Basha: Bojkoti rrezikon integrimin evropian

28 maj 2018 | 15:51

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka thënë se Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Në këtë kontekst, Basha ka thënë se bojkotimi i Kuvendit nga opozita do ta rrezikonte integrimin.

“Lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Kemi një ministër të Brendshëm, vëllai i të cilit është një trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali nga drejtësia italiane, por që me mbrojtjen dhe ndihmën e vëllait ministër të Brendshëm vazhdon aktivitetin kriminal”.

“Kemi një kryeministër që është kaq i lidhur me krimin sa kalon nga një ministër i Brendshëm, pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës të një ministër që ka vënë ministrinë, policinë dhe prokurorinë në funksion të mbrojtjes së vetes dhe vëllait të tij trafikant droge. Në këto kushte, jam i mendimit të përdorim të gjitha format dhe mënyrat demokratike si opozitë me grupin parlamentar, strukturat, qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë se largimi i Fatmir Xhafajt është kusht i panegociueshëm i opozitës, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave. As shqiptarët, e as Evropa nuk mund të pranojnë që vendi të kalojë nga policia Tahiri- Habilaj të policia Xhafaj dhe prokuroria Rama-Xhafaj”, mësohet të jetë shprehur Basha, raporton “TCh”.

Ai ka këmbëngulur se Xhafaj duhet të largohet nga posti i ministrit të Brendshëm për t’i hapur rrugë një hetimi të pavarur.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit të Krimet e Rënda ka vendosur të…