervale kohe dhe motivesh, në formë fragmentesh të pakryera, të cilat përshkohen nga një cilësi e përgjithshme emocionale, me një ton lirik të spikatur, me ngjarjen e papritur e të rrëmbyeshme, me një intensitet efikas poetik dhe artistik.
Shumë kritikë dhe recensentë të Bajronit kanë bërë fjalë për fragmentarizmin e poemave bajroniane. Me atë rast, lindën edhe një mori polemikash rreth asaj se sa ishte e qëlluar si veçori e kompozicionit të veprës artistike fragmentarizmi ose ndërprerja e idesë së shtruar, përshkrimit, ngjarjes dhe kalimi në idenë e përshkrimit ose ngjarjen e re. Ndërsa njëra palë e kritikëve të poemës bajroniane e kritikoi rreptë, e qortoi Bajronin për kapërcimet, fragmentet, boshllëqet e lëna me qëllim në poemë si dhe mendimet e pakryera, digresionet e shpeshta, pala tjetër e kritikëve të Bajronit e të veprës së tij, në poemat e “çthurura”, të “këputura”, e fragmentare ose “të cunguara” bajroniane, gjeti aftësinë e Bajronit për ta zgjuar vëmendjen e lexuesit, mjetin për ta arritur efektin e duhur artistik dhe estetik qoftë në skena tragjike, qoftë në përshkrimin e detajeve, qoftë në gjestet dhe veprimet e papandehura të heroit, qoftë në spikatjen e çasteve intensive të përjetimit të heroit.[32]
Me sa duket, një teknikë e këtillë kompozicionale i ndihmoi mjaft edhe De Radës për hartimin poemave të tij. Mirëpo, sa i përket fragmentarizmit të veprës deradiane, kritikët tanë nuk pajtohen në mendime dhe vlerësime.
Markiano, fjala vjen, shpreh mendimin se “Milosao” e De Radës është e përbërë nga një sërë tablosh. Markiano mendon se jo vetëm “Milosao”, por tërë vepra deradiane vuan dhe çalon nga dezorganizimi i tërësisë.[33] Një mendim të tillë nga kritikët e veprës deradiane do të miratojë dhe ripohoi Pavolini.[34] Mirëpo Gualtieri, nga ana tjetër, duke vënë në pah se De Rada shkroi nën ndikimin e frymëzimit, pa ndonjë plan të fiksuar, jo vetëm që s’kritikon një teknikë të tillë të fragmentarizmit por, përkundrazi, thekson se pikërisht një teknikë e tillë është veçoria romantike e veprës deradiane ose, sipas fjalëve të tij, “kuinstenca e artit romantik”.[35]
Edhe Gradilone e mbështet këtë pohim. Sipas tij, “ajo që iu vesh atij (De Radës, A.K.) si një e metë është, në të vërtetë, origjinaliteti e, do të thosha, edhe modernizimi i poezisë së tij”.[36]
Fragmentarizmi i veprës deradiane është kritikuar edhenë historinë e letërsisë shqipe. Në “historia e letërsisë shqipe” të Dh. S. Shuteriqit, në pjesën ku vlerësohet “Milosao”, thuhet se këngët e “Milosaos”, “sado që u rreshtuan sipas një rendi logjik e u ndërlidhën me karakterin e tyre prej krijimesh indipendente… ja përse vepra mbeti fragmentare, e formuar nga copëza që lidhen në mes tyre me një fije të lehtë, po diku me vështirësi e me ndonjë vend, edhe nuk lidhen”.[37] Kështu që, sipas fjalëve të Shuteriqit, “fragmentariteti e bën poemën të zorshme. Aty nuk ndiqet lehtë vija e tregimit. Poema ka zbrazëtira, gjëra që nuk janë thënë për heronjtë e për ngjarjet që lexuesi duhet t’i marrë me mend”.[38]
Edhe me një rast tjetër, në të njëjtin studim, theksohet se veprat e De Radës vuajnë nga fragmentarizmi, nga njëzimi i tyre i dobët.[39] As në “Historinë e letërsisë shqipe I, II”, nga një grup autorësh, fragmentarizmi i veprës deradiane vlerësohet si i dëmshëm, si paqartësi, si mungesë e organicitetit, të kompozicionit, si ç’thurje, si vështirësi për leximin, përcjelljen dhe kuptimin e veprës.[40]
