Ballazhi i PDK-së: Ankesa e Sumës nuk ishte e drejtë e as burrërore

25 tetor 2021 | 17:38

Gjykata Supreme e Kosovës e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PZAP), lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Me këtë rast, Supremja ka anuluar vendimin e PZAP-së që Hani i Elezit të shkojë në rivotim.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, ka folur në “Frontal” në T7, Mehmet Ballazhi, kandidat i PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit. Ai ka thënë se vendimin e Supremes në favor të tij e ka pritur, pasi siç shprehet, procesi zgjedhor ka shkuar në rregull

“Vendimin e kam pritur mirë dhe kam besuar thellë në institucionet e drejtësisë dhe unë besoj se Gjykata Supreme është bazuar në faktet që i kemi paraqitur ne, prandaj ka qenë për mua vendim i pritshëm sepse nuk ka mundur të marrë vendim tjetër se nuk ka pas asnjë arsye PZAP të marrë vendim për anulimin e zgjedhjeve pasi procesi ka shkuar gjithçka në rregull”, ka thënë Ballazhi.

Ai ka thënë se nuk ka pasur presion te votuesit për ta ndryshuar mendimin e lirë për zgjedhjet.

“Videot që kanë qarkulluar ka qenë jo e drejtë të publikohen meqë ne e dimë si e parasheh ligji, por unë kam pranuar që në fillim që ka mund të bëjë një shkelje ligjore, po kjo ka qenë në cilësinë e shefit të shtabit që kanë të bëjnë me të gjitha zgjedhjet që unë kam qenë shef i shtabit dhe nuk ka qenë me qëllim, por nuk është se ka pasur ndonjë presion mbi qytetarët ose votuesit të ketë ndryshim në mendimin e tyre të lirë për zgjedhjet. Kjo ka qenë fakti mos me pranuar rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse Suma që në fillim më ka uruar për rezultatin. Ka qenë gjithçka në rregull dhe kështu që Supremja ka marrë një vendim të drejtë”, ka thënë ai, duke shtuar se ankesa e Sumës nuk ka qenë burrërore.

“Mendoj se nuk ishte e drejtë, as burrërore, besoj se Suma do të ishte dashtë të ma urojë dhe pranojë rezultatin e zgjedhjeve sepse ai e di që qytetarët nuk mund të ndikohen për një vizitë që kam bërë, edhe pse ka qenë i njohur që unë kam qenë në vizitë në cilësinë e shefit të shtabit nëpër vendvotime për t’i uruar punë të mbarë dhe të kenë kujdes. Këtë e kanë konfirmuar edhe komisionerët e vendvotimeve të cilët me deklaratat e tyre e kanë dëshmuar se ka qenë gjithçka në rregull”, ka thënë ai, duke shtuar se Gjykata Supreme nuk është institucion shkel e shko.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe…