Ballkani fiton dhe përforcon pozitën e parë

29 tetor 2023 | 16:04

Skuadra kampione në fuqi, Ballkani ka vazhduar serinë e fitoreve në Albi Mall Superligë.

Në kuadër të javës së 11-të, portokallezinjtë kanë shënuar fitore si mysafirë kundër Feronikelit 74, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat bindës 3:0. Golat për Ballkanin i shënuan Almir Kryeziu (44′), Edvin Kuç (66′) dhe Nazmi Gripshi (‘84).

Me këtë fitore skuadra e Ilir Dajës e ka përforcuar pozitën e parë në renditje, me 26 pikë, katër më shumë se ndjekësja më e afërt Drita. Kjo e fundit barazoi në shtëpi kundër Lirisë, me rezultat 1:1.

Gjilanasit kaluan në epërsi me golin e Besnik Krasniqit (3’), derisa një pikë prizrenasve ia siguroi Prins Tijueza (73’).

Pa fitues është mbyllur edhe dueli ndërmjet Dukagjinit dhe Llapit, por ndeshja në stadiumin “18 Qershori” nuk ka prodhuar as gola.

Dy ndeshje u zhvilluan të shtunën, ku Prishtina shënoi fitore kundër Gjilanit, me rezultat 2:1, derisa Fushë Kosova dhe Malisheva barazuan në Lipjan, 0:0.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pjesë e Fushë-Kosovës dhe disa fshatra përreth kanë mbetur…