Më vonë Shuteriqi do të bëjë një evolucion në gjykimet e tij mbi fragmentarizmin e veprës deradiane. “Njihet fakti që, posaçërisht me botimin e ‘Skanderbegut të pafanë’, – shkruan Shuteriqi, – De Radës iu ngrit, prej kritikës, çështja e fragmentaritetit të artit të tij dhe çështja e paraqitjes mjaft të vështirë ose, më mirë, të errët të këtij arti. Këto çështje, kritika dhe historiografia letrare i ka rrahur gjer në ditët tona, gjer në kohën e fundit”.[41]
Shuteriqi vëren se ari i De Radës, sikundër qenka vënë në dukje, qenka sintetik dhe joanalitik dhe, si i tillë, “me fare pak kërkon të japë shumë, të bëjë përgjithësime të mëdha figurative dhe ideore, një art që sugjeron më shumë se që shfaq”.[42] Për këtë arsye, Shuteriqi arrin në përfundimin se: “Ky art lexuesin e bën të mendojë e të zbulojë, si në një dritare të çelur, prej së cilës planin e parë e ke pranë dhe e sheh mirë po, më tej, planet e tjera duhet t’i vëresh e t’i shqyrtosh, të depërtosh në bukuritë disa herë sapo të skicuara, në mos të mjegulluara të tyre. Dhe kjo, pa dyshim, është një meritë e artit deradian”.[43]
Prandaj ai vëren me të drejtë se fragmentariteti i veprës së De Radës shpjegohet nga dëshira e poetit për të dhënë esencialen, për të mos e ngarkuar “poezinë me imtësi të panevojshme, për të mos vendosur as lidhjet, që mund të vetëkuptohen midis ngjarjeve ose këngëve”.[44] Këtë tezë do ta ripohojnë edhe Kastrati, Kadare, Brahimi etj. Kastrati, në një studim të tij mbi De Radën, shkruan: “Ai pikëzon vetëm disa episode, ato më të rëndësishmet, natyrisht, dhe ia lë fantazisë së lexuesit lirinë e gërshetimit të tyre”.[45] Kadare, duke bërë fjalë për fragmentarizmin e veprës deradiane, thotë: “Mendimi se ‘Milosao’ vuan nga fragmentarizmi është i vjetër, gati një shekull, dhe kjo duket nga letra që shkrimtari italian Tomaseo i dërgon De Radës, ku e hedh poshtë këtë mendim”.[46] Kadare beson se fragmentarizmi i veprave të De Radës është një prej çështjeve mëtë diskutuara e më të diskutueshme të krijimtarisë e të parimeve krijuese të De Radës dhe i bashkohet Kastratit, Kadaresë, Shuteriqit etj., të cilët janë të mendimit se fragmentarizmi është një parim estetik i De Radës. Ai shkruan: “Kophë më parë Dh. Shuteriqi ka përmendur mendimin e drejtë se fragmenatrizmi i ‘Milosaos’ rrjedh prej parimit estetik të De Radës, i cili mendonte që në konceptin dhe reflektimin poetik të jetës duhet kapur vetëm kulmet, pikat më të larta duke i lënë lexuesit lirinë etë drejtën ta plotësojë vetë tablonë e të mbushë zbrazëtitë e lëna me dashjen poetit”.[47]
Brahimi ka qenë i ndërgjegjshëm e jo i rastësishëm dhe shënon kalimin prej poezisë epike narrative në poezinë lirike ose epiko-lirike moderne.[48]
Me fjalë të tjera, fragmentarizmi i veprës deradiane s’është një e metë, por është një meritë, ose një parim estetik, pikërisht si është edhe fragmentariteti i veprës bajroniane. Të dy poetët, në numrin më të madh të veprave të tyre poetike, pëlqejnë të bëjnë përgjithësime të mëdha ideore dhe figurative, t’i pikëzojnë episodet kulminante e më të rëndësishme, t’i kapin pikat më të larta, më intensive dhe më dramatike, duke i lënë lexuesit mundësinë që ta përkryejnë, ta mbushin eta kompletojnë tablonë, skenën apo rrëfimin ose, tekefundit, ta parafytyrojë atë.
