Bajrush Xhemajli: Institucionet duhet ta ndriçojnë të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës

22 maj 2019 | 15:28

Bajrush Xhemajli, i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, në fjalën e tij me rastin e shënimit të 20-vjetorit të kësaj masakre, ka theksuar se gjatë historisë sonë në luftë për çlirim, okupatorët e shumtë kanë bërë masakra të njëpasnjëshme por kjo e Dubravës padyshim mbanë një rekord të zi.

“Për pesë ditë me radhë të burgosurit kanë parë duke vrarë mbi 120 shokë të tyre, duke plagosur mbi 300 nga ta dhe duke pritur secili se kur do të vritet edhe vetë, ashtu qe, në këtë llahtar, dy prej të burgosurve në pamundësi të qëndrojnë para këtij tmerri, kanë gjetur shpëtimin duke u varur në litar. Pesë ditë ferr, i pa shpresë”, ka thënë Xhemajli.

Ai ka treguar se për gjithë këtë vepër makabër ish-të mbijetuarit e kësaj masakre në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politik, kanë ngritur padi më 19 janar 2007 në Gjykatën e Pejës, por sipas tij gjithë kjo u hesht.

Xhemajli ka theksuar se përderisa dihen veprimet kriminale dhe dihen aktorët për të cilët ka fakte të mjaftueshme, heshtja e institucioneve tona nuk ka se si arsyetohet dhe është e pakuptueshme. “Faktet janë të pamohueshme dhe janë dërguar atje ku duhet ngritur çështjet. Zëri i institucioneve nuk është ndier”, ka thënë ai.

Fjalimi i plotë i Bajrush Xhemajlit në shënim e 20-vjetorit të masakrës së Dubravës:

Përshëndetje i nderuar president z. Thaçi, i nderuar kryetar i Parlamentit z. Veseli, i nderuar drejtor i Burgut, të nderuar të pranishëm, një përshëndetje e veçantë për të gjithë familjarët e të rënëve dhe ju bashkëvuajtës të mbijetuar të masakrës në këtë burg!

Jemi tubuar sot këtu, për të kujtuat një ndër masakrat më të mëdha e më morbide që i ka ndodhur popullit shqiptar në rrugën e gjatë për liri kombëtare. Gjatë historisë sonë, në luftë për çlirim, okupatorët e shumtë kanë bërë masakra të njëpasnjëshme, por, kjo e Dubravës, padyshim, mbanë një rekord të zi, për nga gjatësia kohore, ku për pesë ditë me radhë të burgosurit kanë parë duke vrarë mbi 120 shokë te tyre, duke plagosur mbi 300 nga ta dhe duke pritur secili se kur do të vritet edhe vetë, ashtu qe, në këtë llahtar, dy prej të burgosurve, në pamundësi të qëndrojnë para këtij tmerri, kanë gjetur shpëtimin duke u varur në litar. Pesë ditë ferr, i pa shpresë!

Këtë ngjarje makabre, e organizoi kreu shtetërorë serb, ku synimi ishte i qartë. Ata bënë planin me përpikëri, me qëllim të vrasjeve të sa më shumë të burgosurish dhe fshehjes se krimit, duke ia veshur bombarduesve të NATO-s. Për të bërë këtë masakër, u organizuan që nga kreu i shtetit: me ushtri, polici, gardianet te burgut dhe të burgosurit serb. Për këtë plan të realizuar në detaje, është folur dhe shkruar për dy dekada rresht dhe është folur edhe dje në seancën e Jashtëzakonshme Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila na nderoi të gjithë ata që pësuam nga ai tmerr i paparë brenda katër mureve të larta të këtij burgu.

Prandaj unë, këtu, do të vë në pah vetëm disa anë të mprehta dhe disa dilema të cilat e kanë përcjellë këtë ngjarje kaq të rendë, ku nga 19-24 maj, rreth 1.000 të burgosur të tubuar nga burgjet tjera të Serbisë, si mish për top, pamë tmerrin me sy. Vështirë dikush ta imagjinojë një plan të tillë, përpos mendjes së sëmurë gjakatare, të kreut shtetëror serb që përdori tërë mekanizmin e vet, pa u mërzitur për konventat ndërkombëtare dhe ligjet e luftës, që janë në kundërshtim të plotë, me këto veprime kriminale.
Për gjithë këtë vepër makabër ish-të mbijetuarit të kësaj masakre, dihet se në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politik, kemi ngritur padi, më 19 janar 2007, në Gjykatën e Pejës. Por e gjithë kjo u hesht.

