
Balje: M’u ofrua pozita e profesoreshës në Shkup në këmbim të votës për Haxhiun
Deputetja Duda Balje ka konfirmuar publikisht se ka marrë oferta joformale për pozitën e profesoreshës në Shkup, në këmbim të votës së saj për Albulena Haxhiun si kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka deklaruar se oferta ka ardhur përmes personave që nuk janë drejtpërdrejt të përfshirë në politikë, por që kanë lidhje shoqërore me njerëzit e politikës.
“Është e vërtetë. Ka pasur disa thirrje nga persona të shoqërisë, jo direkt nga politika. Më është përmendur mundësia për një vend pune si profesoreshë në Maqedoni, por e kam refuzuar menjëherë”, ka thënë Balje për mediet.
Ajo ka sqaruar se oferta nuk ishte e drejtpërdrejtë dhe kishte ardhur përmes një shoqeje të saj, një mjeke nga Kosova.
“Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam aplikuar për profesoreshë në Maqedoni edhe i kam plotësuar krejt kushtet ama më nuk kam aplikuar. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutuar për vendin e punës si profesoreshë”, është shprehur ajo.