Disa poema bajroniane kanë pika puqjeje me disa poema deradiane edhe në metodën lirike të këngëtimit. Në poemën lirike, sikundër dihet, poeti dhe zëri i tij dëgjohen tërthorazi ose drejtpërsëdrejti. Ngjarjet e jashtme në poemën lirike marrin një ekspresivitet emocional, me ç’rast vërehet se poeti s’e distancon veten nga ato por, përkundrazi, tregon ndërhyrje të konsiderueshme, ose mishërohet me heroin apo ngjarjen e saj, bëhet bartësi kryesor i përjetimit dhe i porosisë poetike.
Në poema të këtilla bajroniane vërehen këto karakteristika: pyetjet e shpeshta të poetit që e gjallërojnë poemën dhe tregojnë interesimin e tij lirik; këlthitjet dhe britmat, si shprehje e drejtpërdrejtë e tronditjes emocionale; përsëritjet lirike; format e ndryshme të anaforës e të paralelizmave lakonike; digresionet lirike; pasthirrmat; mahnitja dhe shqetësimet shpirtërore të heronjve ndaj të cilëve poeti s’mund të jetë indiferent; përgjithësimet subjektive dhe interesimi i pareshtur i poetit ndaj fatit të heronjve.
Kështu, në poemat orientale të Bajronit, poeti i rrëfen ngjarjet ose veprimet e heroit. Ai që më parë e di se si është puna por, megjithatë, e merr qëndrimin e dëgjuesit ose të dëshmitarit të habitur, të çuditur e të shastisur. Gjatë dënimit të Ygos, te “Parizina”, nga dritarja depërton një këlthitje e papritur e Parizinës, Bajroni pyet: “Nga vije ajo këlthitje lemeritëse? Selimi bie i goditur nga plumbi i Xhaferit. Bajroni pyet: Zëri kujt iu çierrë? Arma e kujt e goditi? Plumbi i kujt ushtoi në ajër? Lara është goditur për vdekje në luftë; pse aq papriturazi bie nga kali? Zulejka shkon në takim me Selimin; perse kish dalë nga haremi atë natë me tufan?” Kështu, atërori tregon interesim emocional dhe personal ndaj fatit të heronjve. Vëmendjen e lexuesit Bajroni di ta tërheqë edheme pyetje të tjera gjatë rrjedhës së ngjarjes, p.sh., me rastin paraqitjes së Gjaurit në ballë të cubave shqiptarë, ngrehet pyetja: “Kush u prinë atyre me jatagan në krahun e djathtë tëkuq?” Konradi paraqitet me këto fjalë te Korsari: “Cili është ai shtegtar i vetmuar i cili qëndron duke e shikuar detin larg?” Xhaferi pyet në fund: “Ku është bija ime?” Dhe jehona thotë: “Ku?” Pastaj janë edhe pasthirrmat e ndryshme, fjala vjen: “Oh, e lumtur, tri herë e lumtur është Zulejka që vdiq aq herët!” Ose: Oh vis i mrekullueshëm! Ose: “Ai s’di se ç’je në gjendje të bësh ti, Gjylnarë!” Edhe përsëritjet janë të konsiderueshme në poemat orientale të Bajronit, p. sh.: “A e di visin?” Ose: “E bukur si femra e parë!” Ose: “Kush po përkulet mbi fytyrën e të fjeturit?” Ose: “Po, ajo qe dashuri” etj.
Në poemat deradiane, në një formë më të transformuar, figurojnë pyetjet, habia, pasthirrma dhe përsëritje të ngjashme. Kështu, te “Milosao” lexojmë:
“Vajzë, a më jep një pikë ujë?”
