Bardhyl Mahmuti përmes “Eskadronëve të vdekjes”, ka arritur të sjellë dëshmi të fuqishme për krimet e kryera nga regjimi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë

23 maj 2024 | 15:06

Shkruan: Erjon Hadergjonaj

Pas leximit të librit “Eskadronët e vdekjes”, si një i ri cili nuk e ka përjetuar luftën e fundit në Kosovë, mbeta i tronditur dhe i prekur thellë nga rrëfimet e jetës reale dhe përjetimeve të përshkruara aq qartë dhe artistikisht nga penda e autorit në këtë roman. Me të vërtet nëpërmjet veprës autori Bardhyl Mahmuti ka arritur të sjellë një dëshmi të fuqishme dhe mjaftë mirë të detajuar për krimet gjatë luftës të kryera nga regjimi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Përmes karaktereve si Mifi dhe Sadiku e shumë të tjerë të cilët pasqyrojnë të dyja anët e konfliktit, kam arritur të futem plotësisht në atë periudhe mjaftë të errët por edhe krenare të popullit tonë; personazhe këto të cilat na prezantojnë  jo vetëm me mizoritë e përjetuara, por edhe me humanizmin dhe rezistencën e atyre që kanë përjetuar këto ngjarje. Dialogjet dhe përshkrimet janë sa  të fuqishme aq edhe të ngarkuara emocionalisht, saqë e bën të pamundur të mbetesh indiferent dhe të mos futesh me tërë trupin, mendjen dhe përjetimet në botë e tragjedisë që shpaloset pothuajse në çdo faqe të këtij libri.

“Eskadronët e vdekjes” nuk është vetëm një dokumentim i historisë; nuk është një kronikë e thjeshtë por edhe një thirrje sublime për drejtësi dhe një kujtesë e shkrirë në letër për të mos harruar kurrë viktimat e këtij gjenocidi. Ky libër, më ka ndihmuar të kuptoj qartë  kontekstin dhe pasojat e luftës në Kosovë, të kristalizoj ne vetëdijen time sakrificën e popullit tonë në rrugën për liri dhe gjenocidin serb ndaj popullit shqiptar i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i pandëshkuar, por dhe më ka zgjuar dëshirën e zjarrte të reflektoj mbi nevojën për të njohur dhe dënuar krimet e kryera.

Unë si një i ri, mendoj dhe do të bëj thirrje të vazhdueshme që një vepër kaq fisnike si “Eskadronët e Vdekjes” duhet lexuar nga të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë më shumë rreth asaj periudhe të errët gjenocidiale dhe që duan të kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive për të parandaluar përsëritjen e tilla tragjedive në të ardhmen, duke ngurtësuar kështu përgjithmonë veprën e lavdishme të luftëtarëve të UÇK-së, dhe për të gjetur drejtësi për të gjitha viktimat e pafajshme. Ndoshta kësisoj kur edhe ne të rinjtë do të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtet dhe duke luftuar me forcat tona për ta shtyrë drejtësinë përpara, nënat të cilat kanë ende lot në sy do të gjejnë prehje duke ditur se kriminelët e vërtet janë ulur në bankat e drejtësisë. Ndoshta dikur, çlirimtarët e vendit tonë do të kthehen në atdheun e tyre duke e ditur se gjeneratat e reja po rriten të lirë në vendin të cilin e mbrojtën pa kushte, atëherë ndoshta plaga e madhe e Kosovës, do të shërohet sado pak…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atalanta shkroi historinë, duke fituar trofeun e parë evropian, pas…