Të nderuar të pranishëm,
Përderisa dihet zinxhiri komandues, dihet krimi, dihen emrat e mbiemrat e kryerësve të krimit dhe ka një mal me fakte për veprimet e tyre, ku dhe janë të faktuara edhe me foto xhelate me armë në dorë, para viktimave, pra shkurt: përderisa dihen veprimet kriminale dhe dihen aktorët për të cilët ka fakte të mjaftueshme, heshtja e institucioneve tona nuk ka se si arsyetohet dhe është e pakuptueshme. Faktet janë të pamohueshme dhe janë dërguar atje ku duhet ngritur çështjet. Zëri i institucioneve nuk është ndier!
Kjo heshtje varri nga institucionet tona ka shtruar shumë dilema. Pse kjo heshtje përballë të gjithë fakteve që posedojmë. Kujt i ka interesuar kjo heshtje. Me dashje e pa dashje, është përligjur krimi. Gjithsesi nga heshtja jonë ka përfituar Serbia në fshehjen e krimit. Kjo tregon papërgjegjshmërinë e institucioneve tona deri dje.

Të nderuar të pranishëm,
Burgu i shkatërruar nuk duhej renovuar i tëri por duhej lënë një pavijon, si kamp i përqendrimit, siç ishte ide e disa të burgosurve. Si duket ndërkombëtarët u ngutën për ta renovuar pas lufte, për shkak se mendonin pa nevoje, se duhej humbur gjurmët, pasi NATO u fut në grackë me mjeshtri në bombardimin e burgut dhe pastaj, pas lufte, gjithsesi heshti masakrën dhe kështu i shërbeu heshtjes aq të nevojshme për serbët.
Po a duhet të heshtim ne, shqiptarët dhe institucionet tona shtetërore? Deri dje kemi heshtur. Një solidarizim i paparë dhe absurd i që të tre faktorëve: vendor, ndërkombëtarë dhe natyrisht serbët të cilëve u konvenon një heshtje e tillë.

I nderuar president dhe kryetar i parlamentit!
Iniciativa për ngritjen e tribunalit për krimet serbe, seanca e djeshme, bashkë me praninë e juaj sot këtu, theu heshtjen politike rreth masakrës, gjë që na jep shpresë se më në fund kjo punë po merr udhë, në vendosjen e drejtësisë. Kjo do të ishte një si balsam në zemrat e të gjithë familjarëve të të rënëve, e të gjithë atyre të të plagosurve në këtë burg dhe neve të cilët mbijetuam këtë masakër.

Të nderuar të pranishëm,
Ne, ish-të burgosurit, kërkuam që të mbetet një gjurmë në burgun e Dubravës, prandaj po vëmë (vumë) një themel të një kujtimi për ata që ranë brenda këtyre mureve. Nga institucionet relevante në Republikën tone, është një nismë e mirë për ish të burgosurit politikë. Kjo, sado që duhet përshëndetur, gjithsesi nuk mjafton për të lënë një gjurmë, për kalvarin e vuajtjeve të të gjithë të burgosurve politikë, në rezistencë për çlirim kombëtar. Prandaj shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje institucioneve dhe t’i bashkëngjitëm kolegëve të mi për iniciativën që ish burgu i Qarkut në Prishtinë, të shpallet Burg Muze, ku do të mund të tregohej shumëçka nga rezistenca e të burgosurve politik. Shpresoj që kjo të bëhet realitet sa më shpejt dhe kështu të ekspozohen eksponate edhe nga burgu i Dubravës e masakrës së tij ne ndonjë nga kthinat e atij muzeu.

Krejt në fund:

Burgu i Dubravës padyshim që rëndon në ndërgjegjen e vrarë kombëtare dhe ndërkombëtare!
Duhet që institucionet tona ta ndriçojnë të vërtetën, gjithsesi.
Lavdi të rënëve në masakrën e Dubravës. Lavdi dëshmorëve të kombit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën më…