
Banka Botërore paralajmëron rënie ekonomike – pasojat e moskonstituimit të Kuvendit
Banka Botërore tashmë ka paralajmëruar ngadalësim të zhvillimit ekonomik për sivjet në Kosovë. Situatën, sipas njohësve të fushës, pritet ta rëndojë edhe më shumë ngërçi politik në vend. Kjo pasi edhe shumë marrëveshje ndërkombëtare financiare kanë mbetur pa u miratuar gjatë legjislaturës së kaluar. Në mesin e tyre është edhe marrëveshja e financimit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe ajo e kredisë me Bankën Evropiane për Investime të projekteve në KEK.
Të shtunën ka dështuar edhe tentativa e 17-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por si ndikon mosformimi i institucioneve në zhvillimin ekonomik të vendit?
Pasojat janë serioze, paralajmëron kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Ai theksoi se moskonstituimi rrezikon ekonominë, investimet dhe reformat në vend, përcjell Periskopi.
“Ndikon për të keq dhe do të ketë pasoja të mëdha. Këto pasoja nuk eliminohen brenda natës. Ne jemi shumë mbrapa për të bërë reformat dhe për miratimin e shumë marrëveshjeve ndërkombëtare. Jemi mbrapa me themelimin e qeverisë, ndërkohë që biznesi ka nevojë për hartimin e politikave fiskale, veçanërisht për çështjen e energjisë elektrike, e cila është urgjente”, tha ai.
Edhe Aleanca e Bizneseve të Kosovës e sheh situatën me shqetësim të madh për efektet nga mosformimi i institucioneve.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës së Bizneseve theksoi se kjo do të ndikojë dukshëm dhe do të ketë pasoja të mëdha ekonomike dhe financiare. “Sepse moskonstituimi dhe mosratifikimi i disa marrëveshjeve që kanë të bëjnë me mbështetjen e Kosovës me vlerë mbi 1 miliard euro, rrezikojnë të humbasin si pasojë e mungesës së një Kuvendi dhe Qeverie funksionale”, tha ai.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se kriza politike ka ndikim të drejtpërdrejtë në shumë sektorë, duke thelluar pasiguritë ekonomike dhe sociale.
“Efektet e kësaj krize të moskonstituimit dëmtojnë Kosovën në shumë aspekte. Në aspektin ekonomik, vendi nuk mund të ketë zhvillim pa një partneritet të mirëfilltë me Bashkimin Evropian. Vetë fakti që Kosova do të jetë e anashkaluar këtë vit nga Programi i Rritjes dhe Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor është dëshmi për këtë. Në këto rrethana, është e vështirë të mendohet për atraktivitet për investitorët e huaj. Në aspektin social, përballemi me inflacion të lartë dhe kriza që po thellohen çdo ditë”, tha Gërxhaliu.
Ai shtoi se ndikimi do të jetë edhe në aspektin politik, në agjendën e Këshillit të Evropës dhe anëtarësimin në institucione të ndryshme kredibile./RTK