Ballafaqimi në Hagë/ Si arriti avokati britanik t’i ‘rrëzojë’ akuzat për ‘abuzimet e UÇK-së’ dhe çfarë thotë raporti i ‘HRW’?

07 shtator 2023 | 14:28

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka arritur pothuajse ta vë në dyshim komplet një raport të organizatës “Human Rights Watch (HRW)” për “abuzimet e UÇK-së”, duke e bërë një përfaqësues të kësaj organizate, i cili është paraqitur si dëshmitar në Gjykatën Speciale në Hagë  që të pranojë se i kishin marrë për bazë pretendimet e palës serbe. “Duhej të ishte shkruar ndryshe”, ishin fjalët e shpeshta të dëshmitarit Frederick Abrahams, të cilat i ka përsëritur disa herë gjatë marrjes në pyetje nga avokati i Veselit. Raporti i HRW jep gjykimin se UÇK-ja kishte shkelur rregullat e luftës.

Frederick Abrahams, një përfaqësues i organizatës ndërkombëtare “Human Rights Watch” është paraqitur si dëshmitar në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale në Hagë. Në cilësinë e dëshmitarit të 22-të në këtë rast gjyqësor, atij dje iu desh t’i përgjigjej pyetjeve të Ben Emmerson, avokatit britanik të Kadri Veselit.

Emmersoni e ka bërë Abrahamsin të pranojë se së paku në një rast në të cilin “HRW”-ja e ka implikuar UÇK-në, pretendimet i kishin marrë nga pala serbe.

Zyrtari i “HRW”-së, ka thënë se do t’i përpilonte ndryshe fjalët në një raport ku akuzohej UÇK-ja për disa trupa të pajetë, të gjetur në Liqenin e Radoniqit në Gjakovë në shtator të vitit 1998.

Avokati Ben Emmerson ka nisur ta lexonte një pjesë të një raporti të “HRW”-së, ku ishte shkruar se si komandanti i rajonit të Dukagjinit duhet të kishte ditur, siç shkruhej në raport, “masakrën më të madhe që e ka kryer UÇK-ja më 1998”, ku sipas organizatës ishin vrarë 30-40 persona.

Organizata këtu ka cenuar atë që ajo e dënon, ka theksuar Emmerson, duke shtuar se “HRW”-ja e ka shpallur fajtorin pa hetime.

Avokati Emmerson ka lexuar gjithashtu një paragraf ku thuhej se “komandantët e zonave kryenin krime, është e qartë si në vrasjen e shtatorit pranë Gllogjanit, komandantët e zonave duhet të kishin ditur, në mos të kishin urdhëruar drejtpërdrejtë vrasjet”. Këtu, Emmersoni ka thënë se 9 prej viktimave sa kishin qenë gjallë, ishin nën kujdesin e serbëve.

“Duke ditur ato që dimë sot, këtë fjali do ta përpiloja ndryshe”, ka thënë dëshmitari Frederick Abdrahams.

Duke kujtuar se një gjykim për këtë rast kishte përfunduar dhe se i akuzuari ishte shpallur i pafajshëm, Emmersoni ka thënë se kjo vërteton se nuk kishte “organizatë të përbashkët kriminale” dhe se ai krim nuk kishte lidhje me asnjë prej komandantëve.

“E pranoj gjithsesi se formulimi duhet të ishte bërë ndryshe”, ka thënë Abrahamsi, ndërsa avokati Emmersoni ka shpejtuar të theksonte se kjo çështje shkon përtej formulimit të fjalive, sepse vrasjet janë përshkruar si të kryera nga forcat e UÇK-së.

Dëshmitari sërish ka thënë se “duhej të ishte shkruar ndryshe”, fjalë të cilat i përsëriti disa herë, për të pohuar më pas se pretendimet i kishin marrë nga pala serbe.

Avokati i Veselit se viktimat kishin vdekur në vende e kohë të ndryshme dhe se trupat e tyre ishin hedhur në të njëjtin vend, ndërsa dëshmitari shqiptonte sërish fjalët e tij të shpeshta: “Duhej të ishte shkruar ndryshe”.