Sa të duash bir bujari”
Bijë ekujt më je, ti vashë?”
Te “Milosao” sërish lexojmë:
“O i bardhë, bir bujari,
Nëmë marsh, ku do më çosh?”
Në habi hasim në “Këngën e ligë” të “Milosaos”:
“Ç’të ligë ëndërr ndrit trimi!”
Në pyetje me anaforë dhe përsëritje hasim në “Betejën e Shkodrës”, të “Skënderbeut të pafat”.
“More bir, ç’po bën kështu?
Pse na shkel dhjatën e prindve?
Psena shkel zakonet tona?”
Ose në këngën “Ndeshja e Skënderbeut me dy tatarët”, të së njëjtës poemë, lexojmë:
“A’ e pe
N’e gërvishi shpata e tyre?”
S’di ç’të them! U gjegj Meleqi.
Sa të poshtër!” tha dhe grihet.
Ose, më tutje, në poemën “Gjon Huniadi dhe Skënderbeu”, lexojmë:
“Nëna e Krishtit të shpëtoi?”
Më poshtë në të njëjtën poemë hasim:
“Gjithë ç’janë sundimtarë,
Si hyjnorë e kanë fatin!”
Në këngën “Martesa e Skënderbeut”, të poemës “Një pasqyrë shtegtimi njerëzor”, kemi këto vargje:
“Kush ka më hije nga ti
që të fshihesh?”
Ose, po aty, në këngën “Parayllja e Radavani”, lexojmë:
Hej! Po ikni o t’Arbëreshë?”
Më tutje, në këngën e njëjtë, kemi:
“Mirësevjen, o trim bujar!
Por vonë erdhe për të mjerën
Paraylle: Helmoi veten!”
Megjithatë, në poemat deradiane ndërhyrjet e autorit shfaqen në një formë më të tërthortë se në ato bajroniane ndonëse, s’do mend, ka pyetje plot habi e mahnitje.
Bajroni, me sa duket, ka qenë për De Radën përfaqësuesi i poezisë së re, romantike, me tema të reja, stilin e ri, figurat dhe idetë moderne e të freskëta. “Poemat orientale” të Bajronit, me motivet e tyre melodramatike, narrative dhe efektive, me skemat e tyre dramatike, me një realitet të posaçëm poetik, me heronj romantikë, i kanë interesuar De Radës.
Është interesant se sa iu përket temave bajroniane, De Rada tregon një pavarësi të madhe. Ai u shmanget me mjaft sukses temave bajroniane në përgjithësi, ndonëse aty-këtu do të gjejmë ndonjë jehonë të tërthortë të ndonjë teme bajroniane ose ndonjë analogji të rastit.
Në poemën “Skënderbeu i pafat” të De Radës hasim në temën e “Gjaurit” të Bajronit. Veprimi i dy këngëve të fundit të kësaj poeme zhvillohet në oborrin e sulltanit, ku shtohet mëria ndaj Skënderbeut dhe kurdisen gracka kundër tij. I biri i sulltan Muratit, Mehmeti, zbulon dashurinë që ndien për Skënderbeun vajza e bukur e haremit të tij, Frozina dhe urdhëron ta vrasin. Frozina është vajza që edhe në rrethin e zvetënuar të haremit, ku e kanë futur me zor, ka ruajtur dëlirësinë e ndjenjave dhe dinjitetin. Ajo e dashuron Skënderbeun dhe e zbulon këtë ndjenjë intime duke qëndisur fytyrën e tij në një rroba. I biri i sulltanit e sheh, kupton gjithçka, shfryn inatin mbi të. Episodi i vdekjes së saj është ndër më të dhimbshmet e tragjikët: vajza hidhet e mbytet në liqenin e kopshtit të haremit, për t’i ikur një luani të lëshuar kundër saj.
