Barça harron Messin, mposhti Sociedadin

15 gusht 2021 | 22:20

Barcelona harron Messin për momentin! Katalanasit kanë mposhtur 4-2 Real Sociedad dhe e nisin mbarë kampionatin në Spanjë. Pique, Braithwaite dhe Sergio Roberto shënuan golat për ekipin e Koeman, që në fund u tremb nga miqtë, që realizuan dy herë dhe hapën ndeshjen. Vetëm kaq, pasi Barcelona fitoi.

Gerard Pique e ndezi sfidën në Camp Nou, pasi shënoi pas 19 minutash lojë me një goditje perfekte me kokë. Qendermbrojtësi, i emocionuar, puthi stemën dhe festoi gjatë, ndërkohë që katalanasit zotëronin topin dhe kërkonin edhe golin e dytë.

Ai do të vinte në shtesën e pjesës së parë, kur Martin Braithwaite me një goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë dhe Barcelona shkoi e qetë në dhomat e zhveshjes, pasi ishin në epërsinë e dy golave.

Dirtekt sa nisi pjesa e dytë, Jordi Alba kishte mundësinë më të mirë për të shënuar golin e tretë. Mbrojtësi goditi jashtë kuadratit. Gjithsesi katalanasit i kishin idetë e qarta dhe sërish Braithwaite e ndëshkoi skuadrën e Real Sociedad.

3-0 dhe të gjithë mendonin se historia e kësaj ndeshje ishte mbyllur. Nuk ishte ashtu, pasi për tre minuta miqtë shënuan dy herë. Lobete Cienfugos realizoi golin e parë, kurse më pas Oyarzabal ekzekutoi një goditje dënimi në mënyrë fantastike dhe vuri në siklet Barcelonën.

Gjithsesi në shtesë Sergio Roberto qetësoi trajnerin Ronald Koeman dhe shokët e skuadrës, duke shënuar golin e katërt që vulosi fatet e kësaj ndeshje. Tre pikë për Barcelonën, që tani duhet të hedhë pas krahëve largimin e Messit dhe të marrë rezultate. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka theksuar se me shqetësim…