Rafa Nadal drejtues i ri i Real Madridit, pritet vetëm konfirmimi i anëtarëve
Legjenda e tenisit, Rafael Nadal, është një hap larg hyrjes në Bordin Drejtues të Real Madridit.
Klubi madrilen ka njoftuar zyrtarisht se ka propozuar emërimin e ish-tenistit spanjoll si anëtar të ri të organit drejtues.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit Drejtues të mbajtur të mërkurën, më 4 nëntor, ndërsa emërimi i Nadalit duhet të ratifikohet nga Asambleja e Përgjithshme e delegatëve, e cila do të mbahet më 21 nëntor.
Nadal është anëtar nderi i Real Madridit dhe mban numrin 67.778 si anëtar i klubit, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Madrilenët kanë vlerësuar lart figurën e tij sportive dhe njerëzore, duke theksuar se ai mund të kontribuojë në të tashmen dhe të ardhmen e institucionit.
Ish-tenisti spanjoll e ka përfunduar karrierën me 92 tituj individualë, përfshirë 22 trofe të Grand Slamit, dy medalje të arta olimpike dhe pesë Kupa Davis me Spanjën. Ai gjithashtu ka qenë numri një në renditjen botërore të tenisit.
Nëse emërimi miratohet nga delegatët, Nadal do të nisë një kapitull të ri në karrierë, këtë herë në drejtimin institucional të klubit që e mbështet prej vitesh.