Marrë në tërësi, këtu kemi të bëjmë me temën dhe fabulën e “Gjaurit”. Mehmeti, i biri i sulltanit, është Hasani i “Gjaurit”. Frozina është Gjylajshja e Gjaurit. Skënderbeu do të duhej të ishte në rolin e Gjaurit, ndërsa ka një dallim të vogël në fundin tragjik të dy poemave. Te “Gjauri” i Bajronit, gruaja e Hasanit mbaron tragjikisht në fund të liqenit, e mbyllur në një thes, kurse te poema e De Radës, Frozina, bën vetëvrasje duke ikur nga rreziku.
Temën e “nuses së Abidosit” do ta hasim si te “Serafina Topia” ashtu edhe te “Pasqyra e një jete njerëzore”, me fare pak ndryshime. Te “Serafina Topia”, fjala vjen, këndohet historia e dashurisë së kësaj heroine për Bosdar Stresin, dashuri e kundërshtuar nga prindërit e Serafinës, që e martojnë të bijën me Nikoll Dukagjinin. Edhe te “Pasqyra e një jete njerëzore” këndohet dashuria fatkeqe e Serafinës me Bosdarin, dashuri që kundërshtohet mes dy familjeve sesa nga arsyeja shtetërore e atdhetare. I ati i Serafinës është i mendimit se dëmi i madh i vjen Shqipërisë nga përçarja e krerëve dhe kërkon me anë të martesës së vajzës me Nikoll Dukagjinin, të përforcojë bashkimin e shqiptarëve në luftë kundër agresionit turk, duke lidhur mirë Shqipërinë e veriut me atë të jugut. Serafina detyrohet t’u shtrohet zakoneve të rrepta të jetës patriarkale.
Edhe te “nusja e Abidosit” Xhaferi e fejon me zor të bijën, Zulejkën, me beun “e padashur” të Korosmanit, duke dashur të lidhë një aleancë të volitshme politike. Ajo e dashuron Selimin mirëpo, përpara zakoneve patriarkale, s’ka ç’të bëjë, prandaj s’guxon ta kundërshtojë vullnetin e të atit. Si Zulejka, e cila pas vrasjes së Selimit nga i ati, fiket dhe shuhet para kohe, ashtu edhe Serafina, ndonëse nënë fëmijësh, pas lajmit mbi vdekjen e dashnorit të saj, Bosdarit, venitet në Artë para kohe.
Në veprën bajroniane heroi gjendet në qendër të vëmendjes. Figura e tij e plotfuqishme mbretëron si në imagjinatën e poetit, po ashtu edhe të lexuesit. Në poemat deradiane, heroi, gjithashtu, mbisundon, të shpeshtën e herës, me praninë e tij, në poemë. Mirëpo, ndërsa Bajroni i kushton vëmendje të posaçme përshkrimit të jashtëm të heronjve të tij, De Rada s’bën një përshkrim të tillë.
Në poemat orientale të Bajronit hasim një procedurë të këtillë të përshkrimit: 1. Statik dhe të përgjithësuar, si të ishte dhënë “prioriteti” jashtëkohor i heroit, pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen; 2. Të shpeshtën e herës poeti pëlqen t’i spikasë heronjtë e tij në një situatë të caktuar dramatike në lëvizje efektive, tronditëse, në poza karakteristike; herëve të tjera tablo të këtilla dramatike zgjerohen dhe zmadhohen; 3. Shfaqen disa motive të rastësishme përshkruese dhe stereotipa që përsëriten nga poema në poemë, fjala vjen: shprehja melankolike e fytyrës, lëvizjet dhe gjestet e njohura, balli i lartë i heroit, fytyra e zbehtë, vetullat e vërejtura, flokët e dendura e kaçurrela që të shprishura i derdhën në shpinë, sytë e errët, të ndritshme në errësirë, buzët e shtrembëruara nga përbuzja e cinizmi, shikimi herë i pikëlluar, herë enigmatik, buzëqeshja e çuditshme, gjesti, ecja krenare, zëri i rreptë, poza tipike në vetmi, qëndrimi luftarak dhe dinjitoz, sjellja superiore etj. “Portreti” i këtillë statik i heroit, që disi ndodhet jashtë kuadrit konkret të ngjarjeve, të lë përshtypjen se ka qenë i atillë edhe para fillimit të ngjarjes në poemë. Në poemat deradiane cilësitë dhe tiparet e përmendura të heroit bajronian paraqiten rrallë e përmallë ose, edhe kur paraqiten, atëherë janë të dobësuara, të kondensuara, të thjeshtuara. Rrallëherë do të hasësh në portrete bajroniane në galerinë e heronjve deradianë.
