“Bartësit dhe shtytësit e kauzave tona”, Haradinaj vlerëson kontributin e shqiptarëve të Amerikës për çështjen kombëtare

02 shkurt 2024 | 19:49

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se angazhimi i shqiptarëve të Amerikës për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza dhe se kontributi i tyre është dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë.

Haradinaj ka thënë se komuniteti shqiptaro-amerikan kanë qenë bartësit dhe shtytësit kryesor të kauzave për të drejtën shqiptare.

“Në fund të vizitës në Amerikë, Baca Rrustë na bashkoi për darkë me shumë vëllezër shqiptarë që ishin shtyllë e madhe e kauzës sonë kombëtare për gjysmë shekulli në SHBA. Për të gjithë ne, komuniteti shqiptaro-amerikan kanë qenë bartësit dhe shtytësit kryesor të kauzave për të drejtën shqiptare. U ndjeva mirë pranë tyre, teksa zhvilluam një diskutim të sinqertë dhe të hapur për zhvillimet në Kosovë dhe për çështjet me interes kombëtar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve të Amerikës për aspiratën tonë për lirinë e për shtetin e Kosovës.

“Xhim Xhema, Rrustem Gecaj, Harry Bajraktari, Elmi Berisha, Mark Gjonaj, Martin Shkreli, Gani Shehu dhe gjithë vëllezërit e tjerë që ishin prezent, kanë dhënë kontribut të pamohueshëm në aspiratën tonë për liri, pavarësi e forcim të shtetësisë, duke shërbyer si shembull i shkëlqyer se si punohet për kombin nga çdo cep i botës”.

“I kërkova që në rrethanat e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, të angazhohen edhe më shumë që të jetësojmë dialogun strategjik me Amerikën dhe mbi të gjitha anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ndërsa e falënderova Ambasadorin e Shqipërisë në OKB, z. Ferid Hoxha për punën e tij të jashtëzakonshme”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se angazhimi i tyre do të vlerësohet ndër breza.”Ju thashë me bindje të plotë se angazhimi i tyre për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza dhe se kontributi i tyre është dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë”, ka përfunduar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, një përgjigje për…