Ballkani e Gjilani ndajnë pikët, Malisheva fiton në udhëtim

25 tetor 2025 | 20:40

Dy ndeshjet e para të xhiros së 10-të të Albi Mall Superligës së Kosovës sollën emocione, me ndeshjen ndërmjet Ballkanit dhe Gjilanit që u mbyll me barazim dramatik 1:1, derisa Malisheva arriti një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës së Re.

Në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani i Orges Shehit shpëtoi nga humbja në minutat shtesë. Gjilani, nën drejtimin e Debatik Currit, kaloi në epërsi në minutën e 69-të me golin e Edi Bashës, i cili shënoi me prekjen e parë pas aktivizimit në lojë, pas një asisti të bukur nga Albin Prapashtica.

Këtij të fundit, më herët, në minutën e 50-të, iu anulua një supergol me gjuajtje nga distanca pas ndërhyrjes së VAR-it, që konfirmoi faull të Sabit Bilallit gjatë ndërtimit të aksionit.

Në minutat shtesë, ndeshja mori ritëm të jashtëzakonshëm. Giovanni Ribeiro barazoi rezultatin në minutën e 90’+4, me gjuajtje me kokë, duke i dhuruar skuadrës vendase një pikë. Vetëm një minutë më vonë, Bleart Tolaj goditi traversën, duke qenë për herë të dytë shumë pranë golit ndaj Gjilanit. Krejt në sekondat e fundit edhe gjilanasit patën mundësi të mirë, por gjuajtjen e fortë të Armend Thaqit e priti portieri Iljazi. Ballkani e përfundoi ndeshjen me një lojtar më pak, pasi kapiteni Bajram Jashanica u ndëshkua me karton të kuq për reagim ndaj gjyqtarit Egzon Dakaj.

Pas këtij barazimi, Ballkani renditet në vendin e dytë me 19 pikë, tri më pak se Prishtina, e cila sot në orën 18:30 luan kundër Dukagjinit, ndërsa Gjilani me 11 pikë mban pozitën e shtatë në tabelë.

Ndërkohë, Malisheva e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani i është kthyer fitoreve pas dy humbjeve radhazi, duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat 2:0 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Të dy golat për Malishevën i realizoi sulmuesi Altin Aliu, në minutat 9’ dhe 39’, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të vlefshme dhe ngjitjen në vendin e pestë me 13 pikë pas dhjetë javësh. E Prishtina e Re mbetet në pozitën e fundit me vetëm shtatë pikë, duke vazhduar serinë e rezultateve negative.

Të dielën zhvillohen dy përballjetë e fundit të xhiros së 10-të: Drita –Ferizaj dhe Llapi –Drenica, të cilat nisin nga ora 13:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra,…