Në poemat orientale të Bajronit figura e heroit është kryesorja, prandaj poeti bën përpjekje të pareshtura që ta zbulojë jetën e tij shpirtërore. Në këtë mënyrë arrin një stilizim i veçantë, por me atë rast kalon nga konkretja, individualja, në gjykime të përgjithësuara morale dhe psikologjike në formë sentencioze mbi dashurinë, fatin, vuajtjen, peripecitë e shpirtit mëkatar, pendimin, përmallimin etj. Heroi bajronian, me fjalë të tjera, karakterizohet si nga përshkrimet e jashtme, portreti psikologjik, reminishenca biografike ose “historia e shpirtit” ashtu edhe nga përshkrimi ose pasqyrimi i gjendjes shpirtërore të heroit në një çast të caktuar të rrëfimit, vlerësimit ose pikturimit të një situate konkrete si dhe të spikatjes së simptomave ekspresive të përjetimit të heroit. Në veprat poetike deradiane, përshkrimi i jashtëm i portretit të heroit, pikturimi i gjendjes së tij shpirtërore, zënë një vend fare të vogël. Tiparet dhe karakteristikat e heroit deradian jepen në një formë jashtëzakonisht të shkurtër dhe të përgjithësuar. Në to mungon portretizimi i hollësishëm statik e psikologjik i heroit, ndonëse në disa raste ruhet reminishenca e shkurtër biografike, historia paraprake e shpirtit dhe përgjithësimet sentencioze.
Që të kemi të qartë se çfarë rëndësie ekskluzive ka pikturimi i botës shpirtërore të heroit bajronian, mjafton ta përkujtojmë këngën e parë të “Korsarit”, të “Larës”, osetë “Rrethimit të Korintit”, ku ekspozicioni psikologjik luan një rol të veçantë, faktet e jashtme zhduken me atë rast para ngjarjeve të jetës së brendshme të heroit. Në veprën poetike deradiane nuk predominon një procedurë e këtillë.
Do vënë në dukje se përderisa heroi bajronian i poemave orientale, rëndomë është evropian, i njollosur ose i dëbuar me vullnet ose me dhunë, i zhgënjyer dhe i deziluzionuar, fatkeq në dashuri, i dënuar të vuajë nga e dashura e ndarë, i kundërshtuar ose i vendosur të hakmerret ose ta shfarosë rivalin, uzurpatorin ose tiranin dhe kështu t’i jap fund një pjese të vuajtjeve të tij, ose të vdesë tok me të dashurën e tij, para ose pas asaj, heroi deradian, zakonisht, është shqiptar, me tipare të përgjithshme të një heroi romantik, herë i rënë në dashuri e herë i pajisur me ide përparimtare dhe herë i dashuruar në vendin dhe popullin e tij. Ky hero s’shpërngulet aq lehtë nga shoqëria dhe trualli i tij. Edhe në qoftë i lumtur, një hero i tillë është i gatshëm të braktisë të mirat materiale, paragjykimet e klasës, madje edhe familjen e të afërmit, vetëm nëse e fton kushtrimi. Ky është një hero i pajisur me një patriotizëm aktiv. Në rastet e tjera, heroi deradian, fjala vjen Bosdari, është trim e fatkeq, luftëtar i tmerrshëm, kalorës fisnik dhe patriot. Bosdari vërtet si ndonjë hero bajronian i poemave orientale, detyrohet ta marrë udhën e mërgimit e të largohet fatmjerë nga e dashura, por një hero i tillë, porsa e gjen rastin më të volitshëm, vihet në krye të bashkëvendësve të vet për