Organizata “HRW” nuk kishte bërë hetim të hollësishëm dhe nuk kishte shkuar ndonjëherë në vendin e krimit, dhe Abrahams e ka pranuar këtë.

Më tutje përfaqësuesi i “HRW”-së është ndalur të disa pjesë të tjera. Ai ka thënë se i qëndron prapa deklaratës së tij se komandantët e zonave po të donin mund të kishin parandaluar veprimet kriminale.

Në anën tjetër, lidhur me rastin e “Kleçkës”, dëshmitari u pajtua se ekzistonte një fushatë nga serbët për t’i transportuar trupat nga Kosova në Serbi për t’u shfajësuar duke fshirë gjurmët e krimeve. Por, ai ka thënë edhe se kishte dëgjuar se Serbia pretendonte se kishte zbuluar në një varr krime të kryera nga UÇK-ja dhe se ishin zbuluar trupa në Kleçkë.

Çfarë thuhet në raportin e HRW për atë periudhë?

Në një raport të titulluar “Shkeljet e së Drejtës Humanitare në Kosovë”, organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut shkruan për “shkeljet e rregullave të luftës” dhe “abuzimet nga UÇK-ja”.

“Përkundër detyrimeve”, “HRW”-ja kishte konstatuar se “UÇK-ja ka kryer shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë marrjen e pengjeve”.

Në disa raste, në raport jepet gjykimi për UÇK-në. Për shembull, për rastin e “Kleçkës”, “HRW”-ja kishte shkruar në raport se ishte “abuzimi më i rëndë i UÇK-së”. Pak më tutje, në të njëjtin paragraf, ishte theksuar gjithsesi rëndësia e një “hetimi të paanshëm”.

“Më 9 shtator, policia njoftoi se kishte gjetur një numër të trupave të personave të vrarë nga UÇK-ja afër Gllogjanit. Deri më 16 shtator, autoritetet kishin mbledhur tridhjetë e katër trupa, njëmbëdhjetë prej të cilëve u identifikuan, duke përfshirë disa shqiptarë etnikë. Para kësaj, abuzimi më i rëndë i UÇK-së përfshinte ekzekutimin e raportuar të njëzet e dy civilëve serbë në fshatin Kleçkë, ku policia pretendoi se kishte zbuluar mbetje njerëzore dhe një furrë të përdorur për djegien e trupave. Mënyra në të cilën u ngritën akuzat, megjithatë, ngre pyetje serioze dhe nënvizon rëndësinë e një hetimi nga një ekip i paanshëm hetimor mjeko-ligjor, i cili duhet të ekzaminojë Kleçkën, si dhe zonat e tjera ku janë raportuar ekzekutime. Kryengritja shqiptare, e njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës (KLA, në shqip, UÇK), gjithashtu ka shkelur ligjet e luftës me veprime të tilla si marrja e pengjeve civile dhe me ekzekutime”, ishte thënë në raportin e “HRW”-së.

“Human Rights Watch”, gjithashtu në atë raport kishte thënë se “UÇK-ja gjithashtu ka bërë shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare, duke përfshirë marrjen e pengjeve dhe ekzekutimet pa gjyq”.

Fred Abrahams është duke vazhduar dëshminë e tij në gjyq edhe të enjten. Ai është mbikëqyrës i trajnimit kërkimor të “Human Rights Watch” dhe mbikëqyr punën e divizioneve të Krizave dhe Konflikteve, Armëve dhe Teknologjisë dhe Laboratorit të Hetimeve Dixhitale.

Ai ndihmon në koordinimin e reagimit të organizatës ndaj krizave të mëdha dhe përveç Kosovës, ka punuar edhe në disa vende si Shqipëria, Bangladeshi, Iraku, Libani, Libia, Sri Lanka, Siria dhe Izraeli, Gaza dhe Bregu Perëndimor. Flet gjermanisht dhe shqip.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igli Tare pas largimit nga skuadra e Lazios si drejtor…