Ballkani e Prishtina e nisin me fitore bindëse, Feronikeli ndalet në Ferizaj

15 shkurt 2020 | 16:30

Sot ka nisur stinori pranveror në Ipko Superligën e Kosovës. Skuadra kryesuese në renditje, Ballkani e ka nisur me këmbë të mbarë pjesën e dytë të garave, teksa para tifozëve të vet ka shënuar fitore me rezultat bindës kundër Drenicës, 3:0.

Golat për skuadrën nga Therranda i shënuan Jetmir Topalli (18’), Arbër Hoxha (31’) dhe Liridon Fetahaj (89’). Kjo fitore ia mundësojë Ballkanit ta ruajë epërsinë prej 3 pikësh ndaj Prishtinës. Kjo e fundit, po ashtu, realizoi fitore bindëse në shtëpi, duke e mundur Vushtrrinë, me rezultat 4:0. Endrit Krasniqi, Otto John, Gauthier Mankenda dhe Meriton Korenica ishin lojtarët që shënuan për bardhekaltrit e kryeqytetit për nismë të mbarë të stinorit pranveror.

Ndërkohë, kampioni në fuqi, Feronikeli nuk ka arritur të shkëpusë më shumë se sa një pikë si mysafir i Ferizajt, duke barazuar 1:1. Madje, Ferizaj ishte në epërsi me golin e Kenan Oranës (40’), por skuadrën nga Drenasi nga humbja e shpëtoi Nicholas Andrews, me golin e shënuar në minutën e 75-të.

Nesër do të zhvillohen tri ndeshjet e tjera të javës së 18-të, ku pa dyshim vëmendjen e zgjon ndeshja derbi Drita – Gjilani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova po shënon 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj,…