t’i dërrmuar turqit. Bosdari zemërfisnik, i nderuar, është plot ëndërrime të gëzueshme për të ardhshmen, kurse heroi bajronian është aq i kredhur në dëshpërim saqë s’ka besim në të ardhmen. Skënderbeu i De Radës, sipas të gjitha gjasave, ka disa karakteristika të heroit bajronian. Si ndonjë hero i tillë, Skënderbeu është paraqitur me madhështinë e tij epike, është i zhgënjyer meqë ia kanë vrarë armiqtë vëllezërit, është plot revoltë, është i damkosur ngaqë e kanë detyruar ta ndërrojë fenë njëherë, është i pamposhtur dhe me kreshnikinë e tij dallohet nga mjedisi dhe shoqëruesit e tij dhe, i mashtruar, i tradhtuar, i rrëmbyer që në vegjëli, ai përbluan hakmarrje. Trima dhe patriotë, fisnikë dhe kalorës, burra dhe bujarë, janë edhe Radovani, Astiri, Gjakoviti e heronjtë e tjerë të galerisë së veprave poetike deradiane por, për dallim nga heronjtë bajronianë, zhgënjimi i tyre nuk i ka rrënjët vetëm në dashurinë fatkeqe, por në humbjen e lirisë, ardhjen e uzurpatorit, rrezikun imanent, përçarjen mes shqiptarëve dhe dashurinë fatkeqe. Pos kësaj, heronjtë deradianë s’janë gjithaq viktima të hakmarrjes individuale, por ata, në radhë të parë, janë të lindur e të krijuar që të marrin pjesë në ngjarjet me rëndësi historike dhe kombëtare, në ngjarjet që do të idealizohen, do të glorifikohen dhe do të kenë vendin e tyre të merituar edhe në poezinë popullore.
Disa emra heronjsh të veprës poetike të De Radës na i përkujtojnë emrat e heronjve bajronianë. Emri i Aidesë – Hajdhisë – që del si motra e Skënderbeut, na kujton Aidenë – Hajdhinë – e disa lirikave dhe të “Don Zhuanit” të Bajronit.[49] Emrat e këtillë, siç janë Foskori, Frozina, Mehmeti, na i përkujtojnë disa emra të njëjtë ose të ngjashëm të poemave orientale të Bajronit.
Njëherësh fabula romantike e poemave orientale, përjetimet melodramatike, pozat dhe gjestet e spikatura të heroit të tyre, madhështia e tij, bukuria ideale e heroinës, mbarë kjo botë e kushtëzuar dhe e lartësuar e poezisë bajroniane, kërkon një dekorim efektiv, një situatë të veçantë poetike dhe një truall të posaçëm të ngjarjes. Ngjarjet e poemave orientale zënë fill e zhvillohen në trevat e peizazheve ekzotike të Evropës Lindore e Jugore, në Shqipërinë e jugut, në arkipelag, në Greqi e viset mes Greqisë e Turqisë, përafërsisht në viset ku do të shfaqen e paraqiten edhe Milosao, Bosdari, Radovani, Skënderbeu, Serafina, Rina dhe heronj të tjerë të poemave deradiane. Mirëpo, përderisa heroit bajronian këto vise i lënë përshtypje me peizazhet, motivet e tyre etnografike, vrazhdësinë dhe bukurinë e jetës, doket dhe kulturën “gjysmëbarbare” të tyre, Shkodra, Dukagjini, Kruja, Arta, Himara e Milosaos, Bosdarit, Skënderbeut dhe të tjerëve, janë vise madhështore, të ëndërruara, të lakmuara, të gjakuara, të idealizuara dhe, natyrisht, të shtrenjta. Në to heronjtë deradianë i kanë kullat krenare, pallatet, oborret, fushëbetejat, flamujt, popullin, truallin dhe varrezat e të parëve të tyre.
[1] Historia e letërsisë shqipe, Prishtinë, 1968, f. 297
[2] Aty f. 297
[3] A. Stratico, Manuale di Letteratura Albanese, Milano, 1867, f. 238
[4] Historia e letërsisë shqipe, f. 304 dhe f. 338
[5] Giuseppe Gradilone, I Canti di Milosao di Girolamo de Rada, në Studi di letteratura Albanese, Roma, 1960, f. 12
[6] Razi Brahimi, Parimet krijonjëse të De Radës, në Jeronim de Rada, Tiranë, 1965, f. 100
[7] Aty f. 101
[8] Aty f. 99
[9] Aty f. 102
[10] Aty f. 100
[11] Alfred Uçi, Estetika e De Radës, Drita, 14 prill 1974, f. 12
[12] Aty f. 12
[13] Dhimitër S. Shuteriqi, 150-vjetori i lindjes së Jeronim de Radës, në Nëpër shekujt letrarë, Tiranë, 1973, f. 155
[14] V. Gualtieri, Milosao, Romanzo Lirico Albanise di Girolamo de Rada, Lanciano, 1917, f. II
[15] Jup Kastrati, Jeronim de Rada, Tiranë, 1962, f. 4
[16] Jup Kastrati, Odiseu. I dbuemi i Krujës, Arësimi Popullor, Tiranë, 1963, nr. 2-3, f. 128
[17] Aty f. 129-130
[18] Aty f. 130
[19] Aty f. 130
[20] Giuseppe Gradilone, vep. e cit., f. 11
[21] Shuteriqi vëren se De Rada u mbështet kryesisht në poezinë popullore arbëreshe për nga forma dhe në tematikën e çlirimit kombëtar për nga përmbajtja. Shih: Dh. Shuteriqi, vep. e cit., f. 155
[22] V. Gualtieri, vep. e cit., f. V
[23] V. M. Zhirmunskij, Bajron i Pushkin, f. 46-103
[24] Një studim më i thuktë mbi strukturën e poemave bajroniane doli para disa vjetësh. Titullohet: W. H. Marshall, The structure of Byron’s Major Poems, Philadelphia, 1974
[25] W. H. Marshall, The structure of Byron’s Major Poems, Philadelphia, 1974, f. 40
[26] M. Marchiano, L’Albania e l’Opera di Girolamo de Rada, Trani, 1902, f. 135
[27] Historia e letërsisë shqipe, vep. e cit., f. 328
[28] Të gjitha fragmentet e përkthyera nga poemat bajroniane në këtë kapitull janë bërë nga A. K.
[29] Këtu dhe më tej jepen vargjet e shqipëruara nga origjinali sipas edicionit The Poetical Works of Lord Byron, London, 1959
[30] Sipas edicionit, Jeronim de Rada (Vepra të zgjedhura). Kthyer në gjuhën e sotme nga Andrea Varfi, Tiranë, 1969
[31] V. M. Zhirmunskij, vep. e cit., f. 78-82
[32] Vep. e cit., f. 57-62
[33] M. Marchiano, vep. e cit., f. 63
[34] P. E. Pavolini, në Enciclopedia Italiana, vol. XII, f. 639
[35] G. Gradilone, De Rada Poeta-Albanese, Palermo, 1930
[36] G. Gradilone, vep. e cit., f. 16
[37] Dhimitër S. Shuteriqi, Historia e letërsisë shqipe për shkolla të mesme, Prishtinë, 1969, f. 79
[38] Aty f. 79
[39] Aty f. 79
[40] Historia e letërsisë shqipe, vep. e cit., f. 323
[41] Dh. Shuteriqi, Në 150-vjetorin e lindjes së Jeronim de Radës, në Nëpër shekujt letrarë, vep. e cit., f. 157
[42] Aty f. 157
[43] Aty f. 157
[44] Aty f. 157
[45] Jup Kastrati, Jeronim de Rada, vep. e cit., f. 40
[46] Ismail Kadare, Duke lexuar Milosaon, në Jeronim de Rada me rastin e 150vjetorit të lindjes, Tiranë, 1965, f. 151
[47] Aty f. 151
[48] Razi Brahimi, Parimet krijonjëse të De Radës, në Jeronim de Rada, vep. e cit., f. 102
[49] Eqrem Çabej, Vatra dhe bota në poezinë e De Radës, në Jeronim De Rada, vep. e cit., f. 53
